Një e treta e tokës bujqësore në RMV nuk punohet

    Foto ilustruese

    Lufta në Ukrainë ka krijuar një krizë ushqimore e cila do të ketë ndikim global më shumë se çdo ngjarje tjetër që nga Lufta e Dytë Botërore. Kjo ishte deklarata e Kreut të Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, David Beasley, javën e kaluar. Arsyeja është se shumë nga fermerët ukrainas që prodhojnë një sasi të konsiderueshme të grurit në botë po luftojnë me rusët, ndërsa edhe territori i Ukrainës po bëhet i papërshtatshëm për kultivim, për shkak të bombardimeve. Beasley tha para Këshillit të Sigurimit të OKB-së se çmimet e ushqimeve po arrijnë nivele rekord. Ukraina dhe Rusia prodhojnë 30 për qind të furnizimit me grurë në botë, 20 për qind të misrit dhe deri 80 për qind të vajit të lulediellit.

    Lufta në Ukrainë, dhe çrregullimi i tregjeve në botë ka sjellë ndikim edhe në tregun e rajonit ku po shënohen rritje e çmimeve të miellit, vajit të lule diellit dhe më shumë prodhimeve të tjera ushqimore. Për më tepër ajo ka ritheksuar edhe çështjen e prodhimtarisë sa më të madhe të prodhimeve bujqësore, por edhe ushqimit nga fermerët vendor dhe industria përpunuese në vend. Nga ana tjetër përkundër investimeve të mëdha të shtetit në subvencione dhe mjete të tjera financiare nga programi IPARD, që arrijnë në mbi 100 milionë euro në vit, po rritet importi i ushqimeve që në vitin e kaluar ka arritur shifrën rekord prej 745 milionë euro, karshi importit prej 390 milionë euro.

    Njohësit e sektorit të bujqësisë thonë se prodhimtaria më e madhe e ushqimit në vend, është një problem i vjetër i shtresuar me vite që ngadalë po gjen zgjidhje ku me vite vendit i mungon edhe një pjesë grurit për bukë apo mungon kultura kryesore dhe strategjike bujqësore me afër 100 mijë tonë, për shkak se në vend prodhohen afër 230 mijë tonë grurë. Vlerësohet se çmimet e ulëta grumbulluese, plasmani jo i sigurt, ulja e tokave punuese, mos organizimi i bujqve në kooperativa me çka do të ofrojnë sasi dhe cilësi të kërkuar në treg të prodhimeve të ndryshme, plakja e fuqisë punëtore, parcelat e vogla bujqësore janë vetëm një pjesë e problemeve që mundojnë fermerët, që sivjet janë vështirësuar edhe më tej me rritjen e çmimeve të naftës dhe plehrave artificial si rrjedhojë e luftës në Ukrainë.

    “Ne vazhdimisht theksojmë se duhet të punohet në gjetjen e tregjeve të reja, si dhe ndaj prodhimit të kontraktuar, për shitjen e organizuar, kur një bujk kur do të prodhojë, duhet të jetë i sigurt se sasia e prodhuar do ti blihet me një çmim të arsyeshëm, që do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet. Njëherësh kërkojmë ndryshime edhe në pjesën e subvencioneve që duhet të orientohen drejt zhvillimit dhe fermerëve të vërtetë që realisht edhe jetojnë nga bujqësia”, thotë Biljana Petrovska Mitreska, nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë.

    Sipas saj, shteti duhet të angazhohet sidomos në forcimin e kapaciteteve vendore përpunuese, me qëllim që të krijohet vlerë e shtuar e prodhimeve të Maqedonisë, duke rritur kështu edhe konkurrencën e tyre në tregjet e brendshme dhe të jashtme. Analizat e Odës ekonomike të Maqedonisë, tregojnë se vendi nuk po shfrytëzon potencialet e disponueshme edhe përkundër traditës në këtë sektor si de kushteve të volitshme klimatike me 220 ditë diell në vit. Njëherësh një e treta e tokës bujqësore nuk punohet.

    Subvencionet që filluan të jepen në vitin 2007, nuk kanë dhënë efektet e dëshiruara, dhe në vend të momentit zhvillimor, janë shfrytëzuar si mjet social-politik.

    Njëherësh shtohet se përkrahja përmes subvencioneve ka stabilizuar prodhimtarinë bujqësore, për shkak se në të kundërtën në mungesë të tyre rezultatet e prodhimtarisë bujqësore do të ishin shumë më të pavolitshme. Mirëpo ato duhet të orientohet më shumë ndaj cilësisë dhe sasisë që do të sigurojë edhe shkallë më të lartë të konkurrencës në tregun e liberalizuar.

    Nga atje shtojnë se krijimi i një sektori konkurrues bujqësor-ushqimor kërkon realizimin e më shumë masave siç janë politikat efektive tokësore, financimi dhe ristrukturimi i prodhimtarisë bujqësore në drejtim të prodhimtarisë me tepricë të ardhurash dhe treg efektiv që siguron edhe ambient përkatës dhe shkathtësi sipërmarrëse të fermerëve vendor. Në fund masat duhet të sjellin më shumë prodhime të mbrojtura apo brende vendore origjinale si dhe prodhime të specializuara që se vjen e më shumë kërkohen në treg. Ndryshe, edhe numri i vogël i kooperativave apo organizimi i munguar në forma të organizuara ekonomike që sjell edhe harxhime më të ulëta të prodhimtarisë, prodhimtari të harmonizuar me plan zbatimin e metodave dhe teknologjive moderne, çmime më konkurruese në treg, fitim më të madh, si dhe çmime më të ulëta për blerjen e lëndëve të para, po pengon rritjen më të madhe të prodhimtarisë bujqësore dhe të ushqimit në vend. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Gjonbalaj: Strategjia e Putinit është që të përndjekë popullatën civile dhe të krijohet një kaos ekonomik

    Lajmi i rradhës

    AKADEMIA E MBYLLUR PËR SHQIPTARËT! Çuditë e AShAM-it nuk kanë të sosur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë