Aksion i Prokurorisë Speciale në Veri të Kosovës, arrestohen 9 persona të dyshuar për krime lufte

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar nëntë persona mëngjesin e sotëm (27.09.2026) në Zubin Potok, si të dyshuar për krime lufte në rastin e njihur si “Grupi i intelektualëve”.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, aksioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, mbështetur nga njësitet e tjera të specializuara.

    “Opercioni policor ndërlidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”, ndërsa për detaje të mëtejshme lidhur me operacionin dhe veprimet e ndërmarra, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës do ta informojnë publikun në momentin kur informacioni mund të bëhet publik” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Gjatë gërmimeve të autoriteteve kosovare gjatë muajit gusht në fshatin Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se i përkasin të paktën 23 personave. Procesi i gërmimeve në dy fshatrat e Zubin-Potokut ka nisur më 28.07.2026 dhe ka zgjatur katër javë. Lidhur me këtë rast kanë qenë duke u hetuar tre persona nën dyshimin për “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të cilët ndodhen nën masën e paraburgimit.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një njoftimi me 20.09.2026, tha se janë identifikuar tri viktima nga raportet e ADN-ve. Sipas tij, tashmë, personat përgjegjës kanë njoftuar familjet.

    Në ditët në vazhdim, sipas kryeministrit Kurti, priten edhe raporte të tjera të ADN-së për t’i identifikuar viktimat e tjera nga varrezat në Zubin Potok.

    Sipas tij, viktimat e identifikuara janë nga grupi i njohur si “Grupi i Intelektualëve”.

    Aktualisht në Kosovë konsiderohen të zhdukur edhe rreth 1 mijë e 560 persona nga lufta e fundit në Kosovë.

    Së fundmi, shteti i Kosovës ka bërë një hap të rëndësishëm për dokumentimin e krimeve të luftës. Kjo pasi që Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), ka publikuar një raport preliminuar për numrin e viktimave të luftës së fundit.

    Sipas këtij raporti preliminar, janë të paktën 13 mijë e 227 njerëz që janë vrarë, zhdukur me dhunë ose kanë vdekur si pasojë e luftës, nga peridudha 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

    Publikimi i kësaj liste shënon fazën e parë të databazës institucionale të IKKL-së, e ndërtuar për të dokumentuar me saktësi pasojat njerëzore të luftës dhe për të shërbyer si një burim i besueshëm për institucionet dhe studiuesit. /Kallxo/

    Lajmi Paraprak

    Kush po e ndërton Vodnon? Banorët kundër Planit të Detajuar Urbanistik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë