Arbër Zaimi i VV: përgëzoj opozitën shqiptare në RMV për bashkimin e forcave

    Siç duket, Vetëvendosja edhe pse në pushtet Kosovë, në Maqedoninë e Veriut është duke qëndruar gjithnjë dhe më afër opozitës shqiptare. Zaimi përgëzoi LEN për bashkimin e forcave, uroi që ky bashkim të rritet e të zgjerohet, e të jetë gjithnjë faktor që i kontribuon përfaqësimit edhe më të drejtë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut raporton Nistori.

    Mbrëmë, pjesëtari i saj i lartë, Arbër Zaimi ka marrë pjesë në organizimin e koalicionit të opozitës – Lidhja Europiane për Ndryshim në kuadër të së cilit është nënshkruar edhe koalicioni për ndryshim mes liderit të Lëvizjes Demokratike – Izet Mexhiti, liderit të Alternativës – Afrim Gashi dhe Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

    “Erdha për të shprehur urimet më të përzemërta të kryeministrit Albin Kurtit dhe të gjithë ne”, tha mes tjerash Zaimi dhe kujtoi heronjtë kombëtar që nga Skëndërbeu e deri te Adem Jashari.

    Por theksin e vendosi te Adem Demaçi dhe Ukshin Hoti.

    “Ata janë mësuesit tanë”, tha mes tjerash Zaimi.

    Fjalimi i plotë i anëtarit të LVV Arbër Zaimi:

    I nderuari kryetar i Lëvizjes Besa Bilall Kasami
    I nderuari kryetar i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti
    I nderuari kryetar i Alternativës, Afrim Gashi
    E nderuara znj. Ardita Sinani, këshilltare e kryeministrit të Kosovës për Luginën e Preshevës
    I nderuari z. Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës për Republikën e Maqedonisë Veriore.

    Shumë të nderuar zonja e zotërinj deputetë, kryetarë komunash, miq e patriotë.

    U gëzova kur kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari Kurti më porositën që në 28 Nëntor të vij në Tetovë, dhe t’ju përcjell urimet më të ngrohta me rastin e festës sonë më të madhe, Ditës së Flamurit Shqiptar.

    Prej Gjergj Kastriotit, tek Rilindja Kombëtare, te Ismail Qemali, e te Adem Jashari dhe dëshmorët për çlirimin e trojeve shqiptare të pushtuara nga Serbia. Dhjetëra mijëra shqiptarë kanë vdekur gjatë shekullit të shkuar për lirinë, nën shenjën e 28 Nëntorit, e miliona kanë jetuar me ëndrrën për liri e bashkim. Kujtoj sot dy njerëz të shquar, që u dalluan edhe për faktin se kurrë nuk kanë hequr dorë nga thënia e të vërtetës: ata janë Adem Demaçi e Ukshin Hoti. Ata janë mësuesit tanë.

    E pra, baca Adem e baca Ukë kurrë një fjalë të keqe për projektin kombëtar nuk e kanë thënë kurrë asnjë fjalë nënvlerësuese, cinike, ironike. As kur kanë patur mospajtime me politikanë të partive të tjera shqiptare. As kur nuk u është dëgjuar fjala. Mospajtimet midis partive nuk duhet e nuk mund të jenë arsye për të na e dobësuar projektin dhe punën për të mirën e përbashkët.

    Ukshin Hoti shkruante: “Një politikë e cila mbështetet ekskluzivisht dhe vetëm në faktorët e jashtëm në dëm të faktorit të brendshëm, nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me popullin shqiptar.“ Sot ende ka nevojë që të forcojmë faktorin e brendshëm përmes rritjes, shpeshtimit dhe thellimit të bashkëpunimit mes subjekteve shqiptare kudo ku ka shqiptarë. Bashkëpunim në të mirë të demokratizimit, zhvillimit ekonomik e shoqëror, por edhe për ta luftuar padrejtësinë, korrupsionin e diskriminimin, e për t’u afruar më shpejt me Evropën.

    Le ta marrim shembull kombëtaren kuqezi, me forca të bashkuara ecet përpara më lehtë, edhe në rrugën evropiane.

    Ju përgëzoj për bashkimin e forcave, uroj që ky bashkim të rritet e të zgjerohet, e të jetë gjithnjë faktor që i kontribuon përfaqësimit edhe më të drejtë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por edhe si kontribues në progresin e në sigurinë e kësaj republike, të cilën ne si shqiptarë duam ta shohim sa më pranë rrugës demokratike e proevropiane, e sa më larg ndikimeve që vijnë nga Moska apo Beogradi.

    Edhe një herë ju uroj të gjithëve ju, të gjithë shqiptarëve këtu në Tetovë e në Maqedoninë e Veriut, Gëzuar 28 Nëntorin! /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Aziri: nuk guxojmë ta mbajmë peng Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    MPB: arrestohet personi që vendosi flamurin e Shqipërisë afër kryqit në Kodrën e Diellit / Angellov: do të vendoset ai Kishës Ortodokse

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë