Aleanca për Shqiptarët ka dënuar ashpër keqpërdorimin e fëmijëve nga Afganistani nga Ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani, për, siç u shprehën në reagimin e tyre, motive të ulëta politike dhe vetë-promovimi në rrjetet sociale.
“Publikimi i fotografive dhe videove të fëmijëve dhe të familjeve të persekutuara politikisht, është mënyra më e vrazhdë e keqpërdorimit të fatkeqësive njerëzore dhe veçanërisht atyre të fëmijëve, si dhe rrezikim i drejtpërdrejtë i jetës së disidentëve politik afganë. Për të qenë ironia edhe më e madhe, shumë ekipe mediatike kanë informuar se nga kabineti i Osmanit janë ndaluar të ndjekin këtë ngjarje me arsyetimin se ka të mitur pamjet e së cilëve nuk guxojnë të publikohen. Kjo dëshmon edhe një herë nivelin tragjik në të cilin kanë rënë funksionarët e BDI-së për shkak të frikës nga humbja në zgjedhjet lokale dhe se ata nuk zgjedhin metoda për të fituar ndonjë votë, qoftë edhe duke abuzuar me fatkeqësinë njerëzore”, thuhet në reagimin e tyre.
Paraprakisht, ka reaguar edhe Ambasada për fëmijë “Megjashi”, e cila ka kërkuar që urgjentisht të largohen videot dhe fotografitë e fëmijëve nga Afganistani, të cilët të hënën në mbrëmje arritën në aeroportin e Shkupit si pjesë e grupit të parë prej 149 refugjatë nga Afganistani. Prej këtu kanë shtuar se, është koha që politikanët që keqpërdorin fëmijët për qëllime politike, të mbajnë përgjegjësi.
“Partitë politike dhe figurat politike nuk arrijnë të kuptojnë plotësisht cili është interesi më i mirë i fëmijës. Ata edhe më tej i përdorin në mënyra më të ndryshme për marrjen e pikëve politike. Çdo rast kur një politikanë do të takohet me një fëmijë dhe do të fotografohet publikisht mund të konsiderohet si fushatë dhe kërkon përgjegjësi dhe përgjigje të qartë se ndaj çka dhe kujt kontribuon ajo fotografi”, thonë nga Megjashi.
Prej aty kanë shtuar se, madje edhe në raste kur bëhet fjalë për mbrojtje direkte apo ndihmë të fëmijëve, fokusi vazhdimisht duhet të jetë në atë që nevojitet të bëhet për fëmijët, si dhe në arsyet pse ata fëmijë gjenden në atë situatë të vështirë dhe jo në politikanë apo institucionet të cilët ndihmojnë, ndërsa atë e kanë për detyrë.