Aleksandar Vulin futet në listën e sanksioneve amerikane

    Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, është futur në listën e sanksioneve amerikane.

    Sot, Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) sanksionoi një individ në Serbi në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv (E.O.) 14033.

    Me këtë, SHBA-ja nënvizon se do të mbajë përgjegjës të gjithë ata që janë të angazhuar në afera të korrupsionit dhe që dërgojnë përpara agjendat e tyre politike dhe interesat personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Këto marrëveshje korruptive lehtësojnë aktivitetet malinje ruse në Serbi dhe rajon, shkruan në raport.

    “Thesari nuk do të hezitojë të synojë akterët që abuzojnë me pozitat e tyre për përfitime personale duke minuar qeverisjen efektive dhe demokratike në Ballkanin Perëndimor”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson.

    “Veprimi i sotëm mban përgjegjës Aleksander Vulin për aktet korruptive dhe destabilizuese që kanë lehtësuar gjithashtu aktivitetet keqdashëse të Rusisë në rajon”, deklaroi ai.

    Sipas njoftimit të Thesarit, Vulin është përfshirë në krim të organizuar transatlantik, në operacionet joligjore narkotike dhe në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    “Vulin ka mbajtur raporte që kanë pasur përfitim reciprok me trafikantin e armëve, Sllobodan Teshiq, duke mundësuar që dërgesat me armë të tij të mund të lëvizin lirshëm përtej kufijve të Serbisë”, u tha në njoftim.

    Teshiq është në listën e zezë amerikane që nga viti 2017.

    Veprimet e Vulinit kanë avancuar korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse të Serbisë. “Këto akte përfshijnë shfrytëzimin e autoritetit për përfitime personale, duke përfshirë përfshirjen në një rrjet të trafikut të drogës. Ai ka përdorur pozicionet publike për të mbështetur Rusinë, duke lehtësuar aktivitetet keqdashëse të Rusisë që degradojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe duke i ofruar Rusisë një platformë për të dërguar më tej ndikimin e saj në rajon. Vulin është drejtor i Agjencisë Informative të Sigurisë së Serbisë, dhe më parë ka shërbyer si Ministër i Mbrojtjes dhe Ministër i Brendshëm. Këto institucione nuk janë objektivi i këtyre sanksioneve”.

    “OFAC po cakton Vulin në përputhje me E.O. 14033 për të qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në, ose për t’u përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, korrupsionin në lidhje me Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur ndryshe me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, ose një zyrtar aktual ose ish-qeveritar në çdo nivel të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, të tilla si shpërdorimi i aseteve publike, shpronësimi i aseteve private për përfitime personale ose qëllime politike, ose ryshfet”, thuhet në njoftim.

    Lajmi Paraprak

    Osmani: Jemi vendi me stazh më të madh në rajon në lidhje me procesin europian

    Lajmi i rradhës

    Dyshime për 30 vepra penale ndaj Ramiz Merkos / Lloga: Është mirë të reflektojë dhe të marrë pasojat politike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë