AKUZAT DHE KUNDËRAKUZAT / Nishanet e VMRO-së dhe BDI-së!

    As ditëve të kaluara e as dje nuk kanë ndaluar përplasjet e ashpra mes VMRO-DPMNE-së opozitare dhe BDI-së në pushtet. Nga partia e Mickoskit akuzojnë kreun e BDI-së, Ali Ahmetin se familjarë të ngushtë të tij janë të lidhur ngushtë me biznese milionëshe bashkë me Qeverinë.

    “Kur opinioni mendon se është arritur fundi, në raport me aktivitetet kriminale të BDI-së, atëherë këtu është familja e Ali Ahmetit, me afera të reja, ku vidhen paratë e popullit.. Në dokumentet që kanë arritur në VMRO-DPMNE, thuhet se ‘Tor Industries’, me pronar Drin Ahmetin, është themeluar në vitin 2020 për të marrë pjesë në projektet e mëdha ndërtimore të planifikuara nga qeveria në Maqedoni. ‘Tor Industries’, së bashku me një kompani tjetër nga klani i Zajaz, është përfshirë në ndërtimin e korridorit 8, dhe kontrata mes dy kompanive është 1.3 milion euro për gërmime dhe punime të tjera ndërtimore”, thonë nga VMRO-DPMNE.

    Nga kjo parti mes tjerash thonë se përveç Korridorit 8, në ndërtimin e rrugës nga Kërçova deri në Dibër, konkretisht në pjesën “Izvor – Garski Most”, është e përfshirë edhe kompania e nipit të Ali Ahmetit, Drin Ahmetit, “Tor Industries”.

    “Njësoj si në Korridorin 8, nipi i Ali Ahmetit është i përfshirë me një kompani tjetër nga klani Zajaz dhe në këtë pjesë, sipas dokumenteve të dorëzuara tek ne, fondet që duhet të kapin janë nga 6 deri në 9 milionë euro. Në të gjitha këto situata vetëm familjarët e afërt të Ali Ahmetit kultivojnë shpirtin sipërmarrës. Padyshim që gjithmonë në prapavijë, nga këto biznese të zeza është vetë Ali Ahmeti, i cili jep amin, e njëkohësisht përdor nipërit dhe djalin e tij, për t’u pasuruar edhe më shumë në kurrizin e qytetarëve”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

    Nga ana tjetër BDI i bën thirrje partisë së Mickoskit por dhe gjithë partive tjera që të ngrenë iniciativë në Prokurori për të hetuar gjithë zyrtarët e kësaj partie.  

    “VMRO DPMNE-ja opozitare tashmë me vite është shndërruar në fabrikë lajmesh të rrejshme dhe propagandë që i ngjason asaj të Gebelsit, ku krijojnë një çështje inekzistente dhe e përsërisin derisa edhe ata vetë fillojnë ta besojnë. Lajme të rrejshme për gjuhën shqipe, lajme të rrejshme për migrantët, për marrëveshjen e Prespës, për bullgarizim, për inflacionin, për Korridorin 8, për krizën energjetike, për pandeminë, për Danella Arsovskën, për gjoja korrupsion, si dhe shumë tema të tjera. Përveç lajmeve të rrejshme, VMRO-ja paralajmëroi qartë dhe zëshëm se i injoron të gjitha këshillat dhe përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për vazhdimin e rrugës europiane të vendit tonë. VMRO DPMNE planifikon të izolojë vendin dhe të kthejë shtetin e kapur. Bashkimi Demokratik për Integrim u bën thirrje të gjitha partive politike që të nënshkruajnë një iniciativë pranë Prokurorisë Publike, si dhe institucioneve ndërkombëtare për hetim të plotë të të gjithë zyrtarëve tanë, pushtet dhe opozitë, në 20 vitet e fundit, si dhe të mbështesin vetting të plotë në politikë, gjyqësor dhe prokurori”, thonë nga BDI.

    Ndërkaq, disa nga njohësit e proceseve politike në vend, këto akuza i shohin si të natyrshme sepse BDI gjatë gjithë kohës është në pushtet. 

    “Kjo është praktikë standarde mes partive opozitare dhe BDI-së pasi ato janë rregullisht në pushtet. Kurse në të kaluarën, po ta shikoni LSDM-në, kur ishte në opozitë, i bënte akuza BDI-së. Edhe në ‘bombat’ popullore hodhën akuza të rënda, ndaj tani janë bashkë në pushtet. Kështu do të jetë edhe tani, edhe pse akuzat për raportin BDI-VMRO janë intensifikuar, megjithatë sipas të gjitha anketave koalicioni mes tyre pas zgjedhjeve të ardhshme është i pashmangshëm”, ka deklaruar për KOHA, Dimitar Hristov, politolog.

    Nga ana tjetër, analisti politik Qenan Aliu thotë se akuzat e fundit janë në frymë të politikave ditore si nga opozita ashtu edhe nga pushteti.

    “Ka të ngjarë skena politike në vend të pësoj një detronizim politik si pasojë e nevojës së domosdoshme të procedimit  të ndryshimeve kushtetuese si ‘condicio sine qua non’, për procesin e integrimit në BE. Edhe akuzat e ditëve të fundit janë frymë të politikave ditore si nga opozita ashtu edhe nga pozita. Por jo vetëm se ndihet erë e zgjedhjeve por kur jemi te krimi i organizuar dhe korrupsioni, duhet të kemi parasysh paradigmën e kohëve të fundit të politikës amerikane. Se të gjithë pasuritë gallopante të ‘jakave të bardha’ do të vihen nën hetim serioz dhe se prokuroritë do të jenë të detyruara të aktivizojnë me tempo të shpejtuar të gjitha lëndët të mbajtura nëpër sirtarë. Tani veç më është botërisht e njohur se i gjithë biznesi nga paratë publike në RMV gati dy dekada qarkullon përmes kompanive të njëzet familjeve të shpërndara në formë merimange në tregun e vendit falë njerëzve të tyre me pushtet të fuqishëm. Ka fundi i muajt do të mund të deshifrojmë se a do të jenë të pashmangshme zgjedhjet e parakohshme në tetor apo nëntor. Deri atëherë presim e shohim”, ka deklaruar për KOHA, Qenan Aliu, analist. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Në Maqedoni mungojnë molerët, elektricistët, hidraulikët

    Lajmi i rradhës

    Gjykata Kushtetuese pezullon certifikatat e lindjes me përkatësi etnike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë