Aktivistët e mjedisit: Autoritetet të marrin hapa më radikalë në luftën kundër ndotjes së ajrit

    Fotografia: Emir H

    Edhe në dëborë u zgjuam në ajër të ndotur. Stacionet matëse matën nivele të larta të ndotjes mëngjesin e sotëm, të cilat u ulën gjatë ditës për shkak të erës, shkruan Alsat.

    OJQ-të paralajmërojnë autoritetet që të ndërmarrin hapa më seriozë dhe radikalë në luftën kundër ndotjes së ajrit. Masat e deritanishme nuk japin rezultate.

    “Duhen investuar më shumë para në modernizimin e industrisë. Ky është hap më afatgjatë, por duhet të fillojmë diku dhe tashmë jemi dhjetë vjet me vonesë. Trafiku gjithashtu duhet të rregullohet. Të kemi transport publik sa më efikas, më të gjelbër në të gjitha qytetet e vendit”, deklaroi Arianit Xhaferi, Ekogerilla.

    Sipas Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, Maqedonia duhet të bëjë shumë ndryshime për të eliminuar ndotjen e ajrit. Një prej tyre është instalimi i burimeve të rinovueshme të energjisë.

    “Kjo është e vetmja mënyrë që duhet të fokusohemi. Ne duhet të forcojmë dhe përshpejtojmë qasjen tonë dhe t’i ndryshojmë burimet e energjisë – nga lëndët djegëse fosile te burimet e rinovueshme”, u shpreh Shtefen Hudolin, Shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së.

    Organizatorët e konferencës, ku diskutuan nevojën për të punuar së bashku për të arritur një mjedis më të shëndetshëm, thanë se papërgjegjshmëria për ndotjen duhet të marrë fund.

    “Nëse nuk ka dënim, do të thotë që mund të bësh çfarë të duash dhe si të duash. Atëherë fitimi është shumë më i madh. Fatkeqësisht, kjo praktikë duhet të ndalojë menjëherë. Nuk i kuptoj ata që ndotin. Ata thithin të njëjtin ajër, nuk ka kapsulë të veçantë për ata njerëz”, theksoi Zhaneta Trajkovska, Instituti për Studime të Komunikimit.

    Në fushatën zgjedhore, ndotja është një çështje madhore. Por, kur kjo çështje duhet të zgjidhet, u tha në konferencë, qytetarët të vetmin shpëtim nga ajri helmues e shohin në kushtet atmosferike, gjegjësisht erën. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Shkëmbi 20 tonë mund të bie në Matkë, rrezikohet elektrana

    Lajmi i rradhës

    Nuk është e vërtetë se vaksinat kundër Covid-19 dëmtojnë sistemin imunitar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë