Mos marrja e datës e çon vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare

    Gazetar | Adrian Kerimi

    Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme në pranverë, në rast se vendi më dhjetor edhe njëherë dështon të merr datë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Partia më e madhe opozitare vlerëson se Qeveria LSDM-BDI është delegjitimuar në zgjedhjet lokale, ndërsa dështimi për datë me BE-në do të fuste vendin në krizë edhe më të thellë. Sipas tyre, LSDM-ja do të gjendet vetë para aktit që të kërkon zgjedhje parlamentare.

    “Vetë  LSDM -ja do të kërkojë zgjedhje të parakohshme sa më shpejt që është e mundur. Mendoj se kjo mund të ndodhë në këtë pranverë. Duke i pasur parasysh afatet minimale kushtetuese, ata mund të mbahen në pranverë”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja për Nistori.

    Partia më e madhe opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët vlerëson se brishtësia e shumicës parlamentare dhe dështimi për negociata me BE-në nuk do mend që obligon vendin të shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas tyre, shumica aktuale ka dështuar në çdo segment, ndërsa shmangja nga zgjedhjet do të thellon edhe më tepër krizën politike.

    “Kjo shumicë është produkt i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, rezultati i së cilave me dyshime të bazuara në fakte që ishin zgjedhjet ndër më të manipuluarat në RMV që nga pavarësia. Përveç kësaj, dështimet e njëpasnjëshme në të gjithë segmentet, korrupsioni, dështimi në marrjen e datës dhe situata e fundit e krijuar me brishtësinë e numrave të shumicës determinojnë zgjedhje të parakohshme si rrugë e vetme për të dalë nga kriza politike dhe institucionale”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët për Nistori.

    Por shumica vlerëson ndryshe. LSDM-ja duke u thirrur në negociatat me Alternativën paralajmëron shumicë të zgjeruar parlamentare së shpejti, duke shtuar se përcaktim parësor i Qeverisë mbetet marrja e datës për negociata me BE-në.

    “Për momentin nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme, por për marrje të përgjegjësisë mbi proceset serioze para të cilëve ndodhet shteti dhe shoqëria jonë. Në këtë drejtim janë edhe tentativat për stabilizimin dhe zgjerimin e shumicës parlamentare, gjë që do të ndodh në periudhën e ardhshme. Shumica parlamentare stabile e udhëhequr nga LSDM-ja do të ballafaqohet me të gjitha sfidat, posaçërisht me krizën shëndetësore, energjetike dhe proceset integruese në BE”, thonë nga LSDM-ja për Nistori.

    BDI është kundër Qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Partia e Ali Ahmetit tashmë disa herë ka potencuar faktin se shumica aktuale duhet ta çon mandatin deri në fund, ndërsa për zgjedhje të parakohshme parlamentare mund të mendohet në maj të vitit 2024 bashkë me zgjedhjet presidenciale.

    “Jo assesi nuk vjen në shprehje një gjë e tillë. Çdo parti politike me aspirata integruese është e mirëseardhur në Qeveri”, thonë nga BDI-ja për Nistori.

    Alternativa e cila aktualisht është në negociata për t’u bërë pjesë e Qeverisë u fut në procesin e bisedimeve me bindjen se për momentin vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe se për tejkalimin e krizës politike, shëndetësore, ekonomike dhe energjetike vendit i nevojitet Qeveri dhe shumicë parlamentare stabile. Shumica aktuale parlamentare u gjet në krizë politike pas zgjedhjeve lokale nga të cilat LSDM-ja humbi në të gjitha bastionet historike, përveç Strumicës, ndërsa në bllokun politik shqiptar BDI-ja humbi Gostivarin dhe Tetovën, dy komunat më të mëdha në rajonin e Pollogut apo i njohur si njësia zgjedhore numër 6 në të cilët zhvillohet beteja më e madhe politike në kampin shqiptar.

    Në rast se partitë politike pajtohen për zgjedhje të parakohshme parlamentare, sipas Ligjit për Qeverinë dhe Kodit Zgjedhor, 100 ditë para zgjedhjeve formohet Qeveri teknike me dy ministra teknik nga radhët e opozitës dhe katër zëvendësministra plotësues me nënshkrime të lidhura, ndërsa kryeministri jep dorëheqje dhe zëvendësohet me kryetar tjetër të Qeverisë nga po e njëjta shumicë parlamentare. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    LSDM: Në VMRO-DPMNE është kthyer thelbi i regjimit të Gruevskit, Zoran Stavreski

    Lajmi i rradhës

    Bekteshi: Alternativa ndan vlera të njëjta me BDI-në

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë