Arratisja e Palevskit, nga Serbia përmes Bullgarisë në Turqi

    Është nisur për në Beograd, ku ka fjetur dhe më 2 dhjetor. Në ditën kur ministri Spasovski informonte se janë arrestuar persona për zhdukjen e Vanjës, i dyshuari kryesor Lupço Palevski Palço ka vazhduar arratisjen e tij për në Turqi. Ky është shkurtimisht konkluzioni i detajeve të arratisjes që ministri i Brendshëm Spasovski ndau me gazetarët, pasi policia turke e gjeti dhe arrestoi të dyshuarin kryesor për vrasjet. Palevski ka kaluar transit përmes Bullgarisë me një person tjetër që e ka transportuar dhe i cili pas dërgimit të Palevskit në Turqi, është arrestuar në pikën kufitare në Dojran ndërsa po kthehej në Maqedoni. Policisë, përkatësisht Sektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Interpolit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, më shumë u ka ndihmuar një operativ turk në qytetin Balikeshir, ku edhe ka qëndruar Palevski. I arratisuri me siguri ka dashur të mashtrojë policinë dhe ka lajmëruar se me taksi po niset drejt Stambollit. Por, ka zbritur nga automjeti dhe ka vazhduar në këmbë të kthehet në Balikeshir, ndaj është arrestuar në mes të autostradës.

    “E dinim nga burimi se ka marr taksi për të shkuar në Stamboll. Ka dalë nga Balikeshiri, është nisur drejt Stambollit dhe për një kohë të shkurtër është kthyer përsëri në Balikeshir. Ky është simulimi që ndoshta ka menduar se nuk do të zbulohet në këtë mënyrë”, deklaroi Ministër i Punëve të Brendshme.

    Se cili ishte destinacioni përfundimtar i Palevskit ende nuk është zbuluar. Në ndërkohë, atij tashmë i është caktuar paraburgim në Shkup dhe do të hyjë në fuqi sapo të sillet në Maqedoni. Mbrëmjen e kaluar tre bashkëkryerësve të tij dhe bashkëpartiakëve nga partia “E djathta”, si dhe babait të të miturës Vanja u janë caktuar 30 ditë paraburgim. Nga prokuroria e zbuluan versionin mbi të cilin bazohet hetimi për rrëmbimin dhe vrasjen e Vanjës nga Shkupi dhe 74-vjeçarit nga Velesi.

    “E kanë rrëmbyer personin nga shtëpia e tij në Veles me qëllim që ta detyrojnë që ta japë makinën e tij Citroen për ta përdorur për rrëmbimin e një të miture në Shkup. Pasi kanë hyrë në shtëpinë e tij, e kanë sulmuar fizikisht, e kanë lidhur dhe e kanë dërguar me veturë në afërsi të fshatit Rudnik, ku duke marrë pjesë në kryerje dhe me kontribut tjetër të veçantë në kryerjen e veprës, për përfitim dhe në mënyrë mizore e privojnë nga jeta me të shtënë nga armë zjarri të njërit prej të dyshuarve. Më 27 nëntor, katër të dyshuarit, të ndihmuar nga i pesti, rrëmbejnë një të mitur me qëllim që ta detyrojnë një anëtar të familjes së saj të ngushtë të japë para për ta kthyer fëmijën. Ata e kanë përdorur edhe makinën e konfiskuar. Më vonë e kanë vratë viktimën në mënyrë mizore dhe me qëllim”, thonë Prokuroria Themelore Publike.

    Spasovski ka treguar se janë gjetur dy armë dhe do të kontrollohen për të vërtetuar nëse vrasjet janë kryer me to. Ministri i brendshëm u përgjigj se ka mundësi të zgjerohet hetimi. Sipas tij, do të hetohet çdo indikacion, edhe për ndikim të jashtëm përmes partisë politike të Palevskit, që mund të ketë synuar destabilizimin e shtetit.

    “Paqja, stabiliteti, siguria nuk mund të kërcënohen nga askush. Një fole e tillë kriminale siç është bërë duhet të thyhet deri në fund. Ndërsa partitë e tilla politike që e bëjnë këtë me çfarëdo provinienca, siç është ajo që u krijua, duhet të çregjistrohen”, theksoi Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia pa bazë ligjore për dënimin me vdekje, burgimi i përjetshëm mbetet dënimi më i lartë

    Lajmi i rradhës

    Pendarovski: Palevski me dekada ka ndjellë urrejtje, sistemi nuk ka reaguar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë