AKADEMIA E MBYLLUR PËR SHQIPTARËT! Çuditë e AShAM-it nuk kanë të sosur

    Refuzimi i kandidaturave të reja dhe të rikandiduarve për anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve në konkursin e radhës ka qenë zhgënjyes jo vetëm për kandidatët, por edhe për akademikët shqiptarë. E mbi të gjitha tregon se institucioni shkencor e ka të vështirë të reformohet e të lërë pas të kaluarën. Kandidati Izet Zeqiri mbeti anëtar me korrespondencë, ndërsa kandidatë si Mirushe Hoxha, Bekim Fetahu, Reshat Ameti…, nuk u pranuan. Zeqiri, i cili që nga viti 2015 është anëtar me korrespondencë në Departamentin e Shkencave Shoqërore – gjatë kësaj periudhe numëron shtatë botime, mbi 100 punime shkencore dhe angazhim në dhjetëra projekte, shkruan gazeta KOHA.

    “Jam i habitur që katër koleget e tjerë maqedonasë u votuan dhe kaluan, kurse unë jo… Në Akademi duhet te votohet shkencërisht, në bazë të kontributit shkencor, e jo personalisht”, ka komentuar shkurt Zeqiri.

    Rezultatet e votimeve janë regresiste për institucionin që duhej të dëshmonte një tjetër kurs, thotë akademiku Abdylmenaf Bexheti.

    “Në Seksionin e Shkencave shoqërore që e drejtoj unë, kandidatja prof. Mirushe Hoxha nga 7 vota maksimale – mori 6 në votimin e fshehtë dhe individualisht. Çuditërisht, në Kuvend – nga gjithsej 33 votues ka marrë vetëm 7 vota, si duket dikush nga njësia që e ka votuar, në Kuvendin zgjedhor nuk e ka votuar. Kursi i këtij votimi dëshmon se animoziteti ndaj shqiptarëve po vazhdon dhe tendenca po bëhet gjithnjë e më negative, edhe pse duhet të ishte e kundërta. Pra, ASHAM-i në këtë pikëpamje shënon regres, përkundër trendeve përmirësuese në shoqëri. Që të jetë çudia edhe më e madhe, edhe anëtari korrespondent nga brenda, prof.Izet Zeqiri, i cili është edhe në pozitën e Sekretarit të Akademisë, edhe pas 5 vitesh nuk kalon në statusin e anëtarit të rregullt!”, thotë për KOHA akademik Bexheti.

    Zhgënjyese ishin edhe rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme, kur pritshmëritë ishin më të mëdha, pasi dukej se brenda Akademisë ishte krijuar klima favorizuese për pranimin e anëtarëve shqiptarë. Por edhe pse kandidaturat e përzgjedhura me kujdes, si ato të Zamir Dikës, Mirushe Hoxhës, Neritan Cekës, e të tjerë ku ishin marrë për bazë arritjet shkencore, kontributin shoqëror që kanë dhënë, jo vetëm në planin nacional, por edhe ndërkombëtar nuk e penguan rizgjimin e krahut radikal të AMSHA për të hedhur poshtë kandidaturat.

    Konkursi i këtij viti u hap në muajin dhjetor të vitit të kaluar për pranimin e anëtarëve të rinj, kur edhe  janë rikandiduar dhe propozuar kandidaturat shqiptare. Ndërsa në fund të muajit mars u shpallën rezultatet e Kuvendit zgjedhor të 20-të të Akademisë, ku u zgjodhën gjithsej pesë anëtarë të rregullt, shtatë me korrespondencë, si edhe katër të jashtëm, që të gjithë maqedonas.

    Anëtar i rregullt i Departamentit të Gjuhësisë dhe Shkencës Letrare u zgjodh Marjan Markoviç, në Departamentin e Shkencave Sociale u zgjodh Dragi Georgiev, ndërsa Aleksandar Dimovski, Sashko Kedev dhe Dimitar Efremov në Departamentin e Shkencave Mjekësore. Anëtar korrespondent i ASHAM-it u zgjodh Veselinka Labroska dhe Liljana Makarijoska në Departamentin e Gjuhësisë dhe Shkencës Letrare, Sasho Cvetkovski në Departamentin e Shkencave Sociale, Diana Plasheska-Karanfilska në Departamentin e Shkencave Mjekësore, Zoran Haxhivelkov në Departamentin e Shkencave Teknike, Valentin Mirçeski në Departamentin e Shkencave Natyrore, Matematikore dhe Bioteknike dhe Venko Andonovski në Departamentin e Artit.

    Në ndërkohë, anëtar i jashtëm i Akademisë u zgjodh Tatjana Vendina në Departamentin e Gjuhësisë dhe Shkencës Letrare, Joseph Gligorov në Departamentin e Shkencave Mjekësore, Natasha Jonovska dhe Pance Naumov në Departamentin e Shkencave Natyrore, Matematikore dhe Bioteknike.

    AMSHA numëron pesë anëtarë shqiptarë, prej të cilëve dy anëtarë të rregullt – Alajdin Abazi (Departamenti i Shkencave Teknike) dhe Abdylmenaf Bexheti (Departamenti i Shkencave Shoqërore). Si anëtar i rregullt prej vitit 2003 ka qenë edhe Luan Starove e deri në vitin 2021 (kur u nda nga jeta), ka qenë zëvendëskryetar i AMSHA . Si anëtar me korrespondencë është Izet Zeqiri (Departamenti i Shkencave Shoqërore (i zgjedhur në vitin 2015 atëherë kur ndryshuan edhe kriteret e aplikimit duke mundësuar opsionin e anëtarëve me korrespondencë, të cilët pas pesë vitesh mund të bëhen anëtarë të rregullt). Dy anëtarë të jashtëm janë edhe Ali Aliu (Departamenti i Arteve) dhe Rexhep Mejdani (Departamenti i Shkencave Teknike). Si anëtar nderi prej disa vitesh është zgjedhur edhe piktori Omer Kaleshi që jeton në Francë dhe Ferid Murati si anëtar (2000) jashtë përbërjes.

    AKADEMIKËT SHQIPTARË

    – Luan Starova: anëtar (nga viti 2003 – 2021) Departamenti i Arteve

    – Ali Aliu: anëtar i jashtëm (viti 2006) Departamenti i Arteve

    – Alajdin Abazi: anëtar i jashtëm (nga viti 2006) Departamenti i Shkencave Teknike

    – Abdylmenaf Bexheti: anëtar (nga viti 2009) Departamenti i Shkencave Shoqërore

    – Izet Zeqiri: anëtar me korrespondencë (nga viti 2015) Departamenti i Shkencave Shoqërore

    – Rexhep Mejdani: anëtar i jashtëm (2015) Departamenti i Shkencave Teknike.

    – Omer Kaleshi: anëtar nderi

    – Ferid Murati: anëtar jashtë përbërjes ( nga viti 2000)

    Lajmi Paraprak

    Një e treta e tokës bujqësore në RMV nuk punohet

    Lajmi i rradhës

    Një fije e hollë e ndan etikën nga media / A duhen dhënë pamjet e masakrave?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë