Edhe pse sistemi arsimor në vend ka ende shumë sfida siç janë rezultatet e dobëta në teste ndërkombëtare, një buxhet arsimor i cili është shumë nën mesataren e BE-së, transformimi dixhital është efektiv, koherent dhe gjithëpërfshirës. Kështu thuhet në raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit në sferën e arsimit.
“Kjo është bërë duke nisur një menaxhim të ri në Sistemin Informativ Arsimor, pajisjen e shkollave dhe vënien në funksion të teksteve digjitale në arsimin fillor. Por autoritetet duhet të mundësojnë gjithashtu zhvillimin e aftësive dixhitale në të gjithë territorin e vendit, në arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe të rrisin kapacitetet e institucioneve arsimore dhe mësuesit duhet t’i zhvillojnë këto aftësi në përputhje me arsimin dixhital të BE-së, pra me planin e veprimit të vitit 2021-2027”, thuhet në raport.
Aty thuhet se Strategjia e Arsimit 2018-2025 është dokumenti kryesor që rregullon ndryshimet në sektorin e arsimit, por theksohet se ende nuk janë përcaktuar mirë mekanizmat e monitorimit të saj.
“Autoritetet duhet të përmirësojnë kapacitetet në sistemin arsimor, duke mundësuar optimizmin dhe ristrukturimin e rrjetit arsimor. Nevojitet një model i ri i financimit për arsimin fillor, i cili duhet të zhvillohet nga MASH në mënyrë që të rishpërndahen fondet efektive nëpër komuna. Shpenzimet publike për arsimin dhe trajnimin janë ulur lehtësisht në 3,17% të BPV në vitin 2024 (3,58% në vitin 2022), që është ende shumë nën mesataren e BE-së prej 4,7%. Buxheti i arsimit është ulur në masën e buxhetit të përgjithshëm të shtetit në vitin 2024 (9,15%), krahasuar me vitin 2023 (11,7%)”, thuhet në raport.
KE tregon gjithashtu se numri i nxënësve në shkollat fillore është zvogëluar për 0,83% në fillim të vitit shkollor 2022-2023, ndërsa numri i nxënësve në shkollat e mesme është zvogëluar për 2,52% krahasuar me vitin paraprak.
“Rezultatet e testit PISA të publikuar në nëntor të vitit të kaluar treguan dështimin e nxënësve në lexim, matematikë dhe shkenca natyrore, pra rezultate më të ulëta në krahasim me vitin 2018. Nxënësit arritën nën mesataren e OECD-së. Rezultatet tregojnë një përqindje të lartë të 15 vjeçarëve që nuk arrijnë të demonstrojnë njohuritë bazë (niveli 2), në lexim (73,6%), në matematikë (66,2%), dhe në shkencë (65,3%). Maqedonia e Veriut gjithashtu merr pjesë në sistemin TIMSS, si dhe në TALIS, me qëllim të sigurimit të të dhënave të bazuara në fakte për kushtet e punës së mësuesve”, shkruhet në raport.
Sa i përket arsimit të lartë shkruhet se numri i studentëve është në rënie.
“Në vitin akademik 2022-2023 kanë qenë të regjistruar 69.337 studentë. Sfida kryesore mbetet përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë përmes zhvillimit të proceseve të akreditimit dhe sigurimit të cilësisë. Duhet të krijohet një model i ri për financimin e arsimit të lartë”, rekomandohet në raport. /Koha/