A janë gati 40km e para të autostradës Kërçovë-Ohër para fillimit të sezonit veror siç ishte paralajmëruar, do të dihet ditëve në vijim. Në terren shihen punime intensive, megjithatë ka edhe shumë punë për t’u bërë.
“Ndodhemi në autostradën Kërçovë-Ohër në fshatin Arbinovë kjo pjesë e autostradës nga fshati Arbinovë deri në Ohër duhej të lëshohet në përdorim në fund të Majit ose të lëshohet në përdorim tani në Qershor para fillimit të sezonit veror kjo rrugë shihet se është asfaltuar por ende nuk janë vendosur anësoret andaj pritet të shihet nëse këto 40 km do të lëshohen në përdorim para këtij sezoni veror siç ishte premtuar apo do të shtohet afati për një kohë të pacaktuar”, raporton TV21.
Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” thonë se për momentin nuk ka devijime nga periudha e planifikuar për vënien në funksion të një pjese të autostradës, nga Vërbjani deri në Ohër, me përjashtim të pjesës te Botuni, pasi më parë ishte paralajmëruar që në fillim të sezonit veror do të hapen kilometrat e parë. Nga ndërmarrja pohojnë se me ritme të shpejta po përparon ndërtimi i rrugëve lidhëse nga: Vërbjani deri në Sllivovë, Sllivovë-Arbinovë, Arbinovë-Izdëgllavje, Izdëgllavje-Pesochan, Pesochan-Novo Sello, Novo Sello-Botun, si dhe ndërtimi i rrugëve lidhëse për në fshatin Gorenc dhe fshatin Orovnik.
“Po përfundon faza e fundit para asfaltimit në nyjet Arbinovë dhe Izdëgllavje, ndërsa në Klimeshtan ka nisur puna në anën e majtë të trasesë. Në Trebenishtë ka filluar faza e parë dhe punohet intensivisht deri te hoteli Ambasador. Ndërkohë, po kryhen punime edhe në mbikalimin te Shën Erazmo dhe në segmentin Podmolje–Ohër”, tha Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore”.
Zëvendëskryeministri Nikolloski ka paralajmëruar lëshimin e 40 kilometrave të autostradës Kërçovë–Ohër para sezonit veror, me ndërprerje te Botuni për shkak të rrëshqitjeve të dheut. Janë kryer kërkime shtesë dhe po përgatiten zgjidhje teknike për stabilizimin e shpateve. NPRSh është në fazën e ndryshimeve të projektit bazë dhe analizës financiare. Vlera e autostradës, e cila është në ndërtim prej 10 vitesh, është 589 milionë euro.