Qytetarët në RMV thithin “helm”!

    Maqedonia ndër vite përballet me problemin e ndotjes së ajrit dhe keq menaxhimin e mbeturinave. Kjo ka bërë që vendit tonë, t’i jepet një pasqyrë dhe pamje e keqe për turistët por edhe për shëndetin e qytetarëve në rend të parë. Sipas hulumtimeve të fundit, ndotja e ajrit ndikon në shkaktimin e 17 deri 19 për qind të të gjitha vdekjeve në ato vendbanime ku ajri është më i ndotur. Mirjana Dimovska nga Instituti i Shëndetit Publik kërkon nga Institucionet shtetërore që urgjentisht të marrin masa pasi popullata tashmë një kohë të gjatë është e ekspozuar ndaj ajrit të ndotur.

    “Në të gjitha vendet që ka përqendrime më të larta të substancave ndotëse tregohet me përqindje se prej të gjitha rasteve të vdekjes, për shembull 17- 19 përqind i njerëzve që kanë vdekur, kanë vdekur nga ajri i ndotur. Thash se trendi ka filluar të bie pasiqë binte substanca ndotëse. Megjithatë, me paraqitjen e Covidit, numri prej 3400- 3600 i rasteve të vdekjeve nga gjithsej 20 mijë që i kishim në nivel vjetor, tashmë është rritur në 4100- 4200 pas paraqitjes së Covidit. Pra 17-19 përqind e njerëzve që kanë vdekur, nuk duhej të vdisnin me patjetër, por ja kanë vdekur sepse nuk kemi masa afatgjate sistematike dhe konsistente“, deklaroi Mirjana Dimovska, Instituti i Shëndetit Publik.

    “Jo vetëm vdekjet shkaktohen nga ndotja e ajrit, por edhe sëmundja e kancerit si dhe shumë problematika tjera si aborti dhe infertiliteti”, thotë për gazetën KOHA, Arianit Xhaferi – kryetari i Eco-Guerilla. 

    “Të dhënat e fundit nga ISHP nuk janë aspak befasuese, për vetë faktin që kjo gjë është ditur edhe më parë. Ndotja e ajrit vret dhe i kushton vendin tonë qindra miliona euro çdo vit. Problematik mbetet fakti që autoritetet tona (qeveria, por edhe komunat) shumë pak brengosen për këtë gjë, dhe aq më pak brengosen për shëndetin e qytetarëve. Nuk janë vetëm vdekjet që janë në këtë shkallë kaq të lartë nga ndotja e ajrit, por poashtu edhe rastet e reja me kancer, abortet, shkalla e lartë e infertilitetit, shkalla e lartë e të sëmurëve tek gjeneratat më të vjetra por edhe tek fëmijët, e shumë probleme tjera shkaktohen nga ndotja e ajrit. Sidoqoftë, mosinteresimi i qeverisë për ta zgjidhur këtë problem është shkaktari numër një i këtyre problemeve”, tha Xhaferi.

    Xhaferi gjithashtu tha se nga buxheti i përgjithshëm sivjet vetëm 0.7 për qind është ndarë për Ministrinë e Mjedisit, për dallim nga viti i kaluar që ishte 1.3 për qind.

    “Diçka më pak se 16 milionë euro është buxheti i vitit 2023 për Ministrisë e Mjedisit, që paraqet 0.7% të buxhetit të përgjithshëm. Në vitin 2022, 1.3% e buxhetit të përgjithshëm është ndarë për Ministrinë e Mjedisit Jetësor, pra kemi pothuajse përgjysmim të buxhetit nga ana e qeverisë për dikasterin që duhet të udhëheqë luftën ndaj ndotjes. Maqedonia e Veriut e ka ndotjen e ajrit njërën nga problematikat më të rëndësishme, ndërkohë që në “kulaçin” buxhetor e ka absolutisht në vend të fundit”, shtoi ai.

    Lajmi Paraprak

    Kosova dhe Serbia këmbejnë akuza për sulmin në Banjskë

    Lajmi i rradhës

    Aksidentet e shumta, shkak që “Bllagoja Toska” të bëhet me semaforë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë