Në Maqedoni, kostoja e një shoferi më e larta në Ballkan

    Shoferët e ardhshëm në Ballkanin Perëndimor duhet të paguajnë mesatarisht rreth 600 euro për t’u pajisur me patentë shofer. Këto janë kostot elementare, nëse “me të parën” kalojnë provimin teorik, provimin praktik me ushtrime në poligon dhe provimin me drejtim të automjetit në trafik real. Për shkak të rritjes së çmimit të karburanteve, shumë autoshkolla kanë rritur edhe çmimoret, kështu që mesatarisht, nëse tani jeni regjistruar për marrjen e trajnimit të kategorisë B, do të paguani mesatarisht rreth 100 euro më shumë.

    Gjithkund kërkohen certifikata mjekësore për gjendjen shëndetësore të kandidatit, të cilat përfshihen në koston shtesë. Ekziston edhe provimi i ndihmës së parë që kushton nga 30 deri në 50 euro. Për shkak të kushteve që i dikton pandemia Covid-19, ky provim jepet kryesisht teorikisht, pa pjesë praktike. TRT Balkan analizoi çmimet që i ofrojnë autoshkollat në rajon dhe sa kushton mesatarisht trajnimi bazë për shoferët e ardhshëm të kategorisë B, ku përfshihet edhe provimi.

    MAQEDONI E VERIUT. Autoshkollat ​​që nga fillimi i vitit kanë çmime më të larta për trajnimin e shoferëve. Çmimet variojnë deri në 400 euro për paketën bazë të mësimit teorik dhe praktik për kategorinë B. Rritje të çmimeve ka edhe për marrjen me qira të automjetit të autoshkollës në ditën e testimit, si dhe hyrjen në poligon për mësimin e ushtrimeve. Disa autoshkolla ofrojnë gjithashtu zbritje për aplikantët e mundshëm. Me këto çmime, shoferët e ardhshëm në Maqedoninë e Veriut duhet të jenë të përgatitur të shpenzojnë deri në 700 euro për të marrë patentë shoferi të vlefshëm. Nëse kandidati nuk kalon herën e parë, atëherë çmimi arrin lehtësisht 100 deri në 200 euro shtesë. Pjesa dërmuese e kandidatëve e përsërisin testin praktik në “qytet”.

    SERBI. Në Serbi, mosha më e re në të cilën mund të pajiseni me patentë shofer është 17 vjeç. Kostoja e orëve për trajnimin e plotë të kandidatit është rreth 630 euro. Këtë çmim autoshkollat kanë filluar t’a paguajnë nga marsi i këtij viti. Disa prej tyre në çmim ofrojnë mbulimin e provimit teorik dhe praktik me një testim, e disa mbulojnë certifikatën mjekësore. Në Serbi janë 15 detyra të ndryshme në terren, por në mënyrë të rastësishme me përzgjedhje kompjuterike, kandidatit i jepen disa prej tyre, si dhe rruga të cilën duhet të ndjekë për dhënien e provimit në trafikun e qytetit.

    KOSOVË. Autoshkollat në Kosovës ofrojnë trajnime bazë për shoferët e ardhshëm me 20 orë praktike që kushtojnë deri në 200 euro, por me rritjen e re të çmimeve që datojnë nga maji i këtij viti, kandidatët e ardhshëm do të duhet të paguajnë deri në 300 euro për trajnimin bazë teorik dhe praktik. Edhe me rritjen e çmimit, Kosova ende ka ndoshta koston mesatare më të ulët të trajnimit të shoferëve në krahasim me vendet e rajonit dhe numrin më të ulët të orëve praktike para testit të vozitjes. Mosha ligjore për marrjen e patentë shoferit në Kosovë është 18 vjet.

    SHQIPËRI. Mesatarisht, autoshkollat ​​paguajnë midis 250 dhe 350 euro vetëm për trajnimin e vozitjes, dhe çmimet mund të ndryshojnë në varësi të numrit të mësimeve dhe mbulimit të kostove të testit në poligon dhe testit në “qytet”. Kandidati me patentë shofer mund të pajiset në moshën 18 vjeçare.

    BOSNJE E HERCEGOVINA. Në Bosnje e Hercegovinë çmimi varion nga 500 deri në 600 euro për mësimin teorik, trajnimin praktik, testin teorik, ndihmën e parë dhe testin e drejtimit. Për shkak të dallimeve të mëdha në çmimet për trajnimin e shoferëve në pjesë të ndryshme të BeH, autoritetet kanë vendosur një çmim minimal mbrojtës për autoshkollat, të cilin nuk duhet ta ulin. Nëse çmimi mesatar për plotësimin e të gjitha detyrimeve është rreth 550 euro, në pjesë të caktuara të vendit nevojiten vetëm 255 euro, nëse kandidati i kalon të gjitha provimet “me të parën”.

    MALI I ZI. Mali i Zi, sipas faqes për edukimin e shoferëve Zutobi, u vlerësua si një nga vendet më të vështira në botë dhe i treti në Evropë për marrjen e patentës së shoferit. Edhe pse kostoja e trajnimit e paguar nga kandidatët shkon nga 230 deri në 290 euro në varësi të automjetit, studiuesit zbuluan se malazezët e kanë të vështirë të marrin patentë shoferin, kryesisht për shkak të ekzaminimeve dhe miratimeve të nevojshme. Shumica e autoshkollave në Mal të Zi paguajnë veçmas shpenzimet e provimit praktik dhe teorik, si dhe verifikimin e dokumenteve. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Autostrada Shkup-Bllacë, 18 milionë dhe autostrada askund!

    Lajmi i rradhës

    Prokuroria kërkon paraburgim për një person nga Shkupi, dyshohet se dhunoi tre fëmijë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë