Gjuha shqipe shpërfillet edhe nga ministrat shqiptarë

    Qeveria, kryeministri, ministrat, mes tyre edhe ato shqiptarë – kanë shkelur me të dyja këmbët ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Mes tyre radhitet edhe institucioni që miraton ligjet – Parlamenti, i cili pjesërisht respekton ligjet në fuqi. Të paktën kështu konstatohet nga Raporti më i fundit i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, në të cilin jepet një pasqyrë statistikore për të gjitha aktet e shpallura në Gazetën Zyrtare gjatë vitit 2020. Sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, neni 17, të gjitha ligjet, aktet nënligjore, vendimet dhe shpalljet e institucioneve që publikohen në Gazetën Zyrtare domosdoshmërish duhet të shpallen – përveç maqedonishtes, edhe në shqip (gjuhën që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve).

    Përveç Parlamentit që e respekton përdorimin e gjuhës shqipe (mbi 87 për qind e shpalljeve në gjuhën shqipe), disa agjenci, komisione dhe institucione tjera gjatë vitit të kaluar kanë preferuar që shpalljet t’i publikojnë vetëm në maqedonisht. Për shembull, Qeveria – nga gjithsej 220 shpallje, nuk numëron asnjë në gjuhën shqipe, po ashtu edhe nga kryeministri shpalljet publikohen vetëm në maqedonisht – gjithsej 28. Paradoksi qëndron edhe tek ato ministri që drejtohen nga ministra shqiptarë, të cilët po ashtu – gjuhën e shpalljeve e kanë maqedonishten. Detyrimi ligjor zbatohet plotësisht nga institucione të tilla si Dhoma e Mjekëve (100 për qind), Komisioni i Mbrojtjes së Konkurrencës me 100 për qind, Komisioni i Zgjedhjeve dhe Emërimeve – 100 për qind.

    Sa i takon institucioneve të tjera, zbatimi i gjuhës shqipe është i pjesshëm. Për shembull, Parlamenti rangohet i pari sa i takon përqindjes, ku nga gjithsej 48 shpallje – vetëm 42 janë botuar në gjuhën shqipe (mbi 87 për qind), më pas vijnë Komisioni i Letrave me Vlerë ne mbi 72 për qind (nga 33 shpallje gjithsej vetëm 24 në gjuhën shqipe), Komisioni Rregullator i Energjetikë nga 107 shpallje – vetëm 47 janë në gjuhën shqipe (mbi 43 për qind), ndërsa Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve së bashku me së bashku me Fondin e Sigurimit Pensional kanë një përqindje të ulët të zbatimit të shqipes – 8 për qind. Raporti i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve i publikuar së fundmi nga ky institucion për punën e vitit të kaluar, po ashtu evidenton se gjatë vitit të kaluar, në AZGJ janë dorëzuar vetëm 60 kërkesa për përkthim dhe 177 materiale për lekturim. Sipas anketave të kryera në gjithsej 119 institucione, 70 prej tyre janë përgjigjur se i kanë plotësuar detyrimet ligjore për zbatimin e shqipes, 40 pjesërisht. Pyetjes për ndihmë nga Agjencia i janë përgjigjur pozitivisht vetëm 15 institucione.

    Vihet re se 88 institucione janë përgjigjur se nuk kanë parashikuar formë organizative për përkthim dhe lekturim nga gjuha shqipe në sistematizimin e vendeve të punës, 63 institucione janë përgjigjur se nuk kanë siguruar fonde për përkthyes dhe lektorë nga gjuha shqipe për vitin 2021. Raporti po ashtu përmban edhe një pyetësor online për qytetarë, ku mes tjerash – të pyetur se në cilën gjuhën zyrtare dëshironi të informoheni nga administrata publike, mbi 38 për qind e të anketuarve janë përgjigjur në shqip. Të pyetur se sa zhgënjyese është nëse gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme nuk janë informuar në gjuhën sipas zgjedhjes së tyre, më shumë se gjysma janë shprehur se “deri diku janë të zhgënjyer”, dhe mbi 30 për qind “shumë të zhgënjyer”. /Koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    Zaev: Kemi bazë të mirë për hapje të negociatave që nuk prek interesat e Bullgarisë dhe RMV-së

    Lajmi i rradhës

    Defender 21 në Zall Herr, trupat amerikanë dhe shqiptarë operojnë sot në kantiere

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë