Flaka po djegë “gjurmët” e drejtësisë në RMV!

    Në mëngjesin e ditës së martë mori flakë arkivi i Gjykatës së Kumanovës. Për momentin ende nuk dihen shkaqet e zjarrit dhe dëmi material që është shkaktuar. Një pikëpyetje e madhe është ngritur në opinionin publik se si dhe pse pikërisht zjarri u përhapë në bodrumin e Gjykatës aty ku ndodhet arkivi?

    Prokurorja Teuta Bediu Ramadani ka bërë të ditur se prokuroria e Kumanovës së bashku me ekspertë dhe mjekësi ligjore do të hetojnë shkaqet e zjarrit, sapo të krijohen kushtet. “Ende nuk ka kushte për të kryer kontrollet e duhura për të ardhur deri te shkaqet e zjarrit. Fillimisht dyshojmë për një instalim elektrik, por nga kontrolli më i detajuar do të tregohet se cilat janë arsyet. Gjykata është një ndërtesë e vjetër. Bashkë me ekipin e SPB-së do të bëjmë edhe një hetim, do të thërrasim edhe ekspertë, nëse ka nevojë do të thërrasim edhe prokurorë të tjerë”, deklaroi Ramadani.

    Profesori universitar Bashkim Selmani për gazetën Koha, ka deklaruar se Ligji për arkiva e parasheh saktë se si duhet të jetë siguria, funksionimi, lagështia, ajrosja dhe kualiteti i letrës. Jo vetëm gjykata e Kumanovës, siç tha ai, por edhe Gjykatat e tjera i kanë arkivat në bodrum, kjo nuk është edhe në përputhje me standardet për arkiva. “Problem kemi edhe me instalimin e rrymës, e të gjithë këtyre duke i’a shtuar edhe keqpërdorimet nga faktori njeri ku shpesh kemi edhe humbje të lëndëve gjendja përkeqësohet edhe më shumë. Është mirë të kemi një Agjenci të veçantë, e cila do të merret me sigurimin e lëndëve në arkiva dhe besoj se keqpërdorimi do të ishte më i ulët. Pasi është problem i madh sepse vetëm arkivat e Gjykatave kanë zjarre”, ka deklaruar Selmani. Ai ka shtuar se në gjyqësor janë dhënë shumë mjete ndërkombëtare për të zbatuar ligjin dhe për të sunduar shteti i së drejtës.

    “Ne kemi parë që gjatë kohës së Gruevskit, se si disa gjykatës kanë dirigjuar dhe funksionuar me porosi dhe kanë keqpërdorur pozitën zyrtare. Derisa ne jo që ende i kemi po të njëjtë gjyqtarë por ata ende avancohen”, nënvizoi ai.

    Selmani në fund shtoi se për të sunduar ligji dhe shteti i së drejtës duhet të bëhet me elementin ndërkombëtar pasi ne si vend nuk kemi as kapacitete dhe as vullnet për të pasur gjykata funksionale.

    Derisa dje partitë opozitare kanë hedhur dyshime mbi shkaqet e zjarrit në këtë Gjykatë. Nga Alternativa, kanë thënë se zjarri në Gjykatë ne Kumanovës është edhe një goditje për besueshmërinë e gjyqësorit. Është interesante se në çdo 2-3 vite na digjen gjykatat, rastësisht këto djegie ndodhin në hapësirat ku mbahen arkivat dhe në asnjërin rast deri më tani nuk është gjetur fajtori. Jo rastësisht edhe në sondazhet e besueshmërisë së institucioneve Gjyqësori është e fundit për nga besimi”, u shprehën nga Alternativa.

    Për zjarrin në Kumanovë kanë reaguar edhe nga VMRO-DPMNE. Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski tha se zjarret dhe vërshimet në institucione janë shenjë se qeveria po përgatitet të largohet. “Autoritetet po përgatiten të largohen dhe ndoshta besojnë se do të mund ta fshehin krimin. Çdo krim, dëshmi e krimit, por edhe aksidente të supozuara dhe dëshmi të aksidenteve të supozuara dhe zjarreve e përmbytjeve pas ndërrimit të pushtetit do të hetohen tërësisht. Do të ketë përgjegjësi”, tha Stoilkovski.

    Gjykata është rikonstruktuar në vitin 2000 dhe në 2018, ndërsa Prokuroria është rikonstruktuar disa vite më parë. Dje në Kumanovë kanë shkuar ekspertë për hetime kriminalistike dhe teknike dhe ekspertizë, të cilët, siç ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, do të hetojnë pse ka shpërthyer zjarri.

    Lajmi Paraprak

    Kasami e kuptoi nga mediat se komuna e Tetovës e ka ndihmuar Çairin në mbledhjen e mbeturinave (Video)

    Lajmi i rradhës

    Tetovë, vera sjell telashet për të sëmurët kronikë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë