Autostrada Kërçovë-Ohër askund

    Autostrada Kërçovë-Ohër e nisur dhjetë vite më parë, akoma është larg përfundimit. Që nga nisja e punimeve atë e përcjellin problem nga më të ndryshmet. Punimet për ndërtimin e kësaj autostrade kanë filluar në shkurt të vitit 2014, dhe është dashur të përfundojnë deri në vitin 2018. Por ndërtimi u vonua sërish.

    Sipas arsyetimit të institucioneve kompetente, zgjatja është kryesisht për shkak të zgjidhjes së çështjeve pronësore juridike, gabimeve në projektim dhe lëshimeve të tjera, siç janë hyrje daljet në autostradë. Me një aneks të Marrëveshjes, fillimisht afati i ndërtimit ishte shtyrë deri më 30 qershor 2021 dhe më pas afati ishte shtyrë sërish edhe për dy vite të tjera, pra deri në fund të vitit 2023. Sipas vlerësimeve fillestare, ndërtimi i autostradës nga Kërçova deri në Ohër është dashur të kushtojë 374 milionë euro, por pas anekseve të shumta shtesë ka arritur në gati 600 milionë euro. Tani mbetet çështja se si do të zgjidhet problemi me vonesën dhe përfundimin e këtij aksi të rëndësishëm rrugor.

    KËRKOHET ÇARE

    Nga Ministria e Transportit thonë se nëpërmjet Autoritetit Mbikëqyrës kanë angazhuar një ekspert për kontratat Fidic, përmes të cilit duhet të bëhet analiza e kontratës, si dhe të ofrohet zgjidhjet për të gjithë hapat e ardhshëm të Qeverisë për realizimin e projektit për ndërtimin e autostradës Kërçovë – Ohër.

    Kontratat FIDIC janë të lidhura me fushën e së drejtës së ndërtimit, dhe përbëhen nga kushte të përgjithshme dhe të veçanta, qëllimi kryesor i të cilave është mbrojtja e projektit dhe jo interesi i palëve kontraktuese.

    Modelet e kontratave FIDIC, paraqesin standardin më të rëndësishëm ndërkombëtar i kontratës për punët e ndërtimit dhe inxhinierisë. Pra pritet të ofrohet zgjidhje për përfundimin e këtij projekti. Por problemet në këtë rrugë nuk kanë të ndalur, së fundmi në trase janë shfaqur njëmbëdhjetë rrëshqitje të reja , për të cilat do të angazhohen ekspertë ndërkombëtarë, të cilët do të japin zgjidhje propozim-projektuese dhe mendim për projektin e përgjithshëm, thonë nga Ministria e Transportit..

    Ministri i transportit Bllagoja Boçvarski thotë se në përgjithësi ndërtimi është zgjatur , ndërsa si qeveri kanë ndërmarrë hapa shtesë për të gjetur zgjidhje për përfundimin e kësaj rruge, ku synohet ndryshimi i procedurave ligjore që të lehtësohen procedurat e projekteve të tilla infrastrukturore me qëllim që qeveritë aktuale dhe të ardhshme më lehtë të realizojnë projekte të tilla.

    “Ndryshime të tilla që janë miratuar po japin rezultate. Për këtë projekt një nga masat është edhe revizioni i tërë dokumentacionit projektues. Aktualisht kemi dy revizione një për projektet kapitale dhe i dyti për rregullshmërinë financiare. Aspekti i dytë janë disa skenarë që do të ofrohen nga eksperti Fidic në raport me këtë lloj të marrëveshjeve ndërkombëtare”, thekson ai. Mundësinë e ndërprerjes së marrëveshjes e la të hapur javën e kaluar kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili tha se është e papranueshme që 10 vjet të jetë në ndërtim e sipër një autostradë prej 40 kilometrash dhe ende nuk është bërë.

    “Ndryshime të tilla që janë miratuar po japin rezultate. Për këtë projekt një nga masat është edhe revizioni i tërë dokumentacionit projektues. Aktualisht kemi dy revizione një për projektet kapitale dhe i dyti për rregullshmërinë financiare. Aspekti i dytë janë disa skenarë që do të ofrohen nga eksperti Fidic në raport me këtë lloj të marrëveshjeve ndërkombëtare”

    Kohë më parë, nga Ministria e Transportit nuk përjashtuan as mundësinë të ngritjes së problemit të vonesës eventuale në ndërtimin e kë saj autostrade në gjykatën kompetente. Bile shtojnë se edhe mund të ketë edhe gjoba për kontraktuesin nëse nuk respektohen afatet dhe autostrada Kërçovë-Ohër nuk përfundon deri më 31 dhjetor 2023. Tani mbetet dilema, nëse për shkak të ndërprerjes eventuale të kontratës , shteti do t’i paguante gjoba kompanisë kineze SinoHidro, por edhe shtrohet pyetja se cila do të ishte kompania e re që do të merrte përsipër të përfundonte këtë autostradë. Zgjatja eventuale dhe sërishme e afatit të ndërtimit të afatit do të gjendet para deputetëve para vitit të ri, në të kundërtën rrezikohet edhe biznesi vendor.

    “Çfarë do të ndodhë nëse deputetët nuk miratojnë zgjatjen e ligjit, do të thotë që garancitë bankare të ‘Sinohydro’ do të bien dhe me këtë kompania kineze do të tërheqë garancitë bankare dhe kompanitë tona që kanë rreth 50 milionë garanci bankare do të humbin mjetet financiare”, thekson Prof. Dr. Ilios Vilos nga Fakulteti Teknik në Manastir.

    Me fjalë tjera, nëse deputetët votojnë për shkëputjen e kontratës në fund të dhjetorit, ekspertët e ndërtimit janë më se të sigurt se kompania kineze do të nisë një procedurë para Gjykatës së Arbitrazhit në Paris, ku thonë se bëhet fjalë për një projekt që peshon gjysmë miliardë euro.

    Nga ana tjetër, për shkak të problemeve me dokumentacionin jo të plotë projektuesi u vonua ndërtimi i rrugës, ndërsa realizuesi kryesor i punëve në teren kompania kineze “Sinhidro”, kërkoi 152 milionë euro shtesë vetëm për përfundimin e tunelit të gjatë 4 kilometra tek lokaliteti Preseka, ndërsa afër 90 milionë euro të tjera janë kërkuar për harxhimet shtesë në pikat e tjera problematike të ndërtimit. Bile analizat kanë treguar se materiali ku është kryhet shpimi i tunelit “Preseka” tek fshati Vërbjan, kushtëzon çmim më të lartë të ndërtimit për shkak se tuneli, ishte parashikuar të ndërtohet mbi një shkëmb pa hulumtime paraprake gjeologjike, ndërsa tani tereni dikton çmim më të lartë ndërtimi që duhet të harmonizohet me partnerin kinez të ndërtimit. Kjo rrugë e rëndësishme që nga fillimi i ndërtimit ballafaqohet me probleme të ndryshme ku fillimisht nuk ishin parashikuar hyrje-dalje ndaj rrugëve lokale, ndërsa një pjesë e rrugës ishte e parashikuar të ndërtohet mbi rezervuarin që furnizon Kërçovën me ujë.

    REVIZIONI ALARM PËR PROBLEMET PARA DISA VITESH

    Në Raportin Përfundimtar të Entit të Revizionit, për auditimin e performancës “Hyrja në borxh e subjekteve të sektorit publik, shkalla e shfrytëzimit të kredive dhe kredive, kostot e paguara dhe të bëra” nga qershori 2022, auditorët kanë treguar se me aneksin e pestë të kontratës për ndërtimin e autostrada Kërçovë – Ohër dhe afati i caktuar deri më 31 dhjetor 2023 – ekziston rrezik i lartë i mos përmbushjes së obligimeve dhe kërkesave shtesë për kompensim, shpenzime shtesë pas kredisë dhe afat të zgjatur. Dhe jo vetëm kaq.

    “Ka shumë pasiguri për kërkesat për kompensim, rritje të kostove të marrëveshjes së kredisë për shkak të ndërprerjeve të ndërtimit për interesat e paguara për fondet e tërhequra dhe komisionet për fondet e pa tërhequra. Auditimi tërheq vëmendjen se zbatimi i këtij projekti, si dhe përdorimi ekonomik i fondeve, kërkon veprimin e koordinuar të disa institucioneve shtetërore për përmbushjen e detyrimeve të Ndërmarrjes për rrugët shtetërore në rolin e investitorit.”. Gjithashtu, nëse nuk përmbushen detyrimet sipas kontratës, ekziston rreziku i një kontesti , që paraqet rrezik për dëme të mëdha financiare”, thuhet në Raport.

    Njëkohësisht shprehen edhe aspektet që çojnë në pasiguri për realizimin brenda afatit të rënë dakord si “Ndërtimi i autostradës me gjatësi 57 km. pas projekteve të vjetruara që nuk pasqyrojnë situatën reale në terren, të cilat nuk janë bërë nga projektues me përvojë ndërkombëtare, mungesës së kontrollit dhe mbikëqyrjes në fazën e projektimit, mungesës së një procedure tenderimi për përcaktimin e çmimeve për ndërtimin. Veprimi jo koordinuar i institucioneve në procedurën për miratimin e projekteve infrastrukturore dhe procedurat e shpronësimit, korniza komplekse ligjore për ndryshimet gjatë ndërtimit, mungesa e monitorimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të projekteve”. E gjithë kjo, sipas auditorëve, ka efekt në zgjatjen e afatit – nga ai fillestar (04.05.2018), i rishikuar përfundimisht deri më 31.12.2023, me pasiguri të madhe për realizimin e atij afati dhe me kosto shtesë. që do të krijohen deri në përfundimin e projektit. “Punimet e parashikuara dhe plotësuese dhe të paparashikuara janë në vlerë prej 312 milionë euro, ndërsa vlera e tunelit të Presekës është rritur për 254 për qind, në 111 milionë euro, që tregon për projektim të dobët dhe nuk është projektuar asnjë sistem për kontroll dhe miratim. të punimeve shtesë dhe të paparashikuara”, thuhet në Raport. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Qeveria nuk i ka azhurnuar të dhënat për shpenzimet e zyrtarëve

    Lajmi i rradhës

    Mijëra qytetarë në RMV vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë