Ballkani Perëndimor dhe BE nënshkruajnë marrëveshje për roming

    Operatorët telefonikë të Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar të martën një marrëveshje në Tiranë për zvogëlim të tarifave të romingut.

    Marrëveshja, e cila është nënshkruar në kuadër të samitit BE- Ballkani Perëndimor, do të nisë së zbatuari më 1 tetor të vitit 2023.

    Kjo është hera e parë që mbahet një samit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor jashtë territorit të bllokut evropian.

    Zotimi kryesor i liderëve të bllokut evropian në këtë samit pritet të jetë mbështetja dhe përshpejtimi për procesin e zgjerimit të BE-së.

    Tema të tjera me rëndësi që pritet të diskutohen janë edhe pasojat e pushtimit rus të Ukrainës dhe bashkërendimi i përgjigjes ndaj tyre, sa i përket politikës së jashtme dhe sigurisë, por edhe menaxhimi i krizës energjetike.

    Shefi i Komisionit Evropian, Charles Michel, ka thënë në nisje të takimit se “është i bindur që e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor brenda BE-së”.

    “Ne jemi duke punuar shumë për të arritur përparim”, ka thënë Michel.

    Osmani paralajmëron aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pret që samiti që po mbahet në Tiranë, do të ndihmojë në përshpejtim të procesit të anëtarësimit të rajonit të Ballkanit në bllokun evropian.

    Ajo i ka bërë këto deklarata pak para nisjes së samitit.

    Megjithatë, Osmani e ka përmendur se është koha që BE-ja të kalojë “nga fjalët në vepra”.

    Ajo ka paralajmëruar që në samit do të bëjë të ditur vendimin e Kosovës për të aplikuar këtë vit për anëtarësim në bllokun evropian.

    “Ne presim mbështetjen e plotë të vendeve anëtare”.

    Ajo, po ashtu, ka thënë se BE-ja duhet të dërgojë mesazhe të qarta për vendet që janë në linjë me të për sanksionim të Rusisë, si pasojë e luftës së nisur në Ukrainë, dhe atyre që nuk kanë vepruar njëjtë.

    Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk i ka vënë sanksione Moskës.

    Në samit është duke marrë pjesë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ani pse më parë ka pati thënë se nuk do të jetë pjesë e takimit për shkak të disa deklaratave të zyrtarëve evropianë lidhur me Kosovën dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Gjithmonë më duket se është më mirë – jo vetëm për shkak të miqësisë me Shqipërinë dhe Ballkanin e Hapur – të jesh në tavolinë, sepse kur nuk je në tavolinë, atëherë zakonisht je në meny dhe pastaj të gjithë mezi presin… Kjo është një mundësi e mirë për të mbrojtur interesat e Serbisë”, ka thënë Vuçiq para fillimit të takimit.

    Më 2 dhjetor, Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për sjellje evropiane, pas deklaratave fyese të Vuçiqit në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

    Temat e samitit

    Në samitin në Tiranë, po ashtu pritet të diskutohet për ndalimin e emigrantëve që kalojnë përmes shteteve të Ballkanit për në BE, dhe frenimin e emigrimit nga vendet e rajonit.

    Samiti do të përmbyllet me një deklaratë të përbashkët të liderëve. Radio Evropa e Lirë ditë më parë ka raportuar për përmbajtjen e draftit të “Deklaratës së Tiranës”.

    Përveç zotimit për përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, në të theksohet edhe rëndësia e partneritetit mes bllokut dhe këtij rajoni.

    “Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, që po përshkallëzohet dhe po e vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane e atë globale, potencon rëndësinë e partneritetit strategjik mes BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor“, thuhet në tekstin e draft-deklaratës së Tiranës.

    Në këtë draft-dokument theksohet se “vendet e rajonit duhet ta harmonizojnë politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së”.

    Në lidhje me rritjen e valës së emigrantëve ilegalë që hyjnë në BE përmes Ballkanit, zyrtarët evropianë më 5 dhjetor shprehën shqetësimin e tyre dhe kërkuan forcim të menaxhimit të kufijve.

    Sipas të dhënave të Komisionit Evropian vetëm në muajin tetor të këtij viti, në BE kanë hyrë më shumë se 22.000 imigrantë ilegalë, përmes shteteve të Ballkanit Perëndimor.

    Komisioni Evropian u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të përshtaten me politikën e vizave të BE-së. Në të kundërtën ka paralajmëruar se rrezikohet edhe liberalizimi i vizave që BE-ja ka me shumicën e vendeve të këtij rajoni.

    Protesta e paralajmëruar e opozitës shqiptare

    Pas nënshkrimit të marrëveshjes për roaming, do të zhvillohen dy seanca plenare dhe në orën 14:30 do të mbahet konferenca për mediat e presidentit të Këshillit të Evropës, Charles Michel, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

    Gjatë kohës së mbajtjes së samitit BE-Ballkani Perëndimor, opozita në Shqipëri ka paralajmëruar se do të mbajë një protestë kundër Qeverisë Rama.

    Udhëheqësit e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, Sali Berisha dhe Ilir Meta, kanë thirrur protestë në orën 12:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, zonë që policia shqiptare e ka përfshirë në perimetrin e sigurisë për të garantuar mbarëvajtjen e samitit BE-Ballkani Perëndimor.

    Samiti mbahet në hotel “Marriot” në kullën e “Air Albania”, që gjendet pak metra larg bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

    Sali Berisha deklaroi të hënën pasdite se protesta nuk kërcënon “sigurinë e miqve evropianë”, por shtoi se kërcënim për Shqipërinë përbën “Rama dhe Qeveria e tij”.

    Policia e shtetit ka marrë masa të larta sigurie në bashkëpunim edhe me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare Interpol dhe Europol, për të garantuar sigurinë e 32 delegacioneve shtetërore të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe mbarëvajtjen e samitit.

    Forcat e rendit, po ashtu, thanë se do të mbikëqyrin dhe do të garantojnë mbarëvajtjen e protestës së paralajmëruar nga opozita, por jashtë perimetrit të sigurisë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Komisioni Europian kritikon Maqedoninë e Veriut që s’i vendosin viza Kosovës

    Lajmi i rradhës

    Çfarë do të diskutohet sot në Tiranë në samitin BE – Ballkani Perëndimor?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë