Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, deklaroi se është e gatshme të përballet me kryetarin e Çairit, Visar Ganiu, i cili dje paralajmëroi se do ta padisë për pretendimet lidhur me ndërtimet pa leje në Çair të Shkupit dhe rrethanat rreth legalizimit të tyre.
“Do të kem kënaqësinë të përballem me të me të gjitha këto prova, kudo dhe në çdo platformë”, tha të enjten Arsovska.
Arsovska këtë e tha në brifingun për gazetarët, ku informoi se në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit (PTHPKK) është dorëzuar një dokumentacion i gjerë prej 3,200 faqesh lidhur me procedurat e dyshimta për legalizimin dhe ndërtimin e objekteve në Çair.
Ajo tha se dokumentacioni përmban prova për falsifikime, përfshirë edhe deklarata të nënshkruara nga persona që në momentin e ndërtimit të supozuar të objekteve pa leje ishin të mitur.
“Bëhet fjalë për ndërtesa që po ndërtohen tani, ndërsa flasim, pa asnjë dokumentacion, pa projekt, pa statikë, pa paguar asnjë denar ndaj komunës. Janë objekte të mëdha që nuk mund të fshihen, as të futen në xhep”,tha Arsovska, duke theksuar se bëhet fjalë për një operacion të qartë pastrimi parash.
Në lidhje me akuzat se rasti ka prapaskenë politike, ajo theksoi se kallëzime të ngjashme penale janë dorëzuar edhe në komuna të tjera pa polemizuar për dimensionin politik të tyre. Paralajmëroi se nëse institucionet nuk veprojnë në këtë rast, do të krijohet një precedent i rrezikshëm.






