Fortesa Asani ishte në “Ftesë në studio” me Xhemazije Rizvanin për të diskutuar mbi temën sa të rinjtë që shkollohen jashtë kthehen të ndajnë përvojat e fituara në vend.
Sipas Fortesës më shumë ikin se sa kthehen edhe pse ajo ka vetë është nga ato që ka marrë përvoja në Angli dhe Amerikë dhe sërish ka vendosur të punoj dhe të jap kontribut në Tetovë.
Sipas saj që të kthehen të rinjtë duhet vullneti politik që të motivojë të rinjtë të kthehen duke u ofruar vende pune dhe mjete logjistike për realizimin e projekteve të ndryshme.
Fortesa Asani është hulumtuese shkencore në Institutin Max van der Stoel. Ajo ka përfunduar studimet bachelor në UEJL dhe ka magjistruar në Politika Ndërkombëtare, Sociale dhe Publike në “London School of Economics and Political Science” si bursiste e Chevening për grupin 2022-23.
Në vitin 2019, ajo u përzgjodh si pjesë e programit të lidershipit Community Solutions Program të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, ku mori arsim ekzekutiv dhe profesional nga George Mason University dhe përfundoi praktikën e saj në The Governance Lab (bazuar në Universitetin e Nju Jorkut).
Ka punuar me disa organizata joqeveritare lokale dhe ndërkombëtare si Democracy Lab, Women’s Forum Tetovo, Këshilli Kombëtar Rinor i Maqedonisë dhe Qendra për Kërkime Strategjike dhe Dokumentim (FORUM).
Kërkimet e saj fokusohen në kuptimin e çështjeve më të ngutshme sociale si varfëria, pabarazitë dhe mbrojtja sociale, si dhe mënyrat se si politikat sociale mund të adresojnë dhe zgjidhin këto sfida. /Nistori/