ASNJË AFAT PËR PËRFUNDIMIN! Autostrada Kërçovë-Ohër pezull

    Përfundimit të autostradës Kërçovë-Ohër, edhe pas dhjetë vitesh ndërtimi nuk po i shikohet fundi. Më shkurt po bëhen dhjetë vite që kur u lëshuan lopatat e para në këtë aks rrugor të gjatë 57 kilometra, mirëpo edhe pas disa tejkalime të afateve, si duket do të kemi edhe një zgjatje të afatit për lëshimin në përdorim të saj, edhe pse me marrëveshjen fillestare ishte paraparë që ajo të përfundojë që para gjashtë vitesh. Autostrada që lidh Kërçovën me perlat turistike të Maqedonisë, Strugën dhe Ohrin, jo vetëm që nuk është funksionale akoma , por përgjatë ndërtimit të saj janë paraqitur më shumë “vrima” në planin e realizimit të saj, kishte trase të gabuara, rrëshqitje dheu dhe çmimi gati u dyfishua. Edhe pse në vitet e kaluara janë apostrofuar fajtorët, mirëpo askush nuk ka marrë ende përgjegjësi për faktin se autostrada nuk ka përfunduar pas kaq vitesh.

    KODRA KA RËNË NË AUTOSTRADË

    Kompetentët thonë se duhet mirë të analizohet pse ka kaq shumë lëshime, dhe pse në pjesët e përfunduara të autostradës para vitit të ri, ka pasur 11 rrëshqitje dheu dhe si kodra të tëra kanë rënë në autostradë. Projektuesit duhet të pyeten se si mund të projektonin një rrëshqitje dheu që bie menjëherë në autostradë. Autostrada është 80 për qind e përfunduar, por rrëshqitjet duhet të rregullohen.

    Nga ana tjetër, punimet për ndërtimin e kësaj autostrade kanë filluar në shkurt të vitit 2014, nën qeverisjen e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe BDI dhe është dashur të përfundojnë deri në vitin 2018. Por ndërtimi u vonua dhe ndërkohë erdh qeveria e re. Sipas arsyetimit të institucioneve kompetente, zgjatja është kryesisht për shkak të zgjidhjes së çështjeve pronësore juridike, gabimeve në projektim dhe lëshimeve të tjera, siç janë hyrje daljet në autostradë. Me një aneks të Marrëveshjes, fillimisht afati i ndërtimit ishte shtyrë deri më 30 qershor 2021 dhe më pas afati ishte shtyrë sërish edhe për dy vite të tjera, pra deri në fund të vitit 2023. Sipas vlerësimeve fillestare, ndërtimi i autostradës nga Kërçova deri në Ohër është dashur të kushtojë 374 milionë euro, por pas anekseve të shumta shtesë ka arritur në gati 600 milionë euro.

    Sikur të mos mjaftonin problemet e ndryshme në ndërtim dhe gabimet gjatë projektimit, tani sërish janë paraqitur rrëshqitje të dheut dhe po vijojnë procedurat për zgjidhjen e tyre në seksionin e parë dhe të dytë. “Problemet e realizimit vijnë nga aspekti projektues dhe teknik. Shteti do të vazhdojë të punojë në trasenë në periudhën e ardhshme, duke zgjidhur pjerrësitë dhe rrëshqitjet, duke kapërcyer pikat e diskutueshme dhe problemet e shfaqura të projektit”, thotë ministri i transportit, Bllagoja Boçvarski.

    Nga Ndërmarrja shtetërore e rrugëve thonë se kjo paraqet një shembull të keq se si projektohen dhe realizohen projektet. “Ky është një shembull tipik sesi në shtetin tonë realizojmë një projekt shumë të keq. Kështu thonë ekspertët, kështu thotë raporti i Revizionit të Shtetit”, kështu thotë eksperti Fidik me raportin e tij. “Prandaj jemi këtu të gjithë bashkë, për të parë të gjitha këto probleme që dalin gjatë ndërtimit të kësaj autostrade”, thotë drejtori i Ndërmarrjes shtetërore të rrugëve, Ejup Rustemi. Sipas tij deri tani janë paraqitur gjithsej 13 rrëshqitje të dheut, prej të cilave dy datojnë prej më herët, që kërkojnë zgjidhje teknike si projektime të reja që tërheqin edhe miratime dhe ndoshta edhe shpronësime të reja të tokës.

    Nga Ministria e Transportit thonë se këto janë aktivitete specifike planifikuese, për të cilat duhet të informohen me kujdes opinioni për procedurat që do të pasojnë në periudhën e ardhshme. “Është e nevojshme të hapet një procedurë për projektim plotësues, pastaj të thirret një rishikim i atij dokumentacioni të projektit, nga i cili do të rezultojë një lëndë-llogaritje që do të japë sasitë dhe mënyrën e realizimit të ri, pra zgjidhjen e atyre shpateve, pas së cilës mekanizimi do të nisë punën në trasenë e re sipas dokumentacionit të ri të projektit”, thekson ministri Boçvarski.

    Në pjesët e mbetura të trasesë që nuk janë përfunduar punët po rrjedhin rëndom, ndërsa po negociohet me kompaninë Sinohidro për afatet e reja të realizimit të punimeve. Harxhimet shtesë pas paraqitjes së rrëshqitjeve të reja do të dihen pas konstatimit të zgjidhjeve teknike, që do të përcaktojnë edhe mjetet shtesë eventuale financiare.

    MANGËSI TË SHUMTA

    Në ndërkohë, Revizioni Shtetëror ka kryer auditimin e raporteve financiare së bashku me auditimin e përputhshmërisë së Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore për vitin 2022. Me auditimin e tyre është konstatuar mungesa e një qasjeje sistematike dhe analitike dhe gatishmëria e pamjaftueshme në planifikimin, projektimin, ndërtimin dhe rikonstruksionin e pjesëve rrugore në të gjithë vendin, gjë që shkakton rritje të vlerës së kontratave të lidhura dhe zgjatje të afatit për ndërtimin/rikonstruksionin e seksioneve. Në pjesën e çështjeve kyçe, Enti Shtetëror i Revizionit raporton për ndërtimin e pjesës rrugore Kërçovë – Ohër në bazë të Ligjit për realizimin e projekteve infrastrukturore për ndërtimin e rrugës Miladinovci-Shtip dhe rrugës Kërçovë-Ohër.

    “Në të njëjtën kohë, theksojmë se mangësitë në dokumentacionin e projektit, shpronësimet e pazgjidhura të tokës, si dhe burimet e pamjaftueshme njerëzore dhe teknike nga ana e kontraktorit, ndikuan në zgjatjen e procesit të ndërtimit dhe shkaktuan një dalje shtesë të burimeve financiare përtej atyre të rëna dakord fillimisht”, theksohet në raport.

    Në periudhën maj 2018 deri dhjetor 2021 janë miratuar pesë ndryshime të kontratës themelore, ndërsa me anekset është zgjatur për gjashtë vite afati i përfundimit apo deri më dhjetor 2023. Për punimet shtesë dhe të paparashikuara është rritur vlera e projektit për 187 milionë euro duke arritur në 598 milionë euro, me çka kostoja e një kilometri rrugë është rritur nga 7.3 në 10.5 milionë euro.

    Në fund të vitit 2022, investimet e përgjithshme në seksion janë rreth 512 milionë euro, ndërsa të njëjtat deri në nëntor 2023 do të arrijnë shumën prej rreth 575 milionë euro. Deri në fund të vitit 2022, realizimi i ndërtimit të segmentit rrugor Kërçovë-Ohër sipas situatave të përkohshme të paraqitura arrin në 66 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratës së lidhur ose (397 milionë euro), dhe këto të dhëna, që nga punimet e kryera në gusht 2023, arrijnë në 72 për qind (429 milionë euro).

    Deri në ditën e përfundimit të rishikimit të nënseksionit të parë, të dytë dhe të katërt të segmentit Kërçovë-Ohër janë shfaqur 11 rrëshqitje të reja, të cilat më tej ndikojnë në nevojën e variacioneve të reja për tejkalimin e situatës, duke e zgjatur afatin për përfundimin dhe pagesën e burimeve financiare shtesë.

    Revizioni shtetëror ka konstatuar nga incizimet me dron dhe raportet e organeve mbikëqyrëse se pjesa më e madhe e rrugës është e trasuar, janë ndërtuar 25 viadukte, ndërsa seksione të ndryshme janë në faza të ndryshme ndërtimi.

    Në raporte, arsyet kryesore për ngadalësimin e ndërtimit të seksionit, përveç mangësive të projektit, përmenden edhe: shpronësimi i vonuar për shkak të marrëdhënieve juridike të pazgjidhura pronësore, si dhe shpronësimi shtesë i tokës për shkak të nevojës së shfaqur për të zbutur prerjet e shpateve, nevoja për dislokim të objekteve të infrastrukturës mbitokësore dhe nëntokësore (linjat e energjisë elektrike, linjat e transmetimit dhe komunikimit të energjisë, instalimet e ujësjellësit dhe kanalizimeve), si dhe objektet individuale banimi dhe tregtare që përkojnë me gjurmën e seksionit, miratimi i landfilleve të reja në terren, për shkak të rritjes së gërmimeve të pritura në prerje gjatë zbutjes së shpateve të paqëndrueshme dhe numrit të pamjaftueshëm të personelit teknik, mekanizimit dhe pajisjeve të ofruara nga kontraktori (nënkontraktorët).

    Njëherësh mangësitë në dokumentacionin e projektit, shpronësimet e pazgjidhura të tokës, si dhe burimet e pamjaftueshme njerëzore dhe teknike të siguruara nga kontraktori, ndikuan në zgjatjen e ndërtimit. Duke marrë parasysh shtrirjen dhe rëndësinë e projektit të seksionit të rrugës Kërçovë-Ohër, kushtet e deklaruara tregojnë nevojën për një qasje më analitike në planifikimin e projektit, gatishmëri më të madhe në fillimin dhe zbatimin e pjesëve më të gjata, qasje sistematike dhe sigurimin në kohë të dokumentacionit të nevojshëm për fillimin dhe realizimin e projektit, konstaton revizoni. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Brush: Vetëperceptimi i Vuçiqit si president i ‘botës serbe’ nuk i kontribuon dialogut

    Lajmi i rradhës

    Kasami: nëse VMRO kërkon 60 mandate, ne kërkojmë 20 mandate dhe mos e keni hallin e integrimit europian

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë