Asgjë konkrete në protokollet e MASh-it sa i përket dhunës nëpër shkolla

    Dhjetë rekomandime tashmë të miratuara nga Qeveria do t’u dorëzohen shkollave për rritje të sigurisë në objektet shkollore dhe parandalimin e dhunës mes moshatarëve. Ministri Jeton Shaqiri tha se mes tjerash rekomandohet që të gjitha pushtetet vendore, në bashkëpunim me Qendrat Ndërkomunale për punë sociale, të formojnë ekipe profesionale në nivel komunal, fokusi i të cilave do të jetë biseda me secilin fëmijë, në secilën shkollë. Gjithashtu, Shaqiri tha se rekomandohet të gjitha shkollat fillore dhe të mesme që të mbajnë takime me të gjithë prindërit/kujdestarët me temë: përmirësimi i proceseve, sigurisë, organizimi dhe kushtet në objektet shkollore dhe rrethinën.

    “Në situata krize që mund në mënyrë negative të ndikojnë në sjelljen e nxënësve, është e nevojshme që udhëheqësia, mësimdhënësit dhe shërbimet profesionale të përgjigjen në mënyrë përkatëse, të diskutojnë dhe të ndikojnë në gjendjen mentale të të rinjve, të ofrojnë mbështetje për tejkalimin e sfidave. Çdo shkollë duhet të bëjë protokoll për mënyrën e shfrytëzimit të celularëve të nxënësve dhe mësimdhënësve gjatë kohës së orëve të mësimit dhe në hapësirat e shkollës”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.

    Sipas Shaqirit, rekomandohet që çdo shkollë të sigurojë kushte hapësinore për realizimin e takimeve mes nxënësve, bashkëpunëtorëve dhe psikologut. Ndërkohë Qyteti I Shkupit dhe komunat të krijojnë programe shtesë për parandalimin e dhunës.

    “Të zhvillojnë dhe forcojnë në mënyrë shtesë programet parandaluese për promovimin e mirëqenies së nxënësve, mbrojtjen nga dhuna, keqpërdorimin dhe neglizhencën, parandalimin e diskriminimit, bashkëpunimin me prindërit, përkatësisht me kujdestarët. E nënta, theksohet se secila shkollë të sigurojë kushte hapësinore për bashkëpunëtorët me qëllim që të jenë të hapur për nxënësit, dhe në qoftë se kanë nevojë të caktojnë takim ballë për ballë me psikologun e shkollës së tyre”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.

    Shaqiri kujton se vazhdojnë të jenë në funksion adresat elektronike për paraqitje të dhunës ku deri më tani janë marrë rreth 30 mesazhe. Disa prej tyre janë sugjerime të ish-pedagogëve se si të ndikohet në uljen e dhunës mes bashkëmoshatarëve, dhe disa janë raportime nga nxënës se kanë qenë viktima të një forme të caktuar të dhunës nga bashkëmoshatarët. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Çdo hotel dhe restorant në Ohër kërkon kuzhinier dhe punonjës dhome

    Lajmi i rradhës

    Pendarovski: Nuk rrezikohet siguria e shtetit, nëse vendosen në Kushtetutë etnitetet më të vogla

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë