Aksidentet e shumta, shkak që “Bllagoja Toska” të bëhet me semaforë!

    Bulevardi “Bllagoja Toska” / Fotografia: Bilall Kasami, Facebook

    Pas shumë reagimeve në lidhje me numrin e madh të aksidenteve që po ndodhin në kryqëzimin e bulevardit “Bllagoja Toska”, dhe rrezikun që u kanoset pjesëmarrësve në trafik, nga Komuna e Tetovës njoftojnë se kanë gjetur zgjidhje. Në udhëkryqin me rrugën e spitalit, do të vendosen semaforë për ta rregulluar trafikun. Këtë e thotë Memet Jonuzi nga komuna e Tetovës.

    Sipas tij kjo është zgjidhja më adekuate për të evituar aksidentet e ardhshme që nuk kanë qenë të rralla nga lëshimi në përdorim i bulevardit “Bllagoja Toska”.

    “Është evidente që ne kemi çdo muaj që njoftohemi nga MPB për të gjitha aksidentet që kanë ndodhur. Është rritur shumë numri i aksidenteve në atë pjesë ku kemi edhe me lëndime të lehta edhe me lëndime të rëndë. Ne si komunë menjëherë kemi marr hapat konkrete dhe me rebalancin e fundit që kaloj në këshill kemi ndarë 3 milionë denarë mjete për atë udhëkryq që do të organizohet me semafor. Njëkohësisht do të porositet edhe projekti për të njëjtën. Vazhdon procedura e njëjtë edhe me projektin edhe me tenderimin që ai udhëkryq të plotësohet me sinjalistikën dhe me semaforë dhe do mendojmë se do të jetë zgjidhja më e mirë se që e kemi tani”, tha Memet Jonuzi , udhëheqës i Sektorit për Veprimtari komunale.

    Nga Komuna thonë se deri në fund të këtij viti, gjegjësisht deri në muajin shtatorë do të vendosën semaforët dhe se procedurat e dokumentacioneve veç se janë në vijim.

    “Nuk besoj se do të zgjatë as 6 muaj, mendoj se ne kemi disa faza. Projektimi është në fazën e fundit. Procedurat e tenderimit janë ata që e dirigjojnë kohën. Gati 30 ditë zgjatë hapja dhe mbyllja deri në kontratën që duhet të ndërtohet. Pas kontratës që mendojmë se brenda një muaji apo Menjëherë mendojmë me zhvillimin e të njëjtës sepse mjetet veç se i kemi të siguruara për këtë vit dhe mendojmë se deri në fund të vitit mund ta kemi edhe në funksion vetë sinjalistikën në atë pjesë të udhëkryqit”, tha Jonuzi.

    Përndryshe, thuajse çdo javë kanë ndodhur së paku një aksident në këtë udhëkryq ndërsa problem në vete ende i pazgjidhur vazhdon të jetë zhvillimi i shpejtësisë në bulevardin e Bllagoja Toskës për të cilën ende nuk ka zgjidhje. Nga komuna thonë se janë të vendosura shenjat e kufizimit dhe të shpejtësisë dhe lusin qytetarët që t’i respektojnë të njëjtat ndërsa thonë se rregullorja e trafikut nuk u lejon që të vendosin pengesa për zhvillimin e shpejtësisë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët në RMV thithin “helm”!

    Lajmi i rradhës

    Lista Serbe para ndryshimeve, një parti e re e serbëve në horizont

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë