Autostrada Shkup-Bllacë, 18 milionë dhe autostrada askund!

    Edhe pas disa dekada të premtimeve për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, punimet në këtë aks të rëndësishëm rrugor po rrjedhin ngadalë. Qytetarët akoma janë të detyruar që këto as 15 kilometra deri në kufirin me Kosovën t’i përshkojnë në rrugën e vjetër plot me gropa, dhe rrugë jo të rrafshët, me një tunel të pandriçuar… dhe me shpejtësi që rrallë mund të tejkalojë 50 kilometra në orë. Sipas zhvillimit të dinamikës së punimeve në terren, vozitësit e kamionëve, por edhe të veturave do të duhet të presin edhe disa vite që nga kryeqendra e Maqedonisë deri në Prishtinë të arrijnë përmes një rruge komode në tërë aksin e saj. Apo do të duhet të kalojnë Bllacën për të udhëtuar me një autostradë modern deri në Prishtinë. Aktualisht, punimet në afërsi të vendkalimit kufitar Bllacë janë në rrjedhë e sipër, mirëpo akoma nuk po shikohet ndonjë dinamike më e madhe e ndërtimit.

    ARSYETIME TË SHUMTA PËR VONESËN E RRUGËS SË BLLACËS

    Arsyetimet e zyrtarëve për këtë rrugë, kanë qenë në periudhën e kaluar për vonesat në ndërtimin e saj se përskaj studimit fizibiliti që ka qenë i përgatitur më parë, megjithatë është shfaqur nevoja për projektim të ri si rrjedhojë e ndërtimit të më shumë objekteve përgjatë trasesë së saj, si dhe ndërtimit të më shumë urave, tuneleve etj, që ka kërkuar edhe përgatitjen e dokumentacionit të ri projektues për të rrugë. Bile në këtë rrugë do të ndërtohen mbi 11 tunele. Vonesat janë shkaktuar edhe me procedurat e shpronësimit në dy kilometrat e para të saj. Në janar të vitit 2020, autoritetet në vend nënshkruan marrëveshje me ndërmarrjen Granit për ndërtimin e dy kilometrave të para, mirëpo në terren po shfaqen vonesat në realizimin e këtij aksi rrugor.

    Numri një i Ndërmarrjes Shtetërore të Rrugëve, Ejup Rustemi thotë se dy kilometrat e para të kësaj autostrade pritet të përfundojnë në pranverën e vitit të ardhshëm, kur dhe do të fillojnë edhe punët ndërtimore në pjesën tjetër të gjatë 10 kilometra. Vonesat në dy kilometrat e para që tani duhej të ishin përfunduar me 90 për qind janë për shkak të terrenit të pjerrët, ku pritet projektim i veçantë nga ana e kompanisë “Hill”, si dhe ndërtimi i murrit mbrojtës në gjatësi prej 280 metrash dhe i lartë deri në 20 metra, shton ai.

    AKOMA PA AFAT PËR PËRFUNDIMIN E SAJ

    Pritet që revidimi i projektit për dhjetë kilometrat e tjera, do të ofrojë edhe afatin përfundimtar për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, ku do të merren parasysh edhe më shumë objekte që janë ndërtuar përgjatë këtij aksi rrugor. Në ndërkohë, është paralajmëruar se autostrada që do të ndërtohet nga Shkupi deri në afërsi të pikës kufitare Bllacë do të kushtojë 186.7 milionë euro për ndërtimin e 10 kilometrave. Kjo ndër të tjerash theksohet në thirrjen publike apo tenderin publik të publikuar nga Ndërmarrja publike “Rrugët e Shtetit” në ueb faqen e saj.

    KREDI EVROPIANE

    Në muajin korrik të këtij viti u nënshkrua edhe marrëveshja me Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim për hua prej 167.6 milionë euro e cila i referohet nën segmentit të Autostradës A4 të rrjetit të transportit trans-evropian TEN-T, me gjatësi prej rreth 10 kilometra që përfshihet në nyjen rrugore Bllacë në afërsi të pikës kufitare me Republikën e Kosovës deri në Shkup, apo deri në nyjen rrugore Stenkovec. Njëherësh për të parashikohet edhe kofinancim me mjete të siguruara si grant nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës Investuese për Ballkanin perëndimor. Nga ana tjetër, dy kilometrat e para po realizohen me mjete të ndërmarrjes shtetërore të rrugëve. Zgjidhja e parashikuar e autostradës do të ketë dy korsi rrugore, secila me nga dy korsi trafiku me gjerësi prej 3.5 m dhe me nga një korsi për ndalim prej 2.5 m. Gjerësia totale e projektuar e autostradës do të jetë rreth 27.5 m. Me sigurimin e kësaj kredie dhe ndërtimin e autostradës, dukshëm koha e udhëtimit do të shkurtohet, do të përmirësohet siguria në trafik, do të ulen kostot e mirëmbajtjes së automjeteve. Gjithashtu do të rehabilitohet edhe rruga ekzistuese, e cila do të shërbejë si rrugë alternative, për të cilën është nënshkruar një marrëveshje me kontraktorin për rehabilitim të saj.

    VONESA EDHE NË AUTOSTRADËN KËRÇOVË –OHËR

    Edhe pas tetë vitesh të fillimit të ndërtimit të kësaj autostrade, ajo është akoma larg përfundimit. Nga Ministria e Transportit thonë se po ndërtimi i saj paraqet prioritet të lartë, dhe se më nuk do të tolerohet prolongimi i përfundimit të saj në fund të vitit 2023. Kohë më parë ministri i transportit, Bllagoja Boçvarski theksoi se autostrada Kërçovë-Ohër po ndërtohet në mënyrë aktive, ku po realizohen një pjesë e madhe e tuneleve dhe urave, si dhe po përfundohet edhe ura më e gjatë. Nga ana tjetër, nuk u mbajt premtimi që korsia e djathtë prej fshatit Trebenishtë deri në Ohër të përfundojë tërësisht dhe të lëshohet në përdorim në fillim të muajit gusht, ndërsa është premtuar se korsia e majtë të përfundojë dhe të lëshohet në përdorim në fund të kë tij viti.

    PROBLEME NË REALIZIM

    Kjo rrugë e rëndësishme ku sipas kompetentëve janë kryer mbi 70 për qind e punimeve, nga fillimi i ndërtimit ballafaqohet me probleme të ndryshme ku fillimisht nuk ishin parashikuar hyrje-dalje ndaj rrugëve lokale, ndërsa një pjesë e rrugës ishte e parashikuar të ndërtohet mbi rezervuarin që furnizon Kërçovën me ujë. Ajo filloi të ndërtohet në 2014-ën dhe duhej të jetë gati në shkurt të vitit 2018. Prokuroria Speciale Publike në bazë të indikacioneve nga përgjimet jo legale apo “bombat” , hapi rastin kundër ish funksionarëve të pushtetit të dyshuar për marrjen e mitës si dhe për mënyrën e udhëheqjes së procedurës së tenderit. Nga ana tjetër edhe Enti Shtetëror i Revizionit apo Auditimit, konstatoi se ndërtimi i autostradave të reja po zhvillohet me tempo të ngadalshme, ekziston vonesë e punëve ndërtimore si dhe realizimit financiar të punëve të planifikuara dhe kontraktuara. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia, vendi më pak i zhvilluar i rajonit

    Lajmi i rradhës

    Në Maqedoni, kostoja e një shoferi më e larta në Ballkan

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë