Ahmeti: S’mund të ia ndalojë veprimtarinë familjes sime! A t’i bëjë ministra e funksionarë?

    “Hip se të vrava, zbrit se të vrava”

    Me automatizëm iu shkaktua problem Drinit, e gjithë kjo zhurmë që u bë“, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në intervistë për TV21 ka komentuar edhe rastin “Soravia”. Ahmeti tha se nipi i tij pas mbarimit të universitetit, e ka kontaktuar për ta pyetur nëse mund të vazhdojë veprimtarinë në biznes, për çka Ahmeti thotë se ende nuk dihet nëse do të ketë sukses, pasi i gjithë aktiviteti bëhet përmes kredive, që sipas Ahmetit, nipi i tij nuk po arrin ta marrë pas “zhurmës” në opinion, përcjell Nistori.

    “Unë nuk e di tani si ka vazhduar Drini me të gjithë ata bashkë bashke investitorë që janë. A do të kenë sukses apo nuk do të kenë, por pa kredi, sepse Drini nuk ka mjete të gatshme, i tërë qarkullimi dihet nëpër banka nëpër kompani. Kompania e vëllait, Ferkiut, ajo nuk mund të investojë dhe të merr përsipër të bëjë ballë”, theksoi Ahmeti.

    Ahmeti tha se personalisht asnjëherë nuk ka dashur që pjesëtarë të familjes së tij të bëhen pjesë e politikës dhe se si rrjedhojë nuk mund të ua ndalojë aktivitetet tjera në profesionet e tyre.

    “Ne Gestapo nuk mund të bëhemi, t’i marrim t’i burgosim. Unë nuk mund të ia ndalojë as Drinit, as Shkumbinit, as Kushtrimit, që këta të mos aktivizohen…ose unë duhet t’i bëjë ministra. Çfarë do të thoni nëse unë i bëj ministra. Çfarë do të thoni nëse i bëjë drejtorë, nëse i bëjë funksionarë, ju thoni nepotizëm, të tjerët do të thonë ja nuk na mundëson neve, ua mundëson të afërmve. Kam ra në hall si thënie e moçme “hip se të vrava, zbrit se të vrava”. Për mua është e rëndësishme të respektohen ligjet, mos të shfrytëzohen paratë e shtetit, nëse vërtetohet se paratë e shtetit janë të shfrytëzuara për biznese private, është shkelje morali”, theksoi Ahmeti.

    A i ka fëmijët milionerë, Ali Ahmeti?

    Ahmeti u është përgjigjigjur akuzave të shumta për veprimtarinë e fëmijëve të tij. Ahmeti tha se vajza e tij po vijon doktoratën në ekonomi në Vjenë, ndërsa për djalin tha se punon si arkitekt për kompani zvicerane.

    “Tash teknologjia ka shkuar shumë larg, përmes dronëve që më bënin mua incizime, sigurisht që përmes dronëve incizohet i gjithë terreni, nga këtu në Zvicër me komunat ku bëhet ndërtimi, është Shkumbini njeriu i parë që komunikojnë me komunën dhe nuk ka asnjë biznes tjetër, sepse po flitet që janë milionera e ashtu”, deklaroi Ahmeti.

    Gazetrai: A janë apo nuk janë? A janë milionerë apo nuk janë?

    “Unë as nuk e kam pyetur Shkumbinin se sa fiton në një projekt. Mund ta pyesni, ose ma mirë e dinë, sepse dje, hiç më larg se dje, ka qenë Drejtori për të Hyra Publike, kanë shpalosur gjithë dokumentacionin. Çka kanë dashur kanë mund të marrin. Djali Shkumbini është transparent, mund të shkojnë kur të duan, kur të doni ju mediumet”, u shpreh Ahmeti.

    Ahmeti tha se vajza Uskana është e martuar për familje nga Gjakova dhe se e njëjta është magjistër në ekonomi.

