Anëtari i grupit punues, Maksuti: Ligji për përfaqësim të drejtë varet nga vullneti politik, nuk garanton zbatim real

    Anëtari i grupit punues, Mersim Maksuti që ka marrë pjesë në hartimin e Propozim Ligjit për Përfaqësim Adekuat dhe të Drejtë, ka dalë publikisht me një mendim të ndarë, duke shprehur shqetësime serioze mbi efektivitetin dhe zbatueshmërinë e këtij ligji të miratuar dje nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përcjell Nistori.

    Në deklaratën e tij drejtuar opinionit publik, ai vlerëson se ligji nuk ofron garanci reale për zbatim praktik, por mbetet në mëshirën e një Trupi Koordinativ pranë Qeverisë, i cili do të përpilojë vetëm raporte vjetore pa pasur as fuqi mbikëqyrëse dhe as mekanizma për të kërkuar përgjegjësi.

    “Ky Trup Koordinativ nuk është përcaktuar të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë, siç do duhej logjikisht, dhe nuk ka juridiksion për të mbikëqyrë apo kontrolluar organet kompetente, as për të kërkuar përgjegjësi politike në rast të moszbatimit të Ligjit”, shprehet Maksuti.

    Në pikën e dytë, kritika fokusohet në mospërputhjen mes qëllimit të ligjit dhe zbatimit të tij, ku vlerësohet se përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i komuniteteve etnike kufizohet nga kriteret e profesionalizmit dhe kompetencës, të cilat, sipas tij, rrezikojnë të përdoren si mjet për të përjashtuar qytetarët nga komunitetet më pak të përfaqësuara.

    “Ligji, si qëllim parësor, duhet të ketë mbrojtjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të qytetarëve si pjesëtarë të një bashkësie etnike – si e drejtë kolektive – e jo vetëm profesionalizmin, që është e drejtë individuale. Nëse ka konflikt mes të drejtës kolektive dhe asaj individuale, e para duhet të ketë përparësi”, nënvizon anëtari Maksuti.

    Sipas tij, kjo qasje bie ndesh me Amendamentin VI të Kushtetutës së RMV-së, i cili garanton këtë përfaqësim si vlerë themelore e rendit kushtetues.

    Në vërejtjen e tretë, ai thekson ndikimin disproporcional të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka ndaluar deklarimin e detyrueshëm të përkatësisë etnike në konkurset publike, por që nuk e pengon legjislativin të gjejë forma të tjera për të zbatuar përfaqësimin adekuat.

    “Gjykata Kushtetuese nuk mund të diktojë tempin legjislativ të Kuvendit – kjo është kompetencë ekskluzive e Kuvendit. Përndryshe, po krijohet përshtypja se Gjykata po vepron si legjislativ”, shprehet ai, duke përmendur opsione alternative për zbatimin praktik të këtij parimi përmes qasjeve si “pabarazia në barazi” dhe “pabarazia në pabarazi”.

    Si pikë e katërt dhe përmbyllëse, ai vë në dukje mungesën e komponentës së mbrojtjes juridike, duke theksuar se Propozim Ligji nuk parashikon sanksione për zyrtarët publikë që nuk e zbatojnë ligjin, as nuk ofron mjete për mbrojtje gjyqësore.

    “Nuk jemi shtet skandinav me kulturë të lartë institucionale – në mungesë të sanksioneve dhe mekanizmave mbikëqyrës, nuk duhet të kemi iluzione për efektin e këtij ligji në praktikë”, paralajmëron ai.

    Në përfundim, anëtari i grupit punues rithekson se në formën aktuale, ky Propozim Ligj nuk do të ketë efekt juridik të dëshiruar, për shkak të varësisë nga vullneti politik dhe mungesës së masave konkrete për llogaridhënie. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    EShS: RMV trajton vetëm 24.5% e ujërave të zeza

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë