Pse BE-ja mbetet avokatja më e mirë e demokracisë globale

    Joergen Oerstroem Moeller
    “National Interest”

    Presidenti rus, Vladimir Putin, kënaqet duke mbjellë përçarje në Bashkimin Evropian. Kina mund të përzgjedhë me dinakëri partnerët e saj në mesin e anëtarëve të BE-së. Turqia mund ta destabilizojë rajonin, duke lejuar vërshimin e emigrantëve nga lindja.

    Edhe Bjellorusia po e sfidon BE-në, në një mënyrë që ishte e paimagjinueshme deri disa vite më parë. Ngjarjet mund të marrin ende një kthesë për keq në Kaukaz, Bosnje Hercegovinë dhe Ukrainë, me zërat e shtuar për një operacion të afërt ushtarak nga Rusia.

    Mungesa e fuqisë së ashpër të Evropës, mund të zbulohet në muajt në vijim. Evropa nuk po projekton fuqi ushtarake, nuk po pushton vende të tjera, nuk po kërcënon fqinjët e saj, nuk po zhvillon ndonjë luftë kibernetike, dhe as nuk po drejton një rrjet global të shërbimeve sekrete.

    Po ashtu, ajo nuk po e përdor fuqinë e saj të madhe ekonomike për të ndjekur qëllimet e saj politike. Por çuditërisht këto dobësi, tregojnë gjithashtu edhe fuqinë e vetme që ka sot Evropa. Ajo po shndërrohet gradualisht në mbrojtësen e fundit të vërtetë të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

    Disa vende jashtë Evropës gjithashtu mund të pretendojnë këtë titull, por ato janë shumë larg. Sigurisht, Evropa nuk është pa të meta. Por krahasuar me demokracitë joliberale, me regjimet autokratike apo autoritare, ajo mbetet një fanar shprese për popujt e botës.

    BE-ja përshkruhet shpesh si një burokraci jodemokratike, e drejtuar nga teknokratët në Bruksel. Por kjo është e pasaktë. Asnjë vendim nuk merret nga Brukseli pa miratimin e Këshillit Evropian. Çdo shtet anëtar përfaqësohet nga një ministër i dërguar nga qeveria e tyre kombëtare, dhe që jep llogari para parlamentit kombëtar.

    Shumica e vendimeve kërkojnë pëlqimin e Këshillit dhe Parlamentit Evropian, i cili përbëhet nga 705 anëtarë të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli evropian. Kjo marrëdhënie midis Këshillit dhe Parlamentit, është disi e ngjashme me atë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, por më pak konfrontuese.

    Komisioni Evropian, institucioni ekzekutiv i BE-së, përbëhet nga një anëtar i emëruar nga çdo shtet anëtar. Komisioni Evropian mund të marrë mandatin vetëm pas miratimit në Parlamentin Evropian të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët evropianë. Ndërkohë PE ka aftësinë të shkarkojë dhe shpërndajë Komisionin Evropian.

    Disa vende në Evropën Qendrore dhe Lindore nuk janë modele të demokracisë. Por kjo kritikë është e tepruar. Analistët jashtë Evropës Qendrore dhe Lindore harrojnë shpesh – me dashje ose jo – se me përjashtim të Çekosllovakisë, asnjë nga këto 11 vende nuk ka qenë historikisht demokratik.

    Ato drejtoheshin nga dinastitë Romanov apo Habsburgas deri në Luftën e Parë Botërore.

    Në periudhën ndërmjet dy luftërave, ato ishin vende autoritare me pak ose aspak liri politike. Perandoria Sovjetike i nënshtroi pas Luftës së Dytë Botërore.

    Pas fundit të Luftës së Ftohtë, këto vende u detyruan ta ndërtonin nga e para demokracinë e tyre. Është e padrejtë të presësh që ato të jenë plotësisht demokratike, njëlloj sa ato shtete anëtare që kanë qenë demokraci për më shumë se një shekull. Edhe demokracitë më jetëgjata të Evropës kaluan nëpër tranzicione graduale, shpeshherë të dhimbshme, nga monarkia në demokraci.