    “Uskana është magjistër e ekonomisë, ka qenë në proces në Vjenë të doktoratës, i ka të gjitha kategoritë të licencuara në universitetin e Vjenës për gjuhën gjermane. Ka punuar part-time ligjëruese e gjuhës gjermane, jo e ekonomisë, por e gjuhës gjermane, në UEJL. 10 vjet i ka kryer në Zvicër të shkollës. Dy vjet të gjimnazit i ka kryer në Kërçovë. Universitetin e ka kryer në Tetovë. Magjistraturën dhe procesin e doktoratës i ka në Vjenë”, theksoi Ahmeti.

    Për djalin e tij, Shkumbinin, Ahmeti tha se ka pasur tentativa që të punësohet në Zvicër, mirëpo ai ka zgjedhur që të punojë nga Maqedonia e Veriut, për kompanitë e ndërtimit në Zvicër.

    “Shkumbini gjithashtu ka ardhur në klasë të 6 këtu, ka kryer 8 vjeçaren, 4 vjet gjimnazin, ka kryer për arkitekturë në Universitetin e Tetovës, praktikën për arkitekturë e ka kryer në Zvicër, kanë bërë përpjekje, kompania për të cilën ka bërë praktikën, që ta ndali në Zvicër, me rroga të majme. Kanë kërkuar që unë të iu ndihmoj, përmes një lidhje me një kushëri timin që ka ndërmarrje në Zvicër, kompani ndërtimi goxha të madhe, u kam thënë që kam bërë përpjekje por nuk kam mundur dhe kam filluar t’i them Shkumbinit që bën mirë që të hapësh një studio këtu, dhe të punosh për kompani zvicerane nëse ju jeni dakord, dhe kështu ka ndodhur. Secili prind do që fëmijët e tij t’i ketë sa më afër, por jo me imponim, por të jetë në rrugë të suksesshme dhe me bindje. Ka hapur studio, ka qenë mjaft i suksesshëm, akoma punon si arkitekt për kompani zvicerane, kompani ndërtimi”, theksoi Ahmeti.

    “Ndryshimet në Kodin Penal nuk janë amnisti, Kodi Penal ishte fosil i regjimit jugosllav”, Ahmeti flet për takimet me Zaevin dhe Gruevskin

    Ahmeti siguron publikun se ndryshimet e Kodit Penal nuk parashohin amnisti të kriminelëve, por sigurojnë shtet dhe gjyqësor funksional.

    Ai tha se “derisa do ta drejtojë Bashkimin Demokratik për Integrim, mbrojtje dhe amnisti nuk merr askush nëse nuk e ka respektuar Ligjin dhe normat njerëzore”.

    “Kodi Penal nuk është amnisti. Amnistia ka karakter tjetër dhe Kodi Penal, ndryshimet që janë bërë në Kodin Penal është tërësisht çështje tjetër. Kodi Penal të cilin ne e kemi, është fosile e mbetur nga regjimi jugosllav, për të zgjatur hetimet, për të mbajtur njerëzit nën hetime për nga 6, 8 vjet. I gjithë ndryshimi i Kodit Penal është bërë për të pasur një shtet funksional dhe një gjyqësi funksionale, dhe jo ta mbash njeriun 6 vjet nën hetime dhe tani ta lëshosh të pafajshëm… Ne i kemi analizuar të gjitha shtetet se si i kanë normat dhe kodet. Kodin që e kemi ne, nuk e ka asnjë vend i BE-së. Asnjë vend i Bashkimit Evropian dhe nuk është vendosur rastësisht me yll të Evropës”, tha Ahmeti.

    Zbuloi se për këto ndryshime janë bërë me dhjetëra takime mes tij, ish kryeministrave Zoran Zaev dhe Nikolla Gruevski, ndërkaq shprehet i befasuar se pse në fund u tërhoq VMRO-DPMNE-ja e Hristijan Mickoskit.

    “Është një epilog shumë interesant. Fillimisht nuk u pajtua Zoran Zaevi, dhe tani kur u arrit dakordësia me LSDM-në, u tërhoq VMRO-ja, u tërhoq Hristijan Mickoski nga ndryshimet e Kodit Penal dhe kjo ishte befasi e madhe. Janë bërë dhjetëra takime në Klubin e Deputetëve për këtë Kod, për ta ndryshuar dhe për ta përafruar me standardet evropiane. Në ato takime ka pasur grupe të punës. Takimet janë bërë në fshehtësinë më të madhe mes Zoran Zaevit, Nikolla Gruevskit dhe unë. Erdhëm deri te momenti kur u dakorduam të gjithë dhe në fund u tërhoq VMRO-ja”, tha më tej Ahmeti.

    Fronti europian me listë të përbashkët në zgjedhje? Ahmeti: Të gjitha partitë politike shqiptare në një listë, eventualisht edhe LSDM

    BDI-ja është e gatshme për listë të përbashkët zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me të gjitha partitë politike shqiptare, përfshirë këtu edhe Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë. Kështu bëri të ditur lideri i BDI-së, Ali Ahmeti duke thënë se ky është qëllimi edhe i të ashtuquajturit Front europian.

    “Ky front për Europë le t’i bashkojë partitë politike. Unë dua të dal në sipërfaqe gjeneratat e reja. Unë dua që ata të futen në sprovë gjeneratat e reja. Kjo është çështje që duhet të diskutohet dhe nuk është çështje e pakapërcyeshme… Unë jam i gatshëm për një listë me të gjitha partitë politike shqiptare, po secili me autonominë e vetë. Ne jemi të gatshëm të hyjmë edhe me parti maqedonase, në këtë rast LSDM-ja”, tha Ahmeti.

    Ahmeti: Nuk kemi nevojë për më tepër se dy parti

    Ideja e formimit të Fronti europian vjen si rezultat se shqiptarëve “nuk i duhen më shumë se dy parti politike, kështu vlerësoi lideri i BDI-së, u shpreh Ahmeti.

    “E ke për shembull te shqiptarët… Djali i hallës është me një parti, i tezës në një tjetër, i mixhës në një tjetër dhe konfrontohen njerëzit nëpër familje tani”, tha më tej Ahmeti.

    Ai shtoi se kjo do të sillte edhe më shumë mandate në parlament.

    “Sa më shumë mandate që ke, aq më shumë i nderuar do të jesh. Unë dua të jem i nderuar te shqiptarët”, tha Ahmeti.

    Ahmeti: Nuk e ndaj me opinionin se kur, por do të thirret seanca për votimin e ndryshimeve kushtetuese

    “Ndryshimet do të bëhen”. Lideri i integristëve Ali Ahmeti është shprehur i bindur se seanca plenare me pikë të rendit të ditës – ndryshimet kushtetuese do të thirret dhe do të miratohen të njëjtat.

    Në intervistë për TV21 ai nuk zbuloi datën e seancës, pasi siç tha, nuk është për ta ndarë me publikun.

    “Ndryshimet do të bëhen. Ne do të jemi anëtarë fuqiplotë të BE-së, sepse shërbim më të madh të kombit, shqiptar e maqedonas, nuk mund t’i bëjmë sa anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe nuk duhet të shkojmë me dy mendje, sepse po shkove me dy mendje ta kapërcejsh luginën, mbetesh midis lumit. Vendose, merre hapin. Ne jemi në hëz, ne jemi në vrap dhe do t’i kalojmë të gjitha vështirësitë… Seanca e debatit për ndryshimet kushtetuese ka përfunduar dhe do të thirret seanca e radhës. Nuk e publikoj, nuk është për ta ndarë me opinionin datën, por do të thirret dhe në momentin që do të thirret seanca, do të bëhet votimi”, tha Ahmeti. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Dietat me proteina të shumta dhe fertiliteti

    Lajmi i rradhës

    Shtatë motrat nga Shkupi që ushqimet tradicionale i bënë brend

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë