Ganiu: BDI-së i ka rënë sistemi

    Derisa nëpër komuna shpallen kandidatura për kryetarë të degëve të BDI-së, fraksioni i ashtuquajtur si Grupi i Zjarrit thonë se çdo aktivitet në BDI është anti-statutar dhe zgjedhjet nuk janë të rregullta. Visar Ganiu, thotë se pas tentimit të “artanistëve” që të përjashtojnë Grupin e Zjarrit, tani organet e BDI-së nuk kanë përbërje të plotë të anëtarëve dhe çdo vendim i tyre nuk është fuqiplotë, madje është anti statutar.

    “Ne nuk marrim pjesë në Çair, Butel, sepse paraprakisht i ka thirr kreu i partisë se kush duhet të jetë kryetar në Çair, kush duhet të jetë në Butel, kështu që të tjerat që këto që mbahen janë vetëm pro formë”, tha Visar Ganiu, BDI.

    Ganiu thotë se garat nëpër degë vetëm duken demokratike gjoja formalisht caktohen më shumë kandidatë, por janë të kurdisura.

    “Ju i shihni edhe kundër kandidatët janë shokë më të ngushtë të lagjeve të tyre që i kanë nxjerrë, kanë kundër kandidatë sa për sy e faqe që ta ruajnë ‘demokracinë’, kështu që mund të themi se i gjithë sistemi i BDI-së ka rënë, partia është në një parti të thellë, llogari dhënie nuk ka për asnjë. Kështu që mendoj se është shkelje e thellë e statutit dhe duhet të japë përgjegjësi dikush në një periudhë të ardhshme për këtë se çka ndodh”, u shpreh Visar Ganiu, BDI.

    Por, Bekim Neziri i cili tani e ka shpallur kandidaturën e tij për degën e Çairit, thotë se për momentin gjithçka shkon sipas procedurave.

    “Procesi i regjistrimit ka kaluar ashtu siç është planifikuar, mesa kam informacione mbi 3 000 aktivistë janë regjistruar. Procesi i paraqitjes së kandidaturave për të gjitha instancat janë paraqitur, duke filluar nga këshillat vendorë, kandidat të këshillave vendor, kandidat për anëtar të degës, dhe informatat që i posedoj deri më tani dy kandidat për anëtar dege në Çair”, deklaroi Bekim Neziri, kandidat për degën e BDI-së – Çair.

    Neziri thotë se i ruan kontaktet private me të gjithë anëtarët e “Grupit të Zjarrit”, por se nuk kanë kontakte politike.

    “Në aspektin politik, në këtë kohë janë ndarë rrugët tona, por në të ardhmen mund të bashkohen përsëri. Pret mbështetje prej tyre? Kuptohet se nëse janë të regjistruar pres mbështetje prej tyre”, tha Bekim Neziri, kandidat për degën e BDI-së – Çair.

    Zgjedhjet për degët e BDI-së janë në fazën e dorëzimit të kandidaturave. Deri më tani në Komunën e Çairit kandidatë do të jenë Bekim Neziri dhe Rexhep Ademi, për degën e Butelit kandidaturë ka shpallur Muarrem Asani, për degën e Kumanovës zyrtarisht kanë deklaruar kandidaturat Ridvan Asani dhe i mbështetur nga Arbër Ademi i nënkryetar i BDI-së dhe Fitor Jakupi ish ushtar i UÇK-së, ndërsa nuk ka asnjë lëvizje në degën e Sarajit. Ende nuk dihet se çka do të ndodh me fatin e Degës së BDI-së në Strugë, ku janë ngrirë të gjitha aktivitetet zgjedhore për shkak se kryetari i aktual i degës dhe kryetar i Komunës, Ramiz Merko është në listën e zezë Amerikane. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Antikorrupsioni: Këshilli Gjyqësor zhduku lëndën kundër Merkos

    Lajmi i rradhës

    Kasami – tetovarëve: Paguani faturat e mbeturinave, nëse e doni qytetin më të pastër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë