Ashensorët mbeten vetëm formalitet, garazhet shumëkatëshe në Shkup barrë për qytetarët

    Ashensorët e garazheve shumëkatëshe në Shkup, nuk funksionojnë. Qytetarët thonë se edhe pse garazhet shumëkatëshe ekzistojnë, të njëjtat shpesh i evitojnë për shkak të problemit të ashensorëve që nuk punojnë. Disa qytetarë të cilët kishin parkuar veturën në katin e pestë në një nga garazhet shumëkatëshe, iu deshtë që të ngjasin shkallët së bashku me çantat e rënda.

    “Në këmbë ngjitemi dhe ashtu zbresim. E rëndë? Edhe të jetë e vështirë e kemi patjetër,” tha një qytetar.

     “Është shumë e mirë, për kondicion është shumë punë e mirë. Po bëj hajgerë,” tha një tjetër qytetar.

    Garazhet shumëkatëshe në Shkup, janë nën kompetencën e Qytetit të Shkupit dhe menaxhohen nga Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit”. Nga Ndërmarrja thonë se kanë probleme me ashensorët, pasi kompania e zgjedhur në tender nga ish kryetarja e Shkupit, nuk i riparon ashensorët dhe nuk u përgjigjet thirrjeve të tyre për mirëmbajtje të rregullt.

    “Bëhet fjalë për një kompani që nuk i servison ashensorët. Do ta ndërpresim kontratën, pasi pavarësisht vërejtjeve të shumta me shkrim nuk ndërmerren masa për servisimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Tashmë është hapur edhe një tender për përzgjedhjen e një kompanie të re,” tha Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit”.

    Sipas Ndërmarrjes, ashensorët e garazheve vandalizohen vazhdimisht, pasi bëhet fjalë për garazhe të hapura që funksionojnë 24 orë në ditë, gjë që e vështirëson mirëmbajtjen e tyre.  Parkimi në garazhet shumëkatëshe të Qytetit të Shkupit kushton 30 denarë për orë, por për shkak të problemit me ashensorët, qytetarët së fundmi i evitojnë të njëjtat. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Si mund të tërheqë turistë Çarshia e Vjetër e Shkupit, kur mungojnë kujdesi dhe zhvillimi nga pushteti?

    Lajmi i rradhës

    MPB në “gjah” ndaj mashtruesve të kilometrazhit të veturave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë