AZGj reagon ndaj Kostadinovskit: megjithatë, gjuha shqipe është zyrtare

    Agjencia e Zbatimit të Gjuhës (AZGj) ka reaguar ndaj qëndrimit të kryetarit të Gjykata Kushtetuese e RMV-së, Darko Kostadinovski, lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat kundërvajtëse në kuadër të sistemit “Safe City”, përcjell Nistori.

    Në mbledhjen e djeshme, Gjykata Kushtetuese e RMV-së hodhi poshtë nismën për shqyrtimin e sistemit “Safe City”, çështje që përfshinte edhe përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat kundërvajtëse. Duke komentuar këtë temë, kryetari i gjykatës, Darko Kostadinovski, deklaroi se kjo nuk paraqet problem dhe se, sipas tij, “më e logjikshme do të ishte që SMS-të të dërgohen vetëm në maqedonisht dhe në anglisht”. Ai shtoi gjithashtu se “nuk guxojmë të harrojmë se gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare e këtij shteti”.

    Në reagimin e saj, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës thekson se ky interpretim është i paplotë dhe i njëanshëm. Sipas AZGJ-së, është e vërtetë që në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, në nenin 1, thuhet se gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik – pjesë që u citua nga Kostadinovski.

    Megjithatë, agjencia nënvizon se kryetari i gjykatës nuk përmendi paragrafin e dytë të të njëjtit nen, ku thuhet se “gjuhë tjetër që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve (gjuha shqipe) gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj”.

    “Prandaj AZGJ-ja konsideron se ky qëndrim i tij është i njëanshëm, tendencioz dhe kundër gjuhës shqipe”, thuhet në reagim.

    Sipas agjencisë, Gjykata Kushtetuese e RMV-së, si institucioni më i lartë juridik në vend, duhet të jetë mbrojtëse e ligjit dhe jo shpërfillëse e tij. AZGJ vlerëson se në këtë rast gjykata u tregua selektive, duke injoruar dhe anashkaluar përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.

    Në reagim theksohet gjithashtu se gjykata duhet të tejkalojë paragjykimet dhe të mbajë qëndrime në përputhje me ligjin dhe kushtetutën, në mënyrë që të kontribuojë në zbatimin e drejtë të përdorimit të gjuhëve zyrtare në vend.

    AZGJ rikujton se, përveç maqedonishtes, edhe gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Maqedonia e Veriut.

    Lajmi Paraprak

    Po shkojmë në Hënë apo në ferr?

    Lajmi i rradhës

    Reforma e Prokurorisë në rrezik, financimi u ul dhe autonomia e premtuar mbetet e paplotësuar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë