Alternativa – Tetovë: 100 ditët e Bilall Kasamit janë 100 mashtrime të reja për Tetovën

    Partia Alternativa sot ka reaguar pas kalimit të 100 ditëve të para të punës së Bilall Kasamit si kryetar i Komunës së Tetovës. Nga kjo parti thonë se Kasami nuk ka realizuar shumicën e 31 premtimeve për të cilat u betua se do t’i realizojë gjatë fushatës zgjedhore.

    “Siç mund ta shihni, dita e mirë shihet në mëngjes. Kanë kaluar vetëm 100 ditë që Bilall Kasami të mos i mbajë plot 13 premitme. Të mos jap informacione për 5 premtime të tjera dhe të përmbush vetëm pjesërisht disa nga gjithsej 31 sa i ka deklaruar publikisht. Kjo i bie hiç më pakë se 70 për qind mashtrim vetëm për 100 ditë”, tha mes tjerash Faton Selami nga Alternativa.

    Alternativakomunikata e plotë

    Tash, kur janë bërë 100 ditë qëkur në krye të Komunës së Tetovës ka ardhur kryetari i ri i komunës, z. Bilall Kasami, si këshilltar komunal i Alternativës, natyrisht si opozitë, jam këtu për ta bërë bilancin e premtimeve dhe punëve të drejtuesit të ri të qytetit. Siç e dimë të gjithë, pasi që e mori detyrën, në press konferencën e mbajtur më 16 nëntor 2021, ai e publikoi listën e top 31 prioriteteve në 100-ditëshin e qeverisjes së tij. Prandaj, duke e ndjekur këtë listë, sot mund të konkludojmë siç vijon:

    1. Detektimi dhe rishikimi i të gjitha kontratave të kundërligjshme me pasoja financiare për buxhetin e komunës, ndërmarrjeve komunale, shkollave dhe çerdheve.
      PJESËRISHT E REALIZUAR – U ndërprenë kontratat në vepër për punëtorët, por nga ana tjetër u ndërprenë edhe disa procedura për furnizime publike për të cilët qytetarët nuk kanë informata se cilat janë ato dhe çfarë ndikimi ka pasur kjo në funksionimin normal të komunës dhe ndërmarjeve publike në kompetencë të komunës.
    2. Transmetimi direkt i seancave të Këshillit komunal.
      ËSHTË REALIZUAR
    3. Aksion mbar qytetarë për largimin e të gjitha mbeturinave të hedhura nëpër rrugë dhe hapësira publike.
      NUK ËSHTË REALIZUAR
    4. Vendosja e kontejnerëve që do klasifikonin mbeturinat (qelq, mbetje organike apo diç tjetër).
      PJESËRISHT E REALIZUAR
    5. Riparimi i mundshëm i kontejnerëve ekzistues-bërja e tyre funksional vendosja e kontejnerëve shtesë në pikat me mbeturina të tepërta, rregullimi i vendndodhjes së kontejnerëve dhe rregullimi i qasjeve rrugore duke larguar automjetet në afërsi të tyre.
      NUK ËSHTË REALIZUAR
    6. Mbyllja e të gjitha punimeve të hapura të infrastrukturës rrugore në komunën e Tetovës.
      NUK ËSHTË REALIZUAR – shembull keni rrugën “Strasho Pinxhur”, rr.”195″ në Lagjen Drenovec, rrugën “Jane Sandanski” dhe shumë rrugë të tjera në Tetovë që janë në gjendje të mjerueshme.
    7. Largimi i shtyllave (sinjalizuese) të korsive për biçikleta.
      ËSHTË REALIZUAR
    8. Parkingu i qytetit përkohësisht pa pagesë.
      NDODHI MASHTRIMI – u realizua rreth dy javë, pastaj le që u bë me pagesë, por ndodhi edhe rritja e çmimeve të parkingut.
    9. Identifikimi i borxhit të komunës, ndërmarrjeve komunale, shkollave dhe çerdheve, si dhe publikimi i të njëjtit në ueb-faqen e komunës dhe në hapësirat publike.
      ËSHTË REALIZUAR
    10. Rishikimi i planit gjeneral urbanistik dhe atyre detale urbanistike.
      NUK ËSHTË REALIZUAR (përveç inicimit të procedurës për pezullim të planit detal urban te bllokut 57a, të cilën inciativë edhe ne e përkrahëm pasi kemi qene kundër këtij plani detal urbanistik kontroverz)
    11. Përpilimi i një strategjie për zgjidhje afatgjate të problemit me qentë endacak.
      Në Këshillin komunal u miratua PROGRAM për zgjidhjen e problemit lidhur me kafshët endacakë në territorin e qytetit të Tetoves për vitin 2022
    12. Mbartja e mbeturinave në kohë, pastrimi, larja e bulevardeve, rrugëve dhe trotuareve gjatë natës.
      PJESËRISHT E REALIZUAR
    13. Orar fleksibil i fillimit të punës nga ora 7.30 gjer ora 8.30 (mëngjes) dhe mbarimit të punës nga orën 15.30 gjer në ora 16.30 (pasdite)..
      ËSHTË REALIZUAR
    14. Çdo sektorë komunal që i ka grumbulluar lëndët ndër vite duke mos i proceduar ato në kohë në shërbim të qytetarëve do organizohen të punojnë me orar të zgjatur për të proceduar ato.
      NUK KA INFORMACIONE LIDHUR ME KËTË ÇËSHTJE
    15. Rishikimi i përshkrimit të vendeve të punës (nëse do jetë e nevojshme do realizohet edhe ri-sistematizim i vendeve të punës). Do rishikohet mundësia e krijimit të një sistemi të matjes së performancës së punës së administratorëve dhe kompensimi në paga.
      NUK KA INFORMACIONE LIDHUR ME KËTË ÇËSHTJE
    16. Zero tolerancë për të punësuarit fiktiv dhe keqpërdoruesit e mjeteve publike.
      ËSHTË REALIZUAR
    17. Ngritjen e aftësive profesionale dhe forcimin e kompetencave teknike, drejtuese dhe kontrolluese të administratës komunale. (Duke organizuar trajnime në tema profesionale nga ekspert të fushave nga dy universitetet e Tetovës).
      NUK KA INFORMACIONE LIDHUR ME KËTË ÇËSHTJE
    18. Rrethimi i burimit të ujit të pijshëm në hapësirat e Leshnicë (Lajthizës).
      NUK ËSHTË REALIZUAR
    19. Sanksione-gjoba financiare (përgjegjësi ligjore) për të gjithë ndotësit e ambientit jetësor me mbeturina jashtë kontejnerëve përkatës apo djegien e tyre.
      NUK ËSHTË REALIZUAR
    20. Përcaktimi i dy lokacioneve – pikave grumbulluese të mbeturinave inerte, mobiljeve dhe orendive të ndryshme.
      NUK ËSHTË REALIZUAR
    21. Lehtësimi i komunikacionit urban duke krijuar skemën e rrugëve njëkahëshe, duke vendosur sinjalizimet adekuate dhe kontrollin adekuat policor.
      PJESËRISHT E REALIZUAR – disa sinjalizime janë zëvendësuar me të reja, ndërsa skema e rrugëve njëkahëshë ka ekzistuar që më parë.
    22. Ndalimi i qarkullimit të kamionëve edhe mjeteve transportuese të rënda gjatë ditës në qytet (do shqyrtohen format më bashkëkohore të rregullimit të kësaj problematike).
      Ka ekzistuar më parë kjo ndalesë dhe e njëjta zbatohet.
    23. Largimi i veturave dhe mjeteve tjera jo funksionale të parkuara me vite nëpër trotuare, rrugë apo vende tjera publike.
      NUK ËSHTË REALIZUAR
    24. Trotuare dhe hapësira publike të lira. Pronarëve të shitoreve nuk do ju lejohet ekspozimi i mallrave dhe produktet në hapësira publike trotuar, rrugë apo hapësira jo adekuate për shitje.
      PJESËRISHT E REALIZUAR
    25. Pronarëve të dyqaneve nuk do ju lejohet rezervimi i parkingjeve para dyqaneve të tyre. Ato do të duhet të sinjalizojnë një hapësirat hyrëse nëse presin furnizime me mallra.
      PJESËRISHT E REALIZUAR
    26. Rregullimi dhe kontrollimi i komunikacionit urban. Do angazhohemi maksimalisht në ngritjen e vetëdijes së vozitësve dhe këmbësorëve që të respektojnë rregullat e sjelljes në komunikacion (si shpejtësia, rregullat e qarkullimit në rrethe, mënyrat e ndalesave dhe parkingut etj.) që mos shkaktohen tollovi me rreziqe në komunikacionit si dhe cenimin e jetës së këmbësorëve.
      NUK ËSHTË REALIZUAR
    27. Përforcimi i kapaciteteve të komisionit për legalizimin e ndërtimeve pa leje me qëllim që për një afat sa më të shkurt të zgjidhen të gjitha lëndët aktive të pa zgjidhura.
      NUK ËSHTË REALIZUAR
    28. Detektimi i lejeve të dyshimta dhe ndërprerja e ndërtimeve pa leje.
      NUK KA INFORMACIONE LIDHUR ME KËTË ÇËSHTJE
    29. Riorganizimi dhe përforcimi i kapaciteteve të qendrës për Zhvillim Ekonomik Lokal (ZHEL)
      NUK KA INFORMACIONE LIDHUR ME KËTË ÇËSHTJE
    30. Qeverisje përmes qytetarëve – komunikim të drejtpërdrejtë dhe grumbullim ideshë në kohë reale nga qytetarët. Të premten e çdo fundmuaji kryetari i komunës dhe bashkëpunëtorët e tij do të realizojnë takime të hapura me qytetarët rreth ideve dhe kërkesave reale të tyre.
      PJESËRISHT E REALIZUAR
    31. Raportim tremujor i kryetarit të komunës rreth kondicionit buxhetor të komunës së Tetovës.
      NUK ËSHTË REALIZUAR.
      Siç mund ta shihni, dita e mirë shihet në mëngjes. Kanë kaluar vetëm 100 ditë që Bilall Kasami të mos i mbajë plot 13 premtime, të mos japë informacione për 5 premtime të tjera dhe të përmbushë vetëm pjesërisht disa nga gjithsej 31 sa i ka deklaruar publikisht.
      Kjo i bie hiç më pak se 70% mashtrim vetëm për 100 ditë.
      Për neve, që e njohim mirë atë, nuk na janë dashur as 100 ditë, por për tetovarët këto 100 ditë janë po ashtu ditë të letargjisë, të dështimit dhe të zhgënjimit. Ata që votuan për shpresë, gjetën mashtrim. Nëse ky njeri për 100 ditë është në gjendje të mos i përmbush gjërat që del e i premton vetë pa ia kërkuar askush, mund ta merrni me mend se si do të jetë bilanci i tij në fund të mandatit të tij.
      Kështu edhe një herë po bindemi se Tetova ka qenë keq, dhe vazhdon të jetë në gjendje të tillë. Duke dashur të shpëtojnë, tetovarët vazhdojnë të zhgënjehen thellë.
    Lajmi Paraprak

    Djegia e kontejnerëve rrezikon zonat urbane, zjarrfikësit apelojnë për kujdes me djegien e mbeturinave

    Lajmi i rradhës

    Ardhka marsi!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë