Shtrenjtimet e mëdha të jetesës nxjerrin në rrugë pensionistët

    Shtrenjtimet e mëdha të jetesës kanë nxjerrë në rrugë pensionistët që me të ardhurat e tyre vështirë se kanë një pleqësi me dinjitet. Nga mbi 300 mijë pensionistë një e treta e tyre kanë pensione më të vogla se 200 euro. Pensionistët po protestojë disa javë me radhë duke kërkuar pension minimal prej 18 mijë denarë, ndryshimi e metodologjisë së përllogaritjes së pensionit si dhe rritjen lineare të pensioneve për të gjithë pensionistët.

    Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se deri në fund në muajit do të ofrohen zgjidhjet e mundshme nga ana e grupit punues që shqyrton të gjitha kërkesat dhe propozimet nga shoqatat e pensionistëve, Partia e Pensionistëve si dhe Lidhja e Pensionistëve të Maqedonisë. Pritet që gjatë përcaktimit të i pensionit minimal ai të lidhet me pragun e varfërisë dhe të mos ketë pension nën pragun e varfërisë. Kjo do të bazohet edhe në analizat e Bankës Botërore, në pjesën e projeksioneve për pragun e varfërisë disa vite më parë dhe projeksionin për lëvizjen në vitet në vijim. Sipas paralajmërimeve, kjo do të jetë baza për krijimin e dispozitave që do të rregullonin pensionin minimal.

    Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska thotë se për gati dy vite kem një rritje të pensioneve për gati 24 për qind, përderisa po sigurohet edhe stabilitetit i Fondit Pensional dhe pagesa e rregullt e pensioneve, duke shtuar se grupi i punës po finalizon propozimet që do ti dorëzohen qeverisë për miratim. Në fokus të punës së grupit punues do të jenë pensionistët me pensione të ulëta, veçanërisht ata me pension minimal.

    “Grupi i punës po punon për krijimin e masave afatshkurtra dhe afatgjata për pensionistët. Sërish, si në vitin paraprak, do të krijohen masa sociale kundër krizës si zgjidhje afatshkurtër dhe po punohet për ndryshimin e Ligjit për sigurimin pensional, i cili do të sigurojë një pension minimal më të lartë. Është një zgjidhje sistematike, si ajo e mëparshme, me miratimin e metodologjisë së re për harmonizimin e pensioneve, e cila siguron rritje të vazhdueshme të pensioneve”, thekson Trençevska.

    Nga Partia e Pensionistëve thonë se angazhohen për krijimin e një sistemi sipas të cilit pensionistët do të kenë siguri dhe qartësi se rritja e pensioneve të tyre nuk do të varet nga vullneti politik i askujt apo nëse nesër do të ketë zgjedhje. Nga kjo parti me Ministrinë e Punës e kanë hapur edhe zgjidhjen e çështjes së ndryshimit të dispozitave të nenit 66 paragrafit 3 të Ligjit për Sigurim Pensional me qëllim të rritjes së përqindjes së pensionit familjar që realizohet nga pensioni i pleqërisë, si dhe për ndryshim Neni 148 paragrafi 1 i këtij ligji, në mënyrë që pensionisti, pas fitimit të të drejtës në pension, të mund të ruajë të drejtën e shfrytëzimit të pensionit nëse është i punësuar te një punëdhënës i cili nuk paguan pagë ose kompensim nga Buxheti i Shtetit.

    Njëherësh Partia e pensionistëve është për zgjerimin e listës pozitive të barnave dhe mos pagesën e participimit për pensionistët më të moshuar dhe më të pafuqishëm me pensione më të ulëta se mesatarja. Sipas analizave të kësaj partie, krahasuar me zgjidhjet e aplikuara në sistemet e pensioneve të ngjashme me atë në vend, modeli aktual i përputhjes së pensioneve që ndjek koston e jetesës dhe rritjen e pagave është më real dhe më i favorshëm për të gjithë përfituesit e pensioneve, me vërejtjen se duhet gjetur një zgjidhje më të favorshme për pranuesit e pensioneve minimale. Një zgjidhje e re ligjore duhet të përcaktojë një masë dinjitoze të pensionit minimal, e cila në rrethanat e dhëna do të siguronte një jetë më të sigurt për përfituesit, pa rrezikuar stabilitetin e sistemit të pensioneve dhe pagesën e rregullt të pensioneve.

    “Ne si Lidhje kemi bërë propozimet tona edhe më herët para protestave dhe jemi për zgjidhjen institucionale të problemeve dhe kërkesave. Unë pres që zgjidhjet e qëndrueshme do të pranohen. Mund të pretendoni, por jo diçka që mund të dëmtojë pensionet si aspektin afatshkurtër ashtu edhe afatgjatë. Prandaj them se duhen kërkesa optimale, plotësimi i një optimumi logjik të asaj që kërkohet. Sistemi ynë pensional është i qartë dhe ajo që kërkohet nuk është në përputhje me të”, thotë Stanka Trajkova, kryetare e Lidhjes së Pensionistëve të Maqedonisë.

    Rritja lineare e pensioneve, sipas përllogaritjeve, do t’i kushtojë shtetit mbi 200 milionë euro në vit. Një shumë e madhe kjo , sidomos kur merret parasysh se si dhe për sa po mbushet gropa në fondin e pensioneve, që për çdo vit plotësohet nga arka e buxhetit të shtetit dhe jo nga të ardhurat e Fondit Pensional. Ish drejtoresha e Fondit Pensional Biljana Jovanovska, thotë se harmonizimi i pensioneve nuk është i lidhur as me kontributet e paguara më parë, dhe as me kohëzgjatjen e shërbimit. Pensionistët me pension maksimal nuk kontribuojnë më shumë se ata me pension minimal, përveçse kanë trefish më shumë para për të shpenzuar, thotë ajo.

    “Ata pensionistë që punonin në ndërtimtari , fabrika tekstilesh e të ngjashme, në kompani që falimentuan dhe nuk paguanin rroga, së pari pa fajin e tyre merrnin rrogë minimale dhe rrjedhimisht edhe paguanin kontribute të ulëta, disa ishin të papunë për një kohë të gjatë, të tepërt, falimentuar, pra ata morën zgjidhje për pensione të ulëta, dhe tani duhet t’i ndëshkojmë me shuma të vogla respektimi? Si mund të barazohet një pension 200 euro me atë 1000 euro, nëse të dy marrin 50 euro rritje”, thekson ajo. Andaj ajo është pro rritjes lineare të pensioneve.

    Ndryshe, sipas përllogaritjeve të pensionistëve, me rritjen e planifikuar në shtator, pensionistët me pensione më të ulëta do të marrin rreth 700 denarë më shumë në llogarinë e tyre. Nga gjithsej 333 mijë pensionistë, 94 mijë marrin pension në grupin e parë, ku përfshihen pensionistët deri në 13.300 denarë. Nga Ministria e Punës thonë se në raport me pensionet e rajonit ne kemi një mesatare të pensioneve, ku në shtator pensioni minimal në vend pritet të jetë 13.300 denarë. Në Serbi pensioni minimal është 10.841 denarë, kurse pensioni mesatar është 19.866 denarë. Në Kroaci me vendim të Qeverisë bartet shuma me të cilën shumëzohen vitet e shërbimit, pra 11.19 euro shumëzuar me vitet e shërbimit. Pensioni minimal i Malit të Zi është 280 euro, ndërsa Greqia ka pension minimal prej 411 euro. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Amnistohet Gruevski nëse votohen ndryshimet kushtetuese?

    Lajmi i rradhës

    ASh: Takimi Mickoski – Jankullovska, opozita me këtë legalizon krimin politik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë