Lëvizja Besa: Do të insistojmë me këmbëngulje që gjuha shqipe të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase

    Lëvizja Besa kërkon nga Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria që në kuadër të ndryshimeve kushtetuese të propozohet edhe ndryshimi i amendamentit V i cili rregullon përdorimin e gjuhës. Në kërkesën e dorëzuar me shkrim, Besa ka paraqitur edhe mënyrën se si do të duhej të formulohej amendamenti i V.

    “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik dhe gjuha shqipe dhe shkrimi i saj. Lëvizja BESA nuk ka kundërshti ndaj inkorporimit të komunitetit bullgar në preambulën e kushtetutës së vendit, por me këmbëngulje do të insistoj që Amendamenti V i kushtetutës të ndryshohet dhe gjuha shqipe të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase”, tha Fatmir Sabriu, Lëvizja Besa.

    Aleanca për Shqiptarët kërkon heqjen e 20% nga Kushtetuta gjatë ndryshimeve që i referohen kërkesave bullgare. Ndonëse pak ditë më parë ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga tha se prioritet ka preambula por do të diskutohet edhe për çështje të tjera, kreu i ASH-së, Arben Taravari thotë se abrogimi i përcaktimit mbi gjuhën zyrtare duhet të ndodh tani.

    “Gjuha shqipe të emërtohet si e tillë dhe mos të quhet më gabimisht “20%“. Propozojmë që ky ndryshim të ndodhë tani dhe jemi të bindur, jo vetëm në pajtimin e partive shqiptare, por edhe me dakordësinë e të gjitha partive në Maqedoni”, njoftojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

    Zëvendëskryetarja e LSDM-së, Sanja Llukarevska në emisionin “Rruga drejt…” në Alsat deklaroi se për heqjen e 20% nga kushtetuta duhet të pritet një moment i ri.

    “Nuk guxojmë të dalim nga kornizat sepse me të vërtetë konsideroj se gjendemi para një vendimi të rëndësishme shtetëror dhe politik të cilin duhet ta shfrytëzojmë. Nuk guxojmë të lejojmë që të negociohet për çështje të cilat gjithsesi se mund t’i lëmë tutje. Për momentin konsideroj se të gjithë flasin njëzëri nga jashtë se e kemi mbështetjen por kemi edhe obligime të caktuara të cilat duhet t’i plotësojmë”, tha Sanja Llukarevska, Zëvendëskryetare e LSDM-së.

    Referuar kornizës negociuese, ndryshimet kushtetuese duhet të përfundojnë në muajin nëntor. Kërkesa kryesore është përfshirja e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Franca e Gjermania bëjnë thirrje për zbatimin Marrëveshjes për normalizim

    Lajmi i rradhës

    BE: Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për targat nuk ka afate kohore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë