Anijet motorike rrezikojnë pushuesit në liqenin e Dibrës

    Mjetet lundruese e sidomos anijet motorike drejtpërdrejt rrezikojnë fëmijët por jo vetëm ata të cilët këto ditë freskohen në ujërat e Liqenit të Dibrës. Duke marrë parasysh temperaturat e larta që mbizotërojnë këto ditë, një numër i madh i dibranëve freskohen në ujërat e Liqenit. Por, bie në sy problemi me objektet lundruese të shumta të cilat pa kufizime lundrojnë mes personave që freskohen.

    Problemi është akut por asnjë institucion nuk ka ndërmarr ndonjë hap konkret për të parandaluar rreziqet. Në lidhje me këtë problem i cili me të madhe këto ditë përflitet në Dibër biseduam me pushuesit, pronarët e objekteve lundruese por edhe me institucione. Arben Mulladauti, ushtrues i detyrës kryeshef në njësinë të Ministrisë së Bujqësisë, thotë se kjo do të ishte një kompetencë e koncesionerit të liqenit. Por deri në këtë moment liqeni i Dibrës nuk ka koncesion. Ai potencoi se rreziku qëndron dhe aktivitet duhet të ndërmerr ndokush nga pronarët e objekteve të cilët e mirëmbajnë plazhin ose policia. Po të njëjtën gjë tha edhe përfaqësuesi i inspektoratit për ekologji në Gostivar, institucion i cili mbulon edhe mjedisin jetësor në komunën e Dibrës. Në këtë institucion thonë se janë kompetent për mjedisin jetësor por jo edhe për problemin në fjalë. Edhe në shoqatën e peshkatarëve sportiv “Trofta” potencojnë se për çdo ditë vërejnë problemin në ujërat e liqenit të Dibrës. Beli Haliti kryetari i kësaj shoqatës thotë se nuk është kompetencë e peshkatarëve sportiv edhe pse për çdo ditë vërehet problemi. Në bisedën me komisarin e stacionit policor në Dibër, Dritan Bakalli u informuam se objektet të cilat janë në bregun e liqenit e që kanë plazhet e tyre duhet të bëjnë kufizimin e ujërave të plazhit me lëvizjen të objekteve lundruese. Janë objektet të cilët mund të dëmtojnë sidomos fëmijët që freskohen në ujin e Liqenit të Dibrës.

    Dukuria në fjalë është teje shqetësuese. Biseduam me shumë pushues në bregun e Liqenit ku faktikisht është edhe plazhi i qytetit. Agroni, Argjenti dhe Dritani thonë se problemi me objektet lundruese është prezent për çdo ditë. Edhe pse ka reagime të shumta të pushuesve qofshin nga Dibra apo vendet e tjera të cilët freskohen në këtë liqe, pronarët e objekteve lundruese nuk janë serioz. Sidomos një rrezik të madh paraqesin anijet motorike të cilët janë në numër të madh. Për fat të mirë, siç thonë ata, deri tani nuk është regjistruar ndonjë rast aksidenti. Në një objekt shërbyese pronarët që punojnë në këtë lokalitet thonë se ka patur mosmarrëveshje nga disa nga pronarët e mjeteve lundruese pikërisht për këtë problem. Deri sa nuk ndërmerret ndonjë hap plotësues në këtë drejtim rreziqet për pushuesit vazhdojnë.

    Kur jemi tek rreziqet për pushuesit në bregun e Liqenit të Dibrës të potencojmë se këtë vit në krahasim me vitet e tjera kur në breg kishte shpëtimtarë, nuk është siguruar një ekip shpëtimtarësh. Sekretari i kryqit të Kuq në Dibër Isni Telqiu thotë se deri në këtë moment nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët me institucionet kompetente për të siguruar shpëtimtar. Kjo do të thotë se freskimi në ujërat e Liqenit të Dibrës duhet të bëhet me shumë vëmendje të veçantë. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    “Arsyeja kryesore për shpërnguljen e të rinjëve nga Maqedonia është korrupsioni”

    Lajmi i rradhës

    VMRO-DPMNE do të mbledhë nënshkrime për të shpallur referendum për propozimin francez

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë