As dënimet me burg nuk i trembin mashtruesit që falsifikojnë certifikata të Covid-19

    Fotografia: Ilustruese

    Teksa po vdiste nga Covid-19 në repartin e kujdesit intensiv, një i ri u tha mjekëve se certifikata e tij e vaksinës ishte e rreme. Ai nuk ishte personi i parë që pranoi para mjekëve se kishte marrë një certifikatë të rreme, por ishte më i riu. Fatkeqësisht, ishte shumë vonë dhe ai vdiq. Ky shembull nga spitali “Sibiu” në Rumaninë qendrore, i raportuar së fundmi nga mediat, dëshmon për seriozitetin e problemit, i cili po bëhet gjithnjë e më shqetësues në Europë. Në vazhdën e pandemisë Covid-19, shfaqja e shtameve të reja dhe përqindja e lartë e atyre që refuzojnë të marrin dozën e parë, çdo ditë e më shumë rritet numri i atyre që janë të gatshëm të paguajnë qindra euro për të marrë një leje udhëtimi apo hyrje të rreme në kafene.

    Rumania, Bullgaria dhe Greqia po bëhen qendra rajonale për furnizimin e certifikatave të falsifikuara të vaksinimit, ndërsa një dokument i disponueshëm kërkohet pothuajse në të gjitha vendet e rajonit. Ndaj këtij problemi nuk është imune as Maqedonia e Veriut. Deri më tani janë zbuluar katër raste të certifikatave të falsifikuara të vaksinimit Covid-19, mbi 430 raste të testeve PCR të falsifikuara për dalje nga vendi, si dhe janë ngritur 130 kallëzime penale për teste të falsifikuara PCR Covid. Pavarësisht kërcënimit për gjoba të rënda dhe burgim, shumë njerëz nuk heqin dorë nga ideja për të udhëtuar nëpër botë me një leje të rreme për Covid.

    Burra me certifikata grash, femijë me certifikatat e prindërve

    Sa më i ngushtë të jetë laku rreth personave të pavaksinuar, të cilëve u është ndaluar hyrja në objekte publike dhe udhëtimi, nëse nuk kanë konfirmim për dy doza të vaksinës, aq më këmbëngulës janë ata në gjetjen e rrugëve të tjera ilegale. Edhe pse, kushton shumë shtrenjtë. Duke poseduar dokumente të falsifikuara, qytetarët jo vetëm rrezikojnë të “fitojnë” gjoba të rënda, por vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e tyre, duke shmangur vaksinimin, i cili po bëhet i detyrueshëm në shumicën e vendeve.

    Burrat po përpiqen të hyjnë në lokale dhe objekte të tjera publike me certifikata të grave. Fëmijët abuzojnë me certifikatat e vaksinimit të prindërve të tyre. Edhe pse në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë rast si ai në Slloveni, ku një burrë ka thyer të gjitha rekordet në marrjen e 23 dozave të vaksinës në emër të dikujt tjetër për para, megjithatë tek autoritetet ekziston frika se disa nga qytetarët janë të gatshëm për çdo “mbetje” vetëm për të shmangur vaksinën dhe për të marrë në dorë certifikatën e lakmuar të udhëtimit.

    Dyshimet

    Edhe Inspektorati Shtetëror i Tregut thekson se qytetarët po tentojnë ta anashkalojnë ligjin në çdo mënyrë. Pak muaj pas hyrjes në fuqi të masave që e bëjnë të detyrueshme hyrjen në ambientet e mbyllura vetëm me certifikatë vaksinimi, inspektorët janë shpesh në terren me thirrjen e policisë, por ende kanë dyshime se deri ku mund të arrijnë në zbulimin e abuzimeve.

    “Ne jemi duke kontrolluar nëse objektet e hotelierisë kanë roje dhe nëse i kontrollojnë certifikatat, por kemi problem të konstatojmë nëse janë të besueshme apo jo. Zakonisht, kur hyjnë në një ndërtesë, të ftuarit kontrollohen në mënyrë të rastësishme – nuk është e mundur që inspektorët të shkojnë nga tavolina në tavolinë dhe të kontrollojnë të gjithë mysafirët”, tha për Deutsche Welle-n, përcjell Nistori, drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Aneta Simeska Dimoska.

    Një problem tjetër është se kur inspektorët kërkojnë një dokument identifikimi nga qytetarët për ta krahasuar me të dhënat e certifikatës, ndonjëherë ndodh që të jenë refuzues. “Nganjëherë nuk duan të na japin letërnjoftim dhe ndonjëherë fjalë për fjalë ndodh të na ikin. Do të largohen menjëherë nga objekti dhe në këtë mënyrë pengojnë identifikimin e tyre”, tha Dimoska.

    Për shkak të kësaj, inspektorët e terrenit shoqërohen shpesh nga policia

    “Ndodh zakonisht në mbrëmje që policia të na kërkojë në terren, kur bëhen kontrolle në kafene dhe qendra tregtare. Ndodh që të na presin më shumë se një orë që të arrijmë, sepse inspektorët janë pak dhe kompetencat tona janë të mëdha”, tha kreu i inspektoratit. Ajo paralajmëron se është e nevojshme që në inspektime të përfshihen edhe inspektoratet e tjera, të cilat kanë edhe kompetencë të veprojnë në përputhje me ligjin, për të arritur rezultate më të mira në luftimin e keqpërdorimit të certifikatave false.

    Gjobat

    Nga MPB konfirmojnë se në ndihmë të shërbimeve kompetente inspektuese marrin pjesë në kontrollet e përforcuara nga ana e inspektorëve. Kështu, në periudhën nga data 08.11.2021 deri më 14.11.2021, inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut me asistencë të MPB-së kanë kryer mbi 700 kontrolle për respektimin e masave dhe protokolleve.

    “Gjatë kontrolleve në një objekt është gjetur një person me certifikatë false dhe një person pa certifikatë për vaksinim, ndërsa në objektin e dytë janë gjetur tre persona pa certifikatë imunizimi kundër virusit Korona”, tha MPB për Deutsche Welle.

    Për shkak të parregullsive dhe mos respektimit të masave sipas Ligjit për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet infektive dhe për shkak të shkeljeve të protokolleve shëndetësore nga inspektorati, të dy objektet në Shkup janë mbyllur dhe janë lëshuar urdhërpagesa për kundërvajtje për gjoba sipas madhësisë së subjekteve. Këto kontrolle do të shpeshtohen në periudhën e ardhshme, njofton MPB.

    Përdorimi i certifikatave të falsifikuar është krim dhe sipas Kodit Penal, dënimi mund të jetë me gjobë ose deri në 3 vjet burg.

    Mickey Mouse dhe Adolf Hitler kanë marrë gjithashtu pasaportë të gjelbër

    Policia europiane ka zbuluar tashmë disa rrjete që falsifikojnë certifikata të vaksinimit. Në librezën e vaksinimit shkruajnë se personi gjoja ka marrë vaksinën kundër Covid-19 ose lëshohet një certifikatë digjitale për të ashtuquajturën pasaportë jeshile. Certifikata konsiderohet provë që pronari i saj është vaksinuar ose ka rezultuar negativ në një test të fundit.

    Informacioni rreth certifikatave të falsifikuara dukshëm goditi mediat europiane në tetor. Për shembull, ata u lëshuan me emrat: Adolf Hitler, i lindur më 1 janar 1990, Sponge Bob dhe Mickey Mouse. Supozimet ishin se këto certifikata ishin bërë ndoshta nga falsifikuesit për t’u provuar klientëve se ata mund t’i bënin ato.

    Sipas një hulumtimi të golem.de, shumica e pasaportave të vaksinimit për Mickey Mouse dhe Robert Koch janë lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, pasaportat e gjelbra të të cilëve janë gjithashtu të vlefshme në BE. Por ka edhe certifikata false që vijnë nga vendet e BE-së: Gjermania, Franca dhe Polonia. Shumica e kodeve krijohen përmes INTERFACE të rregullta online, gjegjësisht faqeve të internetit përmes të cilave përdoruesit e autorizuar – farmacistët apo punonjësit e spitalit, krijojnë certifikata dhe pasaporta për vaksinim. Disa faqe nuk mbrohen as me një fjalëkalim të thjeshtë.

    Tregtarët e vaksinave shpesh ofrojnë “produktet” e tyre në internet. Nëse krimi filloi të përhapej përmes “Dark Web-it”, ai më vonë u bë i disponueshëm përmes grupeve të veçanta dhe në rrjetet sociale. Certifikata të rreme të vaksinimit shiten për 150 dollarë. Ofrohet edhe zbritje për ata që do të kërkojnë dy ose më shumë. Bullgaria, Rumania dhe Greqia janë bërë qendra kryesore në rajon për prokurimin e dokumenteve të falsifikuara. Mediat kanë raportuar së fundmi se ka një betejë mes falsifikuesve në këto vende që do të ofrojnë çmime më të ulëta dhe më të përballueshme për të tërhequr personat kundër-vaksinave nga rajoni.

    Mediat greke zbuluan një skandal me lëshimin e kartelave jeshile për vaksinimin në Greqi nëpërmjet një platforme online, vetëm pak ditë pasi u raportua se shtetas grekë shkojnë në Bullgari dhe marrin dokumente false se janë vaksinuar me një çmim prej 300 euro. Një hulumtim gazetaresk zbuloi se certifikatat shiten për 160 euro dhe çdokush mund të marrë një certifikatë të vlefshme se është vaksinuar. Testet negative të antigjenit shiten gjithashtu për 60 euro dhe porositen nga njerëz që e dinë se janë pozitivë, por iu duhen për të shkuar në punë ose për të vizituar vendet publike.

    Serverët janë të sigurt

    Nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë për DW, përcjell Nistori, thonë se serverët, si dhe të dhënat e qytetarëve në sistemin Kombëtar “Termini im”, janë të sigurt dhe të mbrojtur, nuk ka pasur shkelje të sistemit nga jashtë, me çka do të rrezikoheshin të dhënat e qytetarëve.

    “Hyrja dhe regjistrimi në sistem janë të lejuara për personat e autorizuar dhe e gjithë kjo kontrollohet, nëse dikush fut informacion të rremë, e bën me vetëdije, gjegjësisht kryen krim”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë dhe bënë thirrje për këdo që ka dijeni për veprime të kundërligjshme, rastet t’i raportojnë tek autoritetet kompetente.

    Ata kujtojnë se pas ndërprerjes së përpjekjes për të qarkulluar certifikata të pavlefshme në BE këtë vjeshtë, menjëherë janë aktivizuar protokollet e sigurisë, të cilat kanë penguar përdorimin e certifikatave false të BE-së, me emra të rremë dhe të dhëna të rreme.

    “Ministria e Shëndetësisë bashkëpunon me të gjitha institucionet në vend, veprimet e kundërligjshme janë në juridiksionin e policisë dhe prokurorisë”, shtoi institucioni.

    Edhe kufijtë janë fabrika falsifikimi

    Në mesin e gushtit të këtij viti, BE-ja pranoi certifikatat e Maqedonisë së Veriut të vaksinimit kundër Covid-19. Kështu, Maqedonia e Veriut u bë vendi i parë në rajon për të cilin certifikatat Covid-19 u konsideruan ekuivalente me Certifikatën Dixhitale të BE-së.

    Të dhënat e policisë tregojnë se që nga ajo kohë janë zbuluar gjithsej katër raste të certifikatave të rreme të vaksinimit për vaksinim në pikat kufitare që hyjnë dhe dalin jashtë vendit. Dy prej tyre janë zbuluar nga zyrtarët policorë në Qendrën Rajonale për Çështje Kufitare Veri, përkatësisht në pikën kufitare Bllacë e Poshtme, ndërsa dy të tjerë janë zbuluar nga zyrtarët policorë të Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare Perëndim, përkatësisht në pikën kufitare Bllato.

    Para disa ditësh policia njoftoi për një rast në vendkalimin Tabanovc, ku një zyrtar policor ka lejuar një udhëtar të kalojë kufirin edhe pse nuk ka pasur test të vlefshëm PCR apo certifikatë vaksinimi. Ndaj tij do të fillojë procedimi.

    “Në periudhën e gushtit deri më 18 nëntor 2021 janë ngritur katër kallëzime penale për kryerjen e katër veprave penale të “falsifikim të dokumenteve” ndaj gjashtë autorëve që posedonin certifikata false të vaksinimit. Kontrolli i origjinalitetit të certifikatave të vaksinimit kryhet në vazhdimësi nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut”, tha policia.

    Sa i përket PCR testeve të falsifikuara – 439 (vitin e kaluar 33), më së shumti ato janë zbuluar në pikën kufitare “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit” dhe “Deve Bair”, ku shumica e personave kanë tentuar të largohen nga vendi me teste të rreme PCR. Në fushën e prodhimit dhe shitjes së testeve të falsifikuara për Covid-19 janë ngritur 130 kallëzime penale ndaj 149 autorëve (51 shtetas të huaj) për kryerjen e 124 veprave penale të “falsifikimit të dokumenteve”, me ç’rast janë falsifikuar testet Covid-PCR.

    “Sektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor ka shkëmbyer informacione me vendet europiane përmes shërbimeve të tyre përkatëse për testet e rreme PCR dhe certifikatat e vaksinimit. Bashkëpunimi është i suksesshëm dhe deri më tani nuk kemi hasur në vështirësi në marrjen e përgjigjes. Kjo për shkak se përdorimi i një dokumenti para institucioneve që është i rremë apo i falsifikuar është vepër penale pothuajse në të gjitha vendet europiane”, thonë nga MPB për DW, përcjell Nistori.

    Policia e RMV-së ka bashkëpunimin më të madh me vendet e rajonit, konkretisht me Kosovën dhe Serbinë dhe ka shkëmbyer informacione me Austrinë, Bullgarinë, Gjermaninë, Slloveninë, Turqinë dhe Zvicrën. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Moti gjatë periudhës së ardhshme

    Lajmi i rradhës

    LSDM: Në VMRO-DPMNE është kthyer thelbi i regjimit të Gruevskit, Zoran Stavreski

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë