Profesori universitar dhe anëtari i ekipit të Finance Think, Marjan Petreski për 360 Gradë thotë se Qeveria nuk ka shumë hapësirë për masa bujare në shkallë të gjerë në rast se rritja e çmimeve të karburanteve, për shkak të luftës në Iran dhe në rajon, fillon të përhapet edhe në çmime të tjera. “Amortizatori” fiskal është konsumuar, thotë ai, sepse për shkak të krizave të mëparshme të viteve të fundit, borxhi publik i vendit është afruar në nivelin psikologjik prej 60% të PBB-së, përcjell Nistori.
Sipas Petreskit, ajo që mund të pritet janë masa të synuara. Si shembull, ai përmend Greqinë, ku u vendosën bono karburanti për kategoritë më të varfra të qytetarëve.
I pytur në lidhje me atë se vendi është në prag të një krize të tretë ekonomike të shkaktuar nga energjia në një periudhë relativisht të shkurtër prej pesë deri në gjashtë vitesh dhe nëse sistemi i RMV është më elastik apo më i përgatitur për t’u përballur sërish me një sfidë të tillë, duke pasur parasysh përvojat e fundit, Petreski tha:
Le ta shohim pyetjen në dy aspekte. Së pari, nga pikëpamja fiskale, hapësira fiskale është varfëruar ndjeshëm. Do të thosha se pozicioni fiskal i vendit, pra tamponi fiskal, nuk është më i njëjtë siç ishte, për shembull, para pandemisë. Atëherë borxhi publik ishte dukshëm më i ulët. Tani ai është afër atij kufiri psikologjik prej 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Gazetari: kemi më pak para, doni të thoni?
Marjan Petreski: Kemi më pak hapësirë për të reaguar në mënyrë tepër bujare si shtet ndaj kësaj dhe çdo krize të ardhshme. Prandaj, duhet të mendojmë në atë mënyrë që, në periudha relativisht të mira ekonomike, të krijojmë atë tampon. Në një ose dy vitet e fundit ka pasur një proces të konsolidimit fiskal, por ai ka qenë i kufizuar. Për më tepër, periudha midis krizave nuk ka qenë mjaftueshëm e gjatë për të krijuar një tampon të madh për përballimin e një krize të re. Megjithatë, në segmente të tjera të sistemit financiar kemi buferë relativisht të mirë. Për shembull, rezervat valutore janë rreth 70% më të larta se niveli para pandemisë. Ato e mbulojnë mirë cenueshmërinë e ekonomisë. Sistemi bankar në sektorin privat është shumë i kapitalizuar dhe likuid, duke krijuar një elasticitet të mirë të ekonomisë dhe aftësi për t’u përballur me një intensitet të caktuar krizash.
Sipas Petreskit, në fushën e prodhimit të ushqimit, këtu është pika më e dobët e RMV-së, sepse vendi është i varur nga importi i ushqimeve dhe sipas tij, kjo duhet ndryshuar, në mënyrë që prodhimi vendas të mbrojë qytetarët nga rritjet e çmimeve të ushqimeve. Megjithatë, kjo jo vetëm që nuk ka përparim, por nuk është ndërtuar as një strategji e fortë që do ta bënte vendin më të mbrojtur ndaj rritjeve të ardhshme të çmimeve. /Nistori/