    Po ashtu BE-ja krahasohet si një demokraci më e mirë sesa ajo e Shtetet e Bashkuara dhe Britanisë së Madhe. Donald Trump mori gati gjysmën e votave në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Dhe qeverisja e tij, vështirë se mund të konsiderohet një shembull i demokracisë.

    Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet mesit të mandatit në vitin 2018 në SHBA ishte vetëm 49.4 për qind. Ndërsa zgjedhjet për Parlamentin Evropian të vitit 2019-ës patën një pjesëmarrje prej 50.66 për qind.

    Çfarëdo që mund të thuhet për Brexit, Britania u tërhoq nga një sistem i bazuar në rregulla, për të “marrë kontrollin” e vendit, dhe për t’i mbyllur derën emigrantëve dhe punëtorëve të huaj. Dhe kjo nuk është sigurisht një recetë për të mbështetur të drejtat e njeriut.

    Shumëkush mund të pyesë nëse vendet e fokusuara tek demokracia dhe të drejtat e njeriut, ofrojnë shoqëri në të cilat ia vlen të jetosh. Por BE-ja del mirë edhe sa i përket këtyre parametrave. Pabarazia në BE është më e vogël, sesa thuajse në të gjitha vendet e tjera kryesore, duke përfshirë Kinën, Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë.

    Lëvizshmëria sociale dhe pjesëmarrja e njerëzve në fuqinë punëtore, janë shumë më të larta se në Shtetet e Bashkuara. Shpenzimet publike sociale në SHBA dhe Britani, janë shumë modeste kur krahasohen ato të unionit. Për shkak të pasigurive statistikore, është i vështirë të krahasohet menaxhimi i Covid-19.

    Por të dhënat tregojnë se BE-ja po ecën më mirë sesa shumica e vendeve të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë. Eurozona është pak, por jo aq shumë, prapa Shteteve të Bashkuara sa i përket rikthimit të nivelit të të ardhurave kombëtare përpara shfaqjes së pandemisë.

    Borxhi kombëtar ka arritur në një nivel rekord që nga viti 1945 për Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, por jo për eurozonën. Rezultati i Luftës së Ftohtë, i bindi shumë vende se adoptimi i demokracisë është diçka që ia vlen. Por kjo prirje përfundoi dalëngadalë, dhe tani po tregon shenja të kthimit nga ana tjetër.

    Demokracia dhe barazia sociale, po garojnë tashme me sistemet joliberale që po zgjerohen me shpejtësi. Nën këtë mjedis armiqësor, vlerësohet vendosmëria e BE-së për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

    Vendimet për të frenuar rrëshqitjen e Polonisë dhe Hungarisë drejt autokracisë, bien ndesh me dyshimin për zbatimin e standardeve të dyfishta. Shpresohet që pavarësisht nga forcat joliberale, BE-ja të fitojë terren brenda kontinentit, dhe të qëndrojë në kursin e duhur. Prioritet është sigurimi që ky model të funksionojë brenda unionit, duke ofruar zgjidhje dhe jetën e duhur për qytetarët.

    Mbrojtja e demokracisë dhe të drejtat e njeriut nëpër botë, pa respektimin e tyre të plotë në shtëpi, nuk është një qasje e mençur. Edhe politikat që u bëjnë thirrje të tjerëve të adoptojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut, pa e kuptuar sfondin e tyre kulturor dhe pangjashmëritë me kulturat perëndimore, janë gjithashtu të gabuara.

    Le t’i lëmë të flasin vetë meritat e demokracisë, duke i lejuar të tjerët të arrijnë në përfundimin se mund të përdorin disa nga idetë dhe parimet e arritura nga Bashkimi Evropian.

    Shënim: Joergen Oerstroem Moeller, ish-Sekretar Shteti në Ministrinë e Jashtme të Danimarkës, dhe autor i librit “Transformimi i Azisë:Nga globalizimi ekonomik tek rajonalizimi”./botaal/

    Lajmi Paraprak

    Për çfarë biseduan Ahmeti dhe Mickoski?

    Lajmi i rradhës

    Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka ngelur pa gjyqtarë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë