Sindikatat janë ankuar për paralajmërimet e shkurtimit të dielës si ditë jo pune si dhe me atë se nuk ka para në rishikimin e buxhetit për rritje të pagave, në kushtet kur shporta konsumatore po shtrenjtohet. Nga ekzekutivi thonë se janë pajtuar që të ketë dialog me Sindikatat dhe punëdhënësit për kërkesën që e diela të mbetet ditë jo pune. Nga Ministria e Financave, thonë se të punësuarit në sektorin publik do t’i marrin të drejtat e parapara me Kontratën e Përgjithshme Kolektive.
Ditë më parë, sindikatat kanë hedhur poshtë idenë e odës më të madhe ekonomike në vend për rikthimin e ditës së diel si ditë pune. Bile shtojnë se idetë e tilla janë joserioze dhe nëse vazhdohet me një sjellje të tillë ndaj punonjësve, së shpejti nuk do të ketë punonjës, përderisa pronarët e bizneseve vetë do të duhet të përveshin mëngët dhe të punojnë. Lidhja e Sindikatave me protesta dhe greva si dhe përmes dialogut social me Organizatën e Punëdhënësve të Maqedonisë dhe Qeverinë, përcaktoi të drejtën që e diela të jetë ditë jo pune për më shumë se 80 për qind të punëtorëve, me të drejtë shtesë në pagë për punëtorët me përjashtime për ato dikastere të cilët punojnë kur procesi i punës nuk mund të ndërpritet.
ANKESAT E SINDIKATAVE
“Punëtorët në Maqedoni sot po përballen me presion të shtuar për ekzistencën e tyre për shkak të kostos së lartë të jetesës dhe pagave të ulëta, si dhe kërkesave të përfaqësuesve nga Oda Ekonomike për shkurtimin e të drejtave të punës, veçanërisht shkurtimin -ditëve që nuk punohet. Theksojmë se dita e diel pa punë riktheu pak dinjitetin e punëtorëve dhe përfaqësuesve nga Oda Ekonomike ju themi se me qëndrimet e tilla dhe pagat e ulëta që u dhanë punëtorëve shkaktuan eksodin e punëtorëve të kualifikuar nga Maqedonia. Në të njëjtën kohë ju kujtojmë se e shtuna është ditë jo pune edhe për punëtorët në Maqedoni, sepse në Maqedoni java e punës, si rregull, zgjat pesë ditë pune”, thekson kreu i sindikatave Sllobodan Trendafilov.
Siç duket rritja e pagës minimale që nga sindikatat kërkohej në vlerën prej 450 euro në mungesë fondesh dhe kondicionit të dobët financiar të arkës së shtetit sipas qeverisë, do të presë pranverën e vitit 2025 dhe harmonizimin e rregullt vjetor ku mbi 2.5 vite më parë u bënë ndryshime në Ligjin për pagën minimale, sipas të cilit u vendos metodologji e re, sipas së cilës masa e pagës minimale përshtatet në 50 për qind të rritjes së kostos së jetesës dhe 50 për qind të rritjes së pagës mesatare në vitin e kaluar.
“Lidhur me anulimin e të dielës si ditë jo pune, ekziston ende vend për bisedime mes punëtorëve dhe punëdhënësve, me ndërmjetësimin e qeverisë, ndërsa për rritjen e pagës minimale në 100 ditët e para, ajo çështje është mbyllur.Ministria e Ekonomisë tashmë ka pasur një takim me përfaqësues të Lidhje së Sindikatave dhe do të vijojë takimi me punëdhënësit, përkatësisht odat ekonomike. Vendimi nëse e diela do të mbetet ditë jo pune do të merret nga këshilli ekonomiko-social”, thekson ministri Durmishi.
Kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski, janë pajtuar që të ketë dialog me Sindikatat për kërkesën që e diela të mbetet ditë jo pune, por pa përgjigje konkrete nëse janë dakord apo jo me kërkesën e sindikatave.
Kryeministri Mickoski, nga ana tjetër, nuk ka dhënë përgjigje konkrete për qëndrimin e tij në lidhje me kërkesën e Odës Ekonomike për shqyrtimin e Ligjit të dielën, ditë jo pune, por tha se është në dispozicion për dialog me sindikatat.
“Ne jemi në dispozicion për dialog me sindikatat, do të flasim me organizatat sindikale, por duhet të kemi parasysh të ardhmen e shtetit, kjo është shumë e rëndësishme. Nëse nuk kemi një ekonomi të shëndetshme, nuk do të kemi punonjës, ata punonjës do të shkojnë diku tjetër dhe ky shtet do të jetë bosh. Sa më i zbrazët të jetë shteti, aq më pak të hyra në buxhet, aq më pak para do të ketë për rroga dhe pensione dhe për investime kapitale dhe mbështetje. Kjo është një sistem. . Pra, ne duhet ta organizojmë atë sistem që të funksionojë shkëlqyeshëm nëse duam të jemi të lumtur së bashku”, thekson kryeministri Mickoski.
Nga Oda ekonomike kërkojnë takim me sindikatat për të përballur argumentet për “të dielën ditë jo pune”. Siç thekson kryetari i Odës, Branko Azeski, çdo ligj i karakterit sistematik duhet të analizohet pas gjashtë muajsh apo një viti, për të parë nëse duhet korrigjuar apo ndryshuar tërësisht.
Oda mbetet e mendimit se zgjidhjet ad-hok nuk duhet të miratohen, pa parë se si do të ndikojnë në funksionimin e kompanive. Oda e Ekonomisë ngriti edhe një iniciativë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me këtë ligj, pas së cilës gjyqtarët kushtetues vendosën që e diela të mbetet ditë jo pune për punëtorët.
