Arrestohet ish-drejtori i Doganës, Dragan Daravellski

    Policia kufitare në “Tabanoc” ka arrestuar ish drejtorin e Doganës, Dragan Daravellski gjatë tentimit të tij që bashkë me familjarët të hynte nga Serbia në Maqedoni. Ndaj tij kishte fletarrest ndërkombëtar mbi bazën e dënimit të plotfuqishëm prej 7 viteve burg për “shpërdorim me detyrën zyrtare”, përkatësisht keqpërdorimin e 2.5 milion eurove.

    Daravellski ishte dënuar mbi dyshimet për mos kthimin e tatimit të Doganave në buxhetin e shtetit, si dhe shpronësimin e veturave zyrtare të Doganës në emër të institucioneve të tjera, në kundërshtim me ligjin. Me të filluar hetimi ndaj tij, ai ishte arratisur në Serbi. Në vitin 2006 kishte një tentativë për ta ekstraduar nga burgu hetues, por arriti të arratisej. Dhjetë vite më vonë, në 2016 kishte edhe një tentativë tjetër për ekstradimin e tij në Maqedoni, por autoritetet serbe kishin ndërprerë procedurën pak minuta para dorëzimit pasi me vonesë kishin mësuar se Daravellski posedon shtetësi serbe.

    Në vitin 2007 ai u dënua me vendim të plotfuqishëm me 7 vite burg, ndërsa gjykata kishte urdhëruar edhe konfiskimin e pasurisë deri në vlerë të dëmit buxhetor. Në vitin 2010 kishte nisur procedura e detektimit dhe konfiskimit të pasurisë së tij. Ndër pasuritë e para që u evidentuan nga autoritetet për menaxhimin e pronave të konfiskuara ishin një banesë luksoze në Shkup dhe një dyqan në Kumanovë. Autoritetet kishin hetuar dhe zbuluar edhe disa prona në emër të personave të tjerë, por që ndërlidheshin drejtpërdrejtë me Daravellskin duke bërë që në Vodno të Shkupit, t’i konfiskohet edhe një vilë vlera të cilës arrinte 1.4 milion euro.

    Meqenëse sasia e konfiskimeve nuk mbulonte vlerën e dëmit në buxhet, Qeveria kishte vendosur t’i konfiskonte edhe aksionet në vlerë prej 2 milion euro në kompaninë e tij “Skotiha”. Më pas i ishin konfiskuar aksione me vlerës rreth 700 mijë euro nga kompania “Jugooprema”, ish fabrika e tullave në Kumanovë “KIK” dhe tri kompani të tjera “Kozjak”, “Tërgotekstil” dhe ZIK “Skaçkovce” në Kumanovë. Vlera e madhe e aksioneve ishte konfiskuar nga dy banka ku Daravellski posedonte aksione, IK Banka ku gëzonte 2.5 për qind të aksioneve dhe STATER Banka nga Kumanova.

    Daravellski ishte njeriu më i pushtetshëm gjatë viteve 1998-2002 sa ishte në krye të Doganave. Ai njihej si dora e djathtë e ish kryeministrit Lupço Georgievski. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Rasti “Transportuesi” | Ish-kryetari i Manastirit, Vlladimir Taleski dërgohet në burg

    Lajmi i rradhës

    Komisioni miraton ratifikimin e marrëveshjes së FRONTEX

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë