Ajvari luks, një kg speca 1 euro

    Shtrenjtimet e shumta në kohën e fundit kanë prekur edhe tregun e gjelbër. Çmimet e shumicës së pemë perimeve janë shtrenjtuar tepër për xhepin e një konsumatori mesatar. Qytetarët ankohen se për çdo vjet blejnë më pak zarzavate. Thonë se çmimet e larta nuk përballohen, ndërsa me pensionet që i marrin në muaj e kanë të vështirë për të mbijetuar. Sivjet edhe përgatitja e turshive do të jetë në pikëpyetje për shkak të çmimeve të larta të specave prej 50 deri 60 denarë, litrës së vajit prej së paku 80 denarë. S.M, një amvise nga Shkupi, thotë se më parë kanë përgatitur edhe më shumë se 50 kavanoza ajvar, mirëpo tani ose nuk do të përgatisim aspak ose do të përgatisim së paku dhjetë kavanozë.

    “Vetëm për një kavanoz ajvar nevojiten së paku tre deri katër kilogram speca në varësi prej cilësisë , apo 240 denarë e ku mbeti këtu druri, vaji, kavanozat, por edhe mundi dhe koha e harxhuar”, shton ajo.

    Pra ajvari nga shtëpia do të kishte çmimin prej së paku 280 denarë. Në supermarketet mund të blihet edhe ajvar i përgatitur në fabrikat vendore me çmim prej 130 denarë për afër 350 gram dhe mbi 400 denarë për 700 deri 800 gram.

    Nga ana tjetër, shitësit e tezgave arsyetohen se çmimi i blerjes së specit dhe perimeve tjera është i lartë, andaj edhe çmimet e tyre janë të larta. Me specin furnizohemi në mënyra të ndryshme.

    “Nëse shkojmë te fermerët kemi çmim më të ulët, por kemi kosto karburanti sepse duhet ta sjellim specin në Shkup. Nëse e blejmë nga tregun me shumicë në Shkup apo “Kvantashki”, atëherë në fillim speci ka një çmim më të madh. Tani ku mbeten shpenzimet tona për karburantin, për qiranë e tezgave, për sigurimet shëndetësore dhe për rrogën tonë? Megjithatë përsëri, kostot tona janë më të larta, dhe çmimi i specit formohet sipas konkurrencës nga tezgat e tjera dhe tregjet e tjera” , thotë shitësi në Bit Pazar të Shkupit.

    Agronomët thonë se nuk ka sasi të mjaftueshme, nuk ka prodhim, dhe nuk ka kush të prodhojë dhe zor se do të ulet kostoja. Nuk ka domate dhe speca, nuk ka kush të punojë, të rinjtë kanë shkuar jashtë shtetit, të moshuarit janë mbi 60 vjeç, dhe nuk mund të punojnë më. Vitet e kaluara , Strumica e ushqente gjithë Jugosllavinë, por tani nuk ka, nuk ka prodhim të mjaftueshëm dhe do të ketë gjithnjë e më shumë mungesa , dhe mund të na vijë radha që të jemi të varur vetëm nga importi. Fermerët thonë se rritja e çmimeve të pemëve dhe perimeve këtë vit vjen si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe uljes së prodhimit.

    Kryetari i Sindikatës së Fermerëve, Risto Velkov, thotë se çmimet janë të larta për shkak se nuk ka sasi të mjaftueshme dhe si rrjedhojë e motit të keq.

    “Pra, rritja e çmimeve diktohet nga prodhimtaria më e ulët, mungesa e fuqisë punëtore dhe moti i keq. Sivjet për më shumë se 20 për qind kemi ulje të mbjelljes së specave për ajvar, moti ka rralluar kulturat, përderisa një pjesë e vogël e specit është dëmtuar nga shiu dhe breshëri”, thotë Velkov.

    Njëherësh, nga viti në vit prodhimi i këtij speci zvogëlohet ku këtë vit ndikuan edhe temperaturat jashtëzakonisht të larta. Gjithashtu, dëme dhe ulje të rendimentit ka tek ata prodhues që nuk i kanë ujitur në kohë të mbjellat. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Rruga Zhelinë-Jegunoc edhe këtë dimër pa sinjalizim

    Lajmi i rradhës

    LIGJI PËR AMNISTI | Të burgosurit në RMV në pritje të lirisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë