Amnistohet Gruevski nëse votohen ndryshimet kushtetuese?

    Ish-kryeministri i arratisur i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, ka thelluar përplasjet politike jo vetëm mes pushtetit dhe opozitës, por edhe në partinë VMRO -DPMNE, të cilën e drejtoi për më shumë se një dekadë.

    Në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, më 18 korrik, kryetari i partisë opozitare VMRO DPMNE, Hristijan Mickoski, tha se “pushteti po synon miratimin e ndryshimeve kushtetuese me ndihmën e ish- kryeministrit Nikolla Gruevski, në kompensim të amnistisë për të”.

    Kjo ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm jo vetëm të Gruevskit, por edhe të partive në pushtet, me akuzat për “tradhti”, “bashkëpunim me pushtetin”, “heqje dorë nga interesat kombëtare” e të tjera.

    Nikolla Gruevski ishte kryeministër nga viti 2006 deri në vitin 2016 dhe aktualisht ndodhet në Hungari, ku në vitin 2018 ka marrë azil politik pas ndjekjes së tij nga organet gjyqësore maqedonase për shpërdorim të detyrës zyrtare. Për gjashtë vepra penale ai është dënuar me 14 vjet burgim, ndërsa disa procese të tjera gjyqësore ndaj janë duke vazhduar.

    Mickoski: Pushteti me skenar për amnistinë e Gruevskit

    Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pretendon se Gruevski me disa ish-përfaqësues të lartë të partisë janë duke synuar të marrin mbështetjen e disa deputetëve të VMRO DPMNE-së për të miratuar ndryshimet kushtetuese.

    Ndryshimet duhet të bëhen për të përfshirë pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, që është kusht për vazhdimin e bisedimeve për integrimin evropian, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, të arritur në korrik 2022.

    Shumica parlamentare nuk i ka dy të tretat apo 80 nga 120 votat e deputetëve, andaj, sipas Mickoskit, “Qeveria po negocion me Gruevskin për amnistinë e tij në këmbim të votave të deputetëve të VMRO-së”. Sipas tij, amnistia do të bëhet përmes ndryshimeve në Kodin Penal që janë miratuar me procedurë të shpejtuar dhe përshijnë shumë vepra, për të cilat është dënuar Gruevski.

    “Është naive të besosh se ndryshimet në Kodin Penal janë bërë vetëm disa vepra të vogla kriminale. Ato kanë më tepër se kaq. Është një skenar që është bërë nga Lidhja Social-Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim në bashkëpunim me një strukturë të VMRO DPMNE-së. Pra, është një skenar për të votuar ndryshimet kushtetuese sipas diktatit bullgar”, ka deklaruar Mickoski duke komentuar pretendimet e tij për gazetën gjermane.

    Ai mbetet në qëndrimin se “Qeveria e kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe Ali Ahmeti [kryetar i BDI-së] është duke negociuar një amnisti për Gruevskin në mënyrë që ai të nxisë përçarjet në VMRO-DPMNE”.

    Gruevski: Mickoski merret me thashetheme

    Ish-kryeministri Nikolla Gruevski përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Mickoski merret me “thashetheme”, pasi pretendimet e tij për “kurdisjen e amnistisë” nuk qëndrojnë.

    “Përçarjen e bëri ai duke më shpallur armik të ri dhe duke më sulmuar ashpër pa dhënë as më të voglën arsye, ashtu siç e prisja pa asnjë argument, pa asnjë provë apo diçka të tillë. Mickoski përmbushi dëshirën e tij të kahershme për të hyrë në një konflikt publik dhe për të më sulmuar mua. Mbase dikush i tha se do të ishte e dobishme…”, ka shkruar Gruevski.

    LSDM: Gruevski do të arrestohet sapo të hyjë në vend

    Ndërkohë, LSDM-ja e ka mohuar të ketë “amnisti” për Gruevskin, ndërsa akuzon VMRO DPMNE-në për udhëheqje të politikës anti-evropiane.

    “Për Nikolla Gruevskin nuk do të ketë amnisti dhe ai do të arrestohet në momentin që do të hyjë në vend. Por, nuk ka dyshim se Gruevski është ende lider i vërtetë i DPMNE-së dhe për këtë arsye Mickoski është kaq nervoz. LSDM-ja do të bëjë gjithçka dhe nuk do të lejojë që Mickoski e as dikush tjetër ta marrë peng vendin tonë”, ka deklaruar Darko Kaevski, zëdhënës i LSDM-së.

    Por, dyshime për marrëveshje ndërmjet Qeverisë dhe Nikolla Gruevskit ka shprehur edhe opozita shqiptare, e cila disa herë ka dalë me pretendimin se zyrtarë të BDI-së “kanë realizuar takime të fshehta me ish-kryeministrin e arratisur për t’i ofruar amnisti në këmbim të votave për ndryshimet kushtetuese.

    Opozita shqiptare akuzon për takime të fshehta me Gruevskin

    “BDI-ja duhet t’ia sqarojë opinionit se çfarë është biseduar në takimet e fshehta me Nikolla Gruevskin. Amnistia e krimit dhe korrupsionit, në emër të integrimit nuk është asgjë tjetër pos afirmim i krimit dhe korrupsionit”, thuhet në reagimin e partive Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe partia Alternativa.

    Nga Bashkimi Demokratik për Integrim ikanë mohuar këto akuza, por njëkohësisht kanë shprehur besimin se ndryshimet kushtetuese do të miratohen pasi, sipas BDI-së, “në radhët e opozitës ka njerëz që mendojnë për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Gjermania e Franca me propozime jozyrtare për reformën e BE

    Lajmi i rradhës

    Shtrenjtimet e mëdha të jetesës nxjerrin në rrugë pensionistët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë