Alternativa: qeveria të gjejë zgjidhje për aplikimin e dokumenteve personale të mërgimtarëve

    Alternativa ka reaguar në lidhje me maltretimet që u bëhen mërgimtarëve gjatë aplikimit të dokumenteve personale. Ata thonë se mërgimtarët janë arterie e rëndësishme e ekonomisë së Maqedonisë dhe se janë shpëtimtarë të qenies kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përcjell Nistori.

    “Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Banka Popullore, hyrjet neto nga remitancat e mërgimtarëve në periudhën janar-shtator 2023 arrijnë mbi 1,5 miliardë euro dhe janë më të larta për rreth 6.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këtu nuk hyn periudha e tremujorit të fundit të vitit. Kjo i bie se gjatë vitit të kaluar remitancat arritën afër dy miliardë euro (ose rreth 15 për qind e GDP-së). Dhe, “të shpërblehen” këta njerëz në këtë mënyrë, kjo nuk është vetëm nënçmim, por edhe mosmirënjohje ndaj kësaj kategorie të qytetarëve tanë. Është ironike qasja e institucioneve të shtetit ndaj tyre, pritjeve të mëdha në kufi, detyrimit për t`i ndërruar dokumentet, si dhe një sërë të drejtash që atyre u takojnë”, thuhet në reagimin e Alternativës.

    Ata kujtojnë se gjatë kohës kur kjo parti ishte në Qeveri, përmes Ministrisë së Diasporës dhe ministrit të saj, Xhemail Cupi, propozuan hapjen e Qendrave të Diasporës, pikërisht për ndryshimin e qasjes së institucioneve të shtetit ndaj tyre.

    “Kjo sigurisht do të vazhdonte sikur mos të ishte ndërhyrja për largimin tonë nga qeveria, me çka u shua edhe Ministria e Diasporës. Sidoqoftë, ne i bëjmë thirrje Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të marrë masa dhe të krijojë kushte që ky problem të zgjidhet dhe mërgimtarët tanë të mos e kalojnë pushimin duke pritur nëpër sportelet e MPB-së, por të kalojnë sa më shumë kohë me familjet e tyre. Mërgimtarët tanë e meritojnë mirënjohje tonë”, thuhet më tej në reagimin e Alternativës.

    Lajmi Paraprak

    Nga i ka blerë mjetet piroteknike nipi i Ali Ahmetit?

    Lajmi i rradhës

    Anëtarët e BDI-së sulmuan punonjësit e kontrolleve të fluturimeve, për shkak se mbështetën sindikatën kundër punësimit të partisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë