AUV: produktet për dobësim, rrezik real për shëndetin

    Në epokën e rrjeteve sociale, ku standardet e bukurisë shpesh përcaktohen nga filtrat dhe algoritmet, kërkimi për trupin “ideal” po shndërrohet në një obsesion masiv. Mes këtij presioni të përditshëm, produktet që premtojnë humbje të shpejtë peshe, si çajra, suplemente, pluhura “detoks” apo formula “magjike”, janë kthyer në një industri fitimprurëse, por edhe të rrezikshme. Ato reklamohen agresivisht në platformat online, shpesh pa asnjë bazë shkencore dhe jashtë kontrollit të institucioneve përkatëse. Megjithëse tërheqin me fjalë të mëdha si “100 për qind natyrale” apo “pa efekte anësore”, këto produkte mund të kenë pasoja serioze për shëndetin e konsumatorëve.

    Kjo ishte një nga temat kryesore që u trajtuan nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) me  titull “Përfitime shëndetësore, modë apo keqkuptime gjatë blerjes së ushqimit, etiketa ushqyese, shtesa ushqimore dhe pretendime shëndetësore”. Ekspertë të fushës paralajmëruan për përhapjen në rritje të produkteve që shpërndahen përmes kanaleve të pakontrolluara dhe që mund të dëmtojnë shëndetin e qytetarëve.

    Radmila J. Nikolovska, këshilltare shtetërore në AUV, theksoi se përdorimi i pakontrolluar i suplementeve për humbje peshe, sidomos atyre të blera në internet ose përmes rrjeteve sociale, përbën një rrezik real. “Përdorimi i pakontrolluar i çajrave dhe suplementeve për humbje peshe, veçanërisht ato të blera përmes rrjeteve sociale ose dyqaneve online të paregjistruara, mund të çojë në ndërlikime serioze shëndetësore, nga dehidratimi dhe çekuilibri i elektroliteve, deri te dëmtimi i organeve,” deklaroi ajo, duke shtuar se qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien pre e reklamave mashtruese.

    AUV theksoi se rëndësia e leximit të etiketave të produkteve ushqimore dhe dallimit të saktë mes pretendimeve të mbështetura në fakte shkencore dhe atyre që përdoren për efekte marketingu. Për këtë arsye, pjesë e diskutimit ishin edhe rregulloret që ndërlidhen me sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, veçanërisht kur bëhet fjalë për grupe të ndjeshme si pacientët kronikë, personat me alergji apo me intoleranca të ndryshme.

    “Nuk lejohet që produktet të reklamohen me pretendime se shërojnë ose parandalojnë sëmundje. Kjo krijon siguri të rreme dhe mashtron publikun. Prioriteti ynë është të ofrojmë informacion të saktë, të qartë dhe të verifikuar mbi deklaratat, në mënyrë që qytetarët të mund të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe të jenë të informuar kur blejnë ushqim,” thonë nga atje.

    Ndër të tjera, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njoftoi se po vazhdon me kontrolle të rregullta në treg për të identifikuar produkte të dyshimta dhe për të garantuar që të gjitha etiketat përmbajnë informacione të sakta dhe transparente. Në të njëjtën kohë, i bën thirrje konsumatorëve të shmangin blerjet nga burime të paverifikuara dhe të mos besojnë çdo reklamë që premton “mrekulli” për trupin e tyre, sepse pas tyre mund të fshihet një çmim i lartë, ai i shëndetit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Rënia e punëtorëve në industri, tendencë e ngadalësimit ekonomik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë