Edhe gjashtë muaj pas arratisjes së ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, autoritetet nuk kanë përgjigje se ku ndodhet ai dhe kur do të dalë para drejtësisë. Përveç Grubit, me flet arrest ndërkombëtar në kërkim janë edhe ish-drejtori i EMV-së Vasko Kovaçevski, si dhe ish-drejtori i Lotarisë shtetërore Përparim Bajrami. Ministri i Brendshëm nuk zbuloi nëse dhe çfarë përgjigje janë marrë nga Interpoli në lidhje me arratisjen e tyre.
“Jam i bindur se gjatë specifikimit të të gjitha detajeve në lidhje me individët për të cilët më pyetët nga ndonjë partner ndërkombëtar dhe ndërmarrjes së veprimeve specifike nga Ministria e Brendshme. Publiku do të informohet në kohën e duhur nëse janë ndërmarrë veprime në lidhje me pyetjen tuaj apo jo. Nuk mund të jap asnjë përgjigje tjetër në këtë moment”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Më 17 dhjetor të vitit të kaluar, Grubi u largua nga vendi me makinë diplomatike dhe u arratis. Autoritetet kompetente i kanë bërë thirrje disa herë që të kthehet, por deri më sot kjo nuk ka ndodhur. Grubi kërkohet për keqpërdorime me tenderët në Lotarinë Shtetërore respektivisht për shkaktimin e dëmit prej disa dhjetëra milionë euro. Ndërkohë, ai përfundoi gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për korrupsion dhe ryshfet në rast që lidhej me ish-shefin e DSK-së, Sasho Mijallkov.
Përveç Grubit, për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore kërkohet edhe ish-kreu i këtij institucioni, Përparim Bajrami. Avokati i tij në atë kohë, për Alsat, tha se ai nuk ishte në arrati, por ishte zhvendosur nga vendi.
Megjithatë, deri më sot, publiku nuk e di vendndodhjen e tij dhe autoritetet kompetente janë ende në kërkim të tij. Ekziston edhe një flet arrest ndërkombëtar për Vasko Kovaçevskin- i dyshuari kryesor në rastin “Aditiv” për manipulim të tenderëve për furnizimin e qymyrit për TEC Manastir dhe TEC Osllomej, ai dyshohet për krim në vlerë prej gjashtë milionë e gjysmë euro. Gjykimi në këtë rast filloi javën e kaluar kurse Kovaçevski, i cili është në arrati, do të gjykohet në mungesë. /Alsat/