Zgjidhja ligjore për ditën e diel jo pune ka hyrë në fuqi më 1 janar 2022. Me ndryshimet, 92 për qind e punëtorëve nuk punojnë të dielave dhe 8 për qind e punëtorëve që punojnë në procesin tekniko-teknologjik që nuk ndërpritet, përfitojnë 50 për qind më shumë pagë ditore dhe një ditë shtesë pushimi gjatë javës në vijim. Ligji parashikon që punonjësit në qendrat tregtare, të cilët do të punojnë të dielave, do të marrin dyfishin e rrogës ditore, dhe përveç kësaj, 2 për qind e xhiros së realizuar në qendrat tregtare një vit më parë për punë të dielave dhe festave do të dedikohet për ndërtimi i kopshteve të reja. Mosrespektimi i kësaj zgjidhjeje ligjore konstatohet nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe punëdhënësit që shkelin ligjin ndalohen nga puna për 15 ditë dhe nëse përsërisin kundërvajtjen brenda një viti, ndalimi nga puna do të jetë 30 ditë. Gjatë periudhave të ndalimit të punës, punëdhënësi do të ketë detyrimin t’u paguajë punëtorëve kompensim në lartësinë e pagës.
SINDIKATAT TË PAKËNAQURA ME RISHIKIMIN
Në ndërkohë lidhur me rishikimin e buxhetit që paralajmërohet nga ekzekutivi, sindikatat janë të dëshpëruara dhe aspak të kënaqura me atë se nuk ka para në rebalancin e buxhetit për rritje të pagave, në kushtet kur shporta konsumatore po shtrenjtohet , dhe pagat po rriten shumë minimalisht. Kryetari i sindikatës, Sllobodan Trendafilov, thekson se nuk ka para në rishikimin e buxhetit për përfitime nga marrëveshjet kolektive.
“Politikanët nuk duhet të presin diçka nga punëtorët, por anasjelltas. Meqë ra fjala, kjo është arsyeja pse ata japin ose heqin mandatin. Jemi të habitur që në ribalancin e buxhetit nuk shohim para për rritje pagash dhe as para për përfitime të tjera që janë përcaktuar dhe nënshkruar me marrëveshjet kolektive. Punëtorët janë të befasuar edhe për atë që është paralajmëruar dhe qeveria ka arritur në konkluzionin që të mos nënshkruhen kontrata kolektive, të mos rriten pagat e punëtorëve në periudhën e ardhshme, si dhe nga fakti që qeveria i sheh pagat dhe marrëveshjet kolektive si problemi më i madh në krijimin e rebalancit buxhetor. Besojmë se ky është një problem serioz për punëtorët”, thotë Trendafilov.
“Ne si LSM besojmë se ka para për çdo gjë, thjesht nuk shpërndahen si duhet, e kemi parë atë edhe nga qeveritë e mëparshme, e shohim edhe nga ajo aktuale. Njëqind milionë euro u gjetën nga hiçi për komunat, për premtimet që kishin në fushatën për të mbështetur pushtetin vendor, dhe nga ana tjetër nuk mund të gjesh nja 5.5 milionë euro p.sh. vetëm për rritjen e pagave në shëndetësi dhe të mos i parashikoni ato , duke pasur parasysh se stafi shëndetësor po largohet nga vendi dhe ju u jepni udhëzime punonjësve shëndetësorë që të blejnë biletën e avionit vetëm në një drejtim”, thotë Trendafillov.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, nga ana tjetër thotë se të punësuarit në sektorin publik do t’i marrin të drejtat e parapara me Kontratën e Përgjithshme Kolektive. Ajo thekson se me ribalancin e buxhetit janë siguruar mjetet dhe do të realizohet gjithçka që parashikon Marrëveshja Kolektive, si dhe do të ketë korrigjim të pagave, të parapara me ligj. Ajo bëri të ditur se do të punohet për sfidën e pabarazisë në paga në institucione të ndryshme.
“Do të kanë harmonizim të pagave të punonjësve të sektorit publik, ndonëse pyetja është pse në buxhet nuk kishte mjete për këtë. Gjithashtu do të zbatohet të gjitha ato që nënkuptohen nga marrëveshja e përgjithshme kolektive. Por, ajo që hap një dilemë është se në Parlament është kaluar një ligj për arsimin e lartë, me të vilin atyre ju rriten pagat, dhe njëkohësisht në buxhet nuk ka planifikim fondesh për këtë. Në Ministrinë e Mbrojtjes po nënshkruhet një marrëveshje kolektive, dhe gjithashtu nuk parashikohen fonde. Janë nënshkruar marrëveshje kolektive dhe u rritën pagat por, vërtetë ka institucione të caktuar të cilat nga aspekti i pagës janë ne gjendje shumë të keqe krahasuar me institucionet e tjera ku ka pagë të mëdha”, thotë Dimitrieska-Koçoska. Sipas saj, sfidë janë edhe pagat në shëndetësi dhe arsim, por kjo çështje do të zgjidhet në periudhën e ardhshme.
Nuk duhet të ketë diferenca të tilla në paga mes punonjësve në të njëjtin nivel, në institucione të ndryshme thekson ministrja dhe shton se për të mos vazhduar me një praktikë të tillë dhe për të mos dëmtuar punonjës të caktuar, është dhënë udhëzim që të mos nënshkruhen kontrata kolektive, pa mjete të siguruara për këtë qëllim dhe se kjo procedurë do të zbatohet përmes Ministrisë së Financave. /Koha/