Akoma nuk ka vlerësim dhe përgjegjësi për dëmin e shkaktuar në Kuvend

    Dy ditë pas tensioneve në Kuvend dhe dëmtimit të pajisjeve në sallën plenare, nuk flitet më për përgjegjësi për skenat e këtilla që përsëriten nga të zgjedhurit e popullit. LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja akuzojnë njëra-tjetrën për bashkëfajtorë dhe bashkëpunëtorë të partisë së Apasievit. Partia më e madhe në pushtet vetëm thotë se nuk do të tolerojë skena të këtilla.

    “Egërsimi i “Të Majtës” në Kuvend vërtetoi që me “Të Majtën” dhe partnerin e saj të koalicionit DPMNE janë të mundura vetëm incidente, dhunë dhe kaos. Sjellja e Të Majtës dhe DPMNE-së ndaj Kuvendit është sjellje ndaj shtetit, sjellje ndaj qytetarëve”, thonë nga LSDM.

    Partia e Mickoskit, nga ana tjetër, thotë se me ndihmën e partive në pushtet, Apasiev kërkon të fitojë aktualitet.

    “Partneri i koalicionit të LSD-së dhe BDI-së, “E Majta” dhe Dimitar Apasiev e do Hamasin, i përkulet Enver Hoxhës, shkel Rregulloren e Kuvendit dhe hesht për Onkologjinë dhe propozimin francez, si dhe për ligjet e BDI-së për lojërat e fatit. Shfaqja teatrale e së Majtës në Kuvend është një skenar i dakordësuar mes BDI-së dhe LSD-së, për të nxitur konflikte nga të cilat BDI-ja dhe “E Majta” do të fitonin aktualitet”, thonë nga VMRO-DPMNE.

    E Majta kërkon përgjegjësi penale për kreun e Kuvendit dhe shërbimin e arkivit.

    “Për shkeljen e tmerrshme të Kushtetutës dhe ligjeve në vend, “E Majta” do të dorëzojë padi kundër Talat Xhaferit dhe arkivuesve në Kuvend kurse kusht i “Të Majtës” për formimin e çdo qeverie të ardhshme do të jetë procedimi i padive penale dhe përfundimisht burg për kryetarin e tanishëm të Kuvendit”, deklaroi Amar Mexhinoviq, E Majta.

    E majta me mbi 2400 amendamente kishte paralajmëruar bllokimin e miratimit të Rregullores së re të Kuvendit. Sipas tyre, Rregullorja e re mundëson që të gjitha ligjet të kalojnë me procedurë të përshpejtuar pa pasur mundësi për debat thelbësor dhe për bllokim, i jep kompetenca të shtuara kryetarit të Kuvendit, legalizon përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat parlamentare dhe e shndërron Kuvend në organ më burokratik se sa që është aktualisht.

    Incidenti në Kuvend erdhi pasi propozuesi, që është kryetari i Kuvendit, refuzoi pjesën më të madhe të amendamenteve të deputetëve të Së Majtës.

    Rregullorja e re u miratua me 83 vota “për” me mbështetjen e pothuajse të gjitha partive të tjera parlamentare. Ajo është rezultat i dialogut pesëvjeçar Zhan Mone i ndërmjetësuar nga Parlamenti Evropian. Do të hyjë në fuqi nga mandati i përbërjes së ardhshme parlamentare. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Gërkovska: Mungesa e rezultateve, shkaku i kohës

    Lajmi i rradhës

    Ligji i gjuhëve, Inspektorati “vuan” për financa dhe kuadro

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë