As ndërtimtaria nuk i reziston korrupsionit në Maqedoninë e Veriut

    Godina të ndërtuara pa vende të parkingut dhe me mungesë të hapësirave të gjelbra, ndërtime të shumta pa leje që nuk po rrëzohen, interesat e investitorëve që vendosen para interesave të qytetarëve që pamundëson që banorët të jetojnë në kushte humane. Këto janë vetëm një pjesë e problemeve të shumta që përcjellin në periudhën e kaluar, sektorin e ndërtimtarisë dhe urbanizmin në vend. Njëherësh këto dy fusha me të madhe i nënshtrohen edhe korrupsionit, gjyqësori nuk po vepron mjaftueshëm, ndërsa qytetarët bile vlerësojnë se korrupsioni është problem edhe më i madh se papunësia, theksojnë pjesëmarrësit e tryezës së rrumbullakët, “Korrupsioni në urbanizëm dhe ndërtimtari”, nën organizimin e Koalicionit “Të gjithë për gjykim të drejtë”.

    Drejtoresha e OJQ Info Qendra, Biljana Bejkova thotë se qytetarët vlerësojnë se më së shumti korrupsion ka në lëshimin e lejeve ndërtimore, realizimin e mbikëqyrjeve të inspeksioneve, përgatitjes së planeve të detajuara urbanistike, realizimit të furnizimeve publike. Këto rezultate konfirmojnë se urbanizimi dhe ndërtimtaria janë ndër fushat që më së shumti i nënshtrohen korrupsionit, dhe atë për shkak të ndërlidhjeve që ekzistojnë, si interesat ekonomike, presionet politike, boshllëqet juridike, shton Bejkova. Edhe hulumtimet e OJQ Info Qendra, tregojnë se planet urbanistike se vjen e më shumë po harrojnë interesin publik, dhe në to po dominojnë planet për ndërtimin e pompave të benzinës, kantinave të verës, fotovoltaikeve etj. E gjithë kjo udhëzon për një zinxhir korruptiv ndërmjet planuesve, realizuesve, dhe mbikëqyrjes nga ana e institucioneve të shtetit në nivel lokal dhe kombëtar, shton Bejkova.

    Njëherësh edhe inspektorët lokal të ndërtimit, si dhe të gjithë inspektorët lokal, janë sipas ligjit të pavarur në veprimet e tyre, por në të njëjtën kohë janë përgjegjës për punën e tyre para kryetarëve të komunave. Fakti që kryetari i komunës është edhe punëdhënësi edhe urdhëruesi i vendimeve të caktuara, përbën në vetvete kundërthënie dhe është kontestues në shumë aspekte si dhe paraqet së paku një konflikt klasik të interesit.

    Nga ana tjetër, sipas kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, korrupsioni gjenerohet nga disa faktorë si niveli i ulët i integritetit të faktorit njeri, ndikimit të fuqishëm politik në sektorin publik dhe shpërdorimi e autorizimeve, mosndëshkimi për shkak të problemeve të rregullta në sundimin e ligjit dhe shkallës së ulët të sanksionimit të sjelljes korruptive si dhe sistemit jo përkatës të mekanizmave të mbikëqyrjes dhe kontrollit në sektorin publik.

    Këta faktorë rreziku janë emërues i përbashkët për të gjithë sektorët e analizuar që i përmban Strategjia kombëtare për luftimin e korrupsionit të përgatitur nga Komisioni Shtetëror, e cila është miratuar nga Parlamenti në prill të vitit të kaluar. Kjo strategji përfshin 13 sektorë në të cilët të gjithë këta faktorë rreziku gjenerojnë korrupsion. Janë përfshirë edhe dy fusha horizontale, punësimi dhe prokurimi publik, sektori i urbanizmit dhe ndërtimtarisë si sektor me rrezikshmëri të lartë është pjesë e strategjisë.

    Njëherësh legjislacioni për kryerjen e punëve në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës dhe planifikimit hapësinor parashikon nxjerrjen e lejeve, zgjidhjeve, licencave dhe dokumenteve të tjera, ku rëndësia e këtyre dokumenteve, është edhe e madhe nëse merret parasysh se ndërhyrjet në ndërtimtari për të cilat kërkohet miratim janë si zakonisht shumë të shtrenjta, dhe kjo lë hapësirë për presione, ndikime dhe nxitje të sjelljes korruptive. Kjo për shkak se lëshimi i dokumenteve të ndryshme si lejet dhe mbikëqyrja e inspeksionit, vlerësohen si pika që mund të gjenerojnë rreziqe të larta nga korrupsioni në këtë sektor, shton Ivanovska.

    Drejtoresha ekzekutive e Bashkësisë së Njësive të Vetë qeverisjes Lokale, Dushica Perishiq, thotë se problemet e theksuara në tryezën e rrumbullakët, sjellin në përfundimin se kompetentët janë të përgjegjës në mënyrë të pamjaftueshme, ndërsa faj kanë edhe organet e drejtësisë që nuk veprojnë.

    Komunat që menaxhojnë në bazë të pëlqimit të lëshuar nga pushteti qendror janë përgjegjëse për përgatitjen e planeve detale urbanistike dhe planeve urbanistike, janë përgjegjëse për dhënien e lejeve të ndërtimit, dhe tani arsyeja e vetme se pse po ndërtohen kaq shumë objekte, është se komunat nuk kanë para, apo nuk kanë mjete financiare.

    “Nëse disa prej tyre nuk lëshojnë leje ndërtimi dhe nuk bëjnë të ardhura nga shërbimet komunale, nuk do të mund t’i paguajnë pagat sipas situatës aktuale, andaj edhe janë nën presion për të nxjerrë shumë më tepër leje, nga sa kishin planifikuar”, thotë Perishiq.

    Ajo porositi se nëse komunat do të kishin mjete të mjaftueshme, kjo situatë do të parandalohej.

    Shembujt tregojnë se gjyqësori ynë është ndalur, shembulli që kemi me mos ardhjen e organeve shtetërore në këtë debat, tregon se ata nuk kanë kapacitete të bëjnë punën e tyre dhe të jenë përgjegjëse për atë që marrin para, pra të mbikëqyrin dhe të ndëshkojnë kurdoherë. Fajin do ta përqendroja në një vend krejt tjetër, dhe jo tek komunat, sepse të gjithë ata që kanë gabuar, edhe duhet të mbajnë përgjegjësi, theksoi ajo.

    Ndryshe, analizat e OJQ Info Qendra tregojnë se sipas njohësve të e mirë të kësaj lëmie, në çdo hap që nga planifikimi deri te ndërtimi i një objekti ekzistojnë pika apo rreziqe për korrupsion. Vetë procedura e miratimit të Planeve të përgjithshme urbanistike, dhe veçanërisht të Planeve të detajuara urbanistike, dhe ndryshimet e tyre që si zakonisht financohen nga investitorët, përbëjnë një rrezik në vetvete, sepse zakonisht bëhen sipas dëshirës dhe nevojave të tyre. Investitori synon gjithmonë të marrë sa më shumë sipërfaqe katrore të dobishme, duke mos marrë parasysh standardet e ndërtimit dhe interesin publik në përgjithësi.

    Kryetari i komunës jep lejen e ndërtimit, por këtu nuk përfundojnë rreziqet apo manipulimet, për shkak se investitori ka të drejtë të kërkojë ndryshime në plan gjatë ndërtimit dhe më pas ndodhin në fakt abuzimet më të mëdha, si për shembull një ndërtesë katërkatëshe rritet në një ndërtesë shtatëkatëshe, etj. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Institucionet në Maqedoni nuk angazhohen mjaftueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës

    Lajmi i rradhës

    Përdoruesit kundër Google, shqetësim për çështjen e privatësisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë