22 nëntori, Dita e Alfabetit Shqip, bëri bashkë krerët qeveritarë në kuadër të akademisë solemne që organizoi Qeveria. Duke folur për rëndësinë e gjuhës, zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti theksoi se 116-vjetori i alfabetit na gjeti në një atmosferë debati të nxehtë, i nxitur qëllimisht për të prodhuar kriza artificiale.
“Kësisoj, presim nga Gjykata Kushtetuese që të merret me aspektet e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe qytetarit dhe jo të lëshohet në konsiderata politike të çështjeve aktuale dhe në këtë mënyrë të kthehet në palë në vend se të ngelet arbitër i paanshëm dhe larg ndikimeve polarizuese politike kur merr vendime”, tha Izet Mexhiti – Zv.kryeministër i parë.
Për rëndësinë e shqipes foli edhe kryeministri Hristijan Mickoski.
“Dita e Alfabetit të gjuhës shqipes është një rikujtim se shkrim-leximi dhe arsimimi mund të jenë ura lidhëse mes njerëzve, jo temat që na ndajnë, jo kërkesat politike të individëve që për shumë vite fshiheshin pas njerëzve të cilëve u vodhën fokusin e qartë te prioriteteve”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Në një ngjarje tjetër të veçantë, Ditën e Alfabetit e shënoi edhe BDI-ja. Nën moderim të ish ministrit të jashtëm Bujar Osmani, panelistët folën për rëndësinë e gjuhës shqipe dhe rrezikut për shfuqizimin e saj. Agim Nuhiu, në cilësinë e profesorit, përmendi statistikat për të cilat edhe televizioni Alsat ka njoftuar opinionin publik, e që kanë të bëjnë me inspektimet, parregullsitë dhe gjobat e ekzekutuara ndaj institucioneve që nuk kanë respektuar ligjin për gjuhët. Nga 347 inspektime, parregullsi është konstatuar në 246 prej tyre.
“Ajo që është shqetësuese është adresimi i gati 30 lëndëve në Gjykatë. Dhe Gjykata akoma nuk ka sjellë asnjë vendim sa i përket çështjes së shqiptimit të sanksioneve”, tha Agim Nuhiu, profesor universitar.
Por, vetë BDI-ja nuk ngriti asnjëherë zërin për mosndëshkimin e institucioneve që nuk e zbatonin ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Gazetari: Realisht edhe ju keni qenë personalisht ai i cili dilnit dhe bënit inspektime në institucione. A do të thotë kjo se e gjithë puna juaj dhe kjo arritje ka rënë në ujë meqenëse nuk ka asnjë gjobë ndaj institucioneve? Edhe tani ka institucione që nuk i respektojnë. Pse nuk e keni ngritur zërin?
“Ne po flasim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të rrënuar gjuhën shqipe. Tash a do të shtrojmë pyetje sa dënime ka bërë inspektorati? Kjo është ndërrim tezash. Temat e inspektoratit janë temë për inspektorët, jo për politikën!”, tha Bujar Osmani – BDI.
Gjatë kohës që ishte zv.kryeministër për çështje evropiane, Osmani shëtiste me veturë nga njëri institucion te tjetri, për të kontrolluar tabelat në hyrje të godinave, nëse e përmbanin edhe gjuhën shqipe. Kush nuk e kishte vendosur, iu telefononte i paralajmëronte. /Alsat/