Akoma asnjë vendim nga Alternativa

    Partia Alternativa do të vazhdojë debatin e brendshëm lidhur me tërheqjen ose jo, të nënshkrimeve nga nisma e VMRO-DPMNE-së për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë. Një hamendje e tillë e partisë së Afrim Gashit lë të kuptohet se subjekti nuk është i bindur në nënshkrimet e dhëna për shkak të akuzave për mashtrim të mundshëm. Burime brenda partisë thonë se debati i brendshëm do të vazhdojë edhe në organet më të larta të partisë ku edhe mund të pritet qëndrimi përfundimtar, një ditë para seancës për mocion mosbesimi.

    Alternativa akuzon partnerin e koalicionit parazgjedhor, Aleanca për Shqiptarët për mashtrim në grumbullimin e nënshkrimeve. Koordinatori i grupit parlamentare, Skender Rexhepi ditë më parë në një deklaratë tha se marrëveshja për mocion mosbesimi nuk kishte në plan firmat e partisë “E Majta” dhe për këtë arsye, – siç thoshte Rexhepi – nuk do të pranojë që kundër të keqes të bëjë pakt me djallin.

    VMRO-DPMNE-ja doli me propozim të ri duke i ofruar Rexhepit të marrë nismë për mocion, gjë që lë të kuptohet se firmat e mbledhura në 4 listat e tyre, me 61 nënshkrime, janë mes të tjerash edhe për mandatar për shumicë të re, pas votimit të mundshëm të mocionit për mosbesim ndaj pushtetit. Partia e Hristijan Mickoskit ditë më parë nuk shpjegoi qëllimin e listave të nënshkruara, por Rexhepi zbuloi se njëra ndër to është destinuar për të kërkuar mandatin nga Presidenti Stevo Pendarovski, menjëherë pas mosbesimit ose dorëheqjes së kryetarit të Qeverisë. Në këtë situatë, shumica do të kërkonte mandat me votat e VMRO-DPMNE-së, ASH-AAA-së, Lëvizjes Besa dhe dy nënshkrimet e deputetëve të partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev dhe Borisllav Kërmov.

    Ndërsa shumica e re e deklaruar nga lideri i opozitës Mickoski vazhdon të luftojë për numrat, kryeministri Zoran Zaev nuk e ka dorëzuar dorëheqjen e tij në ligjvënës edhe pas ultimatumit të skaduar ditë më parë.

    Sipas Kushtetutës dhe Rregullores për punën e Kuvendit, mocioni i mosbesimit duhet votuar me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, respektivisht 61 vota “pro” rrëzimit të Qeverisë LSDM-BDI. Në rastin e mos kalimit të mocionit, Kushtetuta parashikon që në afat prej 90 ditësh nuk mund të iniciohet mocion tjetër. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nis ndërtimi i hekurudhës së re Tiranë-Durrës

    Lajmi i rradhës

    Hoxha: Do të votojmë për rrëzimin e qeverisë, pastaj mund të flasim edhe me LSDM për hapat e ardhshëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë