Gjërat kryesore që duhet të dini sot rreth luftës në Ukrainë

    Associated Press

    Trupat ruse të dielën, më 20 mars, intensifikuan bombardimet e tyre ndaj qytetit të Mariupolit. Zyrtarët ukrainas thanë se një sulm shkatërroi një shkollë të artit, e cila ishte përdorur për strehimin e qindra civilëve.

    Mariupoli vazhdon të jetë skenë e disa prej tmerreve më të mëdha të luftës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të dielën e akuzoi Rusinë për krime lufte gjatë rrethimit të këtij qyteti, duke e përshkruar sulmin ndaj Mariupolit si “një terror që do të mbahet mend për shekujt me radhë”. Në fjalimin e tij drejtuar kombit, Zelensky tha se Ukraina është e interesuar për paqen dhe se bisedimet e vazhdueshme me Rusinë janë “të nevojshme”.

    Papa Françesku denoncoi të dielën “luftën e neveritshme” të Rusisë kundër Ukrainës dhe e përshkroi si “sakrilegj jonjerëzor dhe mizor”.

    Më poshtë mund të mësoni disa prej gjërave kryesore rreth konfliktit:

    Çfarë po ndodh në Mariupol?

    Mariupol, qytet-port strategjik në Detin Azov, është i rrethuar nga trupat ruse, i është shkëputur furnizimi me energji, ushqim dhe ujë dhe ky qytet në jug të Ukrainës është përballur me bombardime të pamëshirshme.

    Qyteti është izoluar që në ditët e para të pushtimit të presidentit rus, Vladimir Putin në Ukrainë, i nisur më 24 shkurt. Civilët janë të zhvendosur në strehimore, kurse organizatat humanitare thonë se qyteti përballet me një krizë humanitare. Forcat ruse po ashtu kanë ndërprerë qasjen e qytetit në Detin Azov.

    Një këshilltar i presidentit të Ukrainës tha se nuk kishte ndihmë të menjëhershme ushtarake për Mariupolin, duke thënë se forcat më të afërta ishin duke u ballafaquar me forcat ruse, të paktën 100 kilometra më larg. Beteja të ashpra po vazhdojnë rreth fabrikës së çelikut Azovstal, një nga më të mëdha në Evropë.

    Një njësi e forcave speciale të Gardës Kombëtare të Ukrainës tha se katër anije të marinës ruse granatuan portin e Detit Azov të dielën, si pjesë e përpjekjeve të ushtrisë ruse për të “shkatërruar në mënyrë cinike qytetin ukrainas, duke përdorur të gjithë arsenalin që kanë në dispozicion”. Nuk ka të dhëna të menjëhershme për viktima nga ky sulm.

    Në një deklaratë, këshilli i qytetit të Mariupolit tha se ushtarët rusë kanë detyruar disa mijëra banorë, kryesisht gra dhe fëmijë, të largohen dhe të zhvendosen në Rusi. Nuk është thënë se ku në Rusi janë dërguar dhe AP nuk mundi ta konfirmojë menjëherë këtë pretendim.

    Këshilli i qytetit tha të dielën se afër 40,000 njerëz kanë përdorur automjetet e tyre për të ikur nga qyteti përmes një korridori humanitar gjatë javës së kaluar – gati 10 për qind e popullsisë së qytetit prej 430,000 banorësh.

    Sulmi mbi shkollën e artit

    Pas këtij sulmi u dhanë detaje të pakta, por autoritetet ukrainase thanë të dielën se ushtria ruse bombardoi një shkollë arti në Mariupol, ku ishin strehuar rreth 400 njerëz. Associated Press nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur këtë lajm.

    Autoritetet lokale thanë se ndërtesa e Shkollës së Artit nr. 12 u shkatërrua dhe njerëzit mund të jenë të bllokuar nën rrënoja. Ende nuk është dhënë ndonjë njoftim lidhur me viktimat e mundshme nga ky sulm.

    Forcat ruse të mërkurën bombarduan gjithashtu një teatër në Mariupol ku ishin strehuar civilët. Autoritetet thanë se 130 persona u shpëtuan nga Teatri i Dramës, por shumë të tjerë mund të jenë ende nën rrënoja.

    Çfarë po ndodh në qytete të tjera të Ukrainës?

    Në Mikolaiv, që gjendet në Detin e Zi, pas një sulmi me raketa të premten në një kazermë të marinës u vranë të paktën 40 ushtarë rus, tha kryetari i qytetit, Oleksandr Senkevich.

    Autoritetet në qytetin lindor të Harkivit thanë se të paktën pesë civilë u vranë në bombardimet e fundit të Rusisë dhe në mesin e viktimave ishte edhe një djalë nëntëvjeçar. Harkiv ka qenë i rrethuar që nga fillimi i pushtimit rus dhe ky qytet është përballur me sulme të pamëshirshme nga forcat ruse.

    Rreth 70 fëmijë jetimë u evakuuan nga Sumi, një tjetër qytet të rrethuar ukrainas që gjendet në verilindje. Guvernatori rajonal tha se shumica e fëmijëve kishin nevojë për përkujdesje të vazhdueshme mjekësore dhe shtoi se ata do të dërgohen në një shtet të huaj, por nuk tregoi se për cilin shtet bëhet fjalë.

    Rreth Kievit, periferitë veriperëndimore të Buças, Hostomelit, Irpinit dhe Moshçunit, pati luftime të shtunën, tha administrata rajonale e Kievit. Po ashtu është thënë se Slavutiçi, 165 kilometra në veri të kryeqytetit ukrainas, është “plotësisht i izoluar”.

    Më shumë se 6,000 njerëz mundën të evakuohen përmes përgjatë tetë nga dhjetë korridoret humanitare të shtunën, tha zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk. Në këtë shifër u përfshin 4,128 persona nga Mariupoli, të cilët u dërguan në qytetin juglindor të Zaporizhjas.

    A ka zhvillime të reja ushtarake?

    Ushtria ruse raportoi të dielën se ka kryer një seri sulmesh të reja ndaj objekteve ushtarake ukrainase me raketa hipersonike dhe raketa lundruese, pasi më 19 mars, për herë të parë Moska njoftoi se ka përdorur një raketë të re hipersonike në luftimet në Ukrainë.

    Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjeneralmajor Igor Konashenkov, tha se raketa hipersonike Kinzhal goditi një depo karburanti ukrainas në Kostiantinivka pranë Mikolaivit. Sulmi shënoi ditën e dytë radhazi që Rusia përdori Kinzhal, një armë që është e aftë të godasë objektiva 2,000 kilometra larg, me një shpejtësi dhjetë herë më të madhe se shpejtësia e zërit.

    Ku po ikin refugjatët ukrainas?

    Mijëra refugjatë nga Ukraina kanë pritur në radhë të gjata në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, për t’u pajisur me dokumente lokale të identifikimit që do t’iu mundësojnë atyre të mund të lëvizin lirshëm.

    Refugjatët filluan të prisnin pranë Stadiumit Kombëtar të Varshavës brenda natës për të marrë dokumente që do t’iu mundësojnë atyre që të punojnë, të shkojnë në shkollë dhe të marrin kujdes mjekësor ose përfitime sociale për 18 muajt e ardhshëm.

    Polonia ka pranuar më shumë se 2 milionë refugjatë nga Ukraina – pjesën më të madhe të më shumë se 3.3 milionë njerëzve që OKB-ja thotë se janë larguar qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Qindra-mijëra refugjatë kanë shkuar në Hungari, Sllovaki, Moldavi dhe Rumani.

    Sa civilë kanë vdekur në Ukrainë?

    Kjo është e vështirë të konfirmohet teksa vazhdon lufta. Nga fillimi i luftës deri në mesnatën e 19 marsit, Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) regjistroi 902 civilë të vrarë dhe 1,459 të plagosur.

    Zyrtarët ukrainas thonë se mijëra civilë janë vrarë.

    Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës raportoi të shtunën se 112 fëmijë janë vrarë që nga fillimi i luftimeve. Më shumë se 140 fëmijë janë plagosur.

    Lajmi Paraprak

    Biçikleta në vend të makinave | Qytetarët mendojnë si të kursejnë në kohë krize

    Lajmi i rradhës

    Hirra është kura e duhur shëruese për mëlçinë dhe pastrimin e gjakut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë