FUSHATË ME IFTARE!

    Përdorimi i religjionit në politikë në vendet e Ballkanit është një çështje e ndërlikuar e në veçanti kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut. E kohëve të fundit ende pa filluar mirë fushat zgjedhore partitë politike shqiptare kanë filluar të shtrojnë iftare për qytetarët.  

    Sipas njohësve të fushës thuhet se përdorimi i religjionit në politikë është një përpjekje për të manipuluar ndjenjat dhe bindjet e njerëzve për qëllime politike. Nëse politikanët përdorin religjionin si një mjet për të fituar vota, kjo mund të tregojë një mungesë të ideve të qarta politike ose një strategji të qartë të fushatës. Në vend që të fokusohen në çështjet konkrete dhe politikat që do të ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve, ata mbështeten në simbolika dhe emocione.

    Analisti politik Blerim Hyseni në një prononcim për gazetën Koha, tha se kjo fushatë elektorale ka filluar shumë herët dhe ndoshta është fushata më e gjatë zgjedhore që Maqedonia ndonjëherë ka përjetuar dhe sipas tij subjektet politike (s)kanë kohë që të shkojnë derë më derë dhe të shfrytëzojnë mënyra të ndryshme që të arrijnë deri te votuesi.

    “Një nga këto mënyra është edhe organizimi i iftareve nëpër lagje e mëhalla e që personalisht mendoj që është e tepërt si dukuri që agjërimi apo ritet fetare të shfrytëzohen për përfitime politike. Kjo ka ndodhur thuaj se gjithmonë por kësaj here është më e theksuar sepse ka qëlluar që në këtë periudhë të jetë edhe muaji i Ramazanit”, tha Hyseni duke shtuar se sigurisht që e gjithë kjo bëhet në munguese të ofertës të qartë dhe joshëse për votuesit por vlerësoj që vështirë do ta kenë subjektet politike të premtojnë gjëra të pa realizueshme sepse tanimë vërejmë një vetëdije më të lartë te votuesit e thjeshtë.

    Në anën tjetër, komunikologu Abedin Ismaili, njëherit ligjërues në UEJL për gazetën Koha, ka deklaruar se fushatat në vendin tonë çdoherë kanë vakum për kritikë, pasi rrallë herë realizohen ashtu siç duhet. Sipas tij, elementi fetar shpesh herë është përdorë si çelës për të hap secilën derë të votuesit, por ajo që nuk reflekton pasqyrë të mirë është fakti se besimtarët e luhatshëm gjatë fushatave zgjedhore shndërrohen në “ulema” të natës.

    “Tani jemi dëshmitarë se pos iftareve politikanët po organizojnë edhe syfyre me qytetarët, që nuk ka asgjë të keqe. Por, e keqja qëndron te fakti kur paraqitet paksa një dozë ‘hipokrizie’ se gjatë muajit të Ramazanit, iftar e syfyr me qytetarët e për drekë diku larg syrit të qytetarëve që i ke votues potencial. Në fakt, përdorimi i elementet fetar në fushata zgjedhore nuk është tërësisht shkaku i mungesës së platformave politike, sepse i kanë programet e ngjashme të zgjedhjeve paraprake, pasi nuk është që i realizojnë apo zgjidhin problemet në tërësi e duhet të hartojnë diçka të re. Programe kanë por u mungon vullneti për t’i realizuar. E qytetarët krahas kësaj duhet të jenë vigjilent dhe të vëmendshëm që ligjërata fetare të mos pranojnë prej politikanëve, por të kërkojnë llogari e përgjegjësi para e pas iftarit kurdo e kudo që u dalin politikanët”, shprehet ai.

    Ndryshe, ekspertët njëzëri paralajmërojnë se është e rëndësishme që votuesit të jenë të informuar dhe të kritikuar ndaj këtyre taktikave. Ata duhet të kërkojnë nga politikanët të diskutojnë për politikat e tyre dhe të japin zgjidhje konkrete për problemet që shoqëria përballon. Kjo do të ndihmojë në krijimin e një platforme politike më të qartë dhe të përgjegjshme. Por në fund të fundit, vlerësimi i kësaj çështjeje varet nga perspektiva individuale e secilit.

    Lajmi Paraprak

    KOMPENSIMI I MUNGESËS: Vijnë punëtorët nga Azia në RMV

    Lajmi i rradhës

    Qytetarët në RMV të pakënaqur nga shërbimet e Administratës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë