Shërbimi Informativ i Shtetit përmes raportit të vitit 2021 del në përfundime se Ballkani Perëndimor vijon të jetë i ekspozuar ndaj kërcënimeve.
Në lidhje me sigurinë në rajon, në raport theksohet se aktorët e tretë politike synojnë destabilizimin e sigurisë rajonale, nëpërmjet cenimit të kohezionit social dhe etnik, instrumentalizimit të faktorëve nacionalistë në rajon, përdorimit të propagandës dhe dezinformacionit apo rritjes së influencës malinje.
Rajoni mbetet i ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe sfidave, që vijnë si për shkak të faktorëve të brendshëm, problemet social-ekonomike, tensionet ndëretnike e ndërfetare, korrupsioni, krimi i organizuar ashtu dhe të ndikimit të aktorëve të jashtëm, të interesuar për ta mbajtur të pandryshuar ose për të përshkallëzuar gjendjen e sigurisë dhe politike në rajon, sipas SHISH.
Sa i përket inteligjencës së huaj në rajon shërbimet jomiqësore të inteligjencës e kanë fokusuar aktivitetin në amplifikim të problematikave ndëretnike e ndërfetare, nxitjen dhe mbështetjen e faktorëve destabilizues të brendshëm, në ruajtjen e status-kuosë në raport me proceset integruese dhe nxjerrjen e përfitimeve nga roli i saj në raport me Perëndimin.
PJESË NGA RAPORTI PUBLIK i SHISH 2021
Gjendja e sigurisë në rajon
Shqipëria ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë çdo përpjekje ndërkombëtare në favor të paqes dhe sigurisë rajonale e globale. Për më tepër, vendi ynë ndjek një politikë konstruktive rajonale, të mbështetur në parimet e bashkëpunimit, drejt proceseve integruese euroatlantike, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të të drejtave të pakicave.
Gjithsesi, qenia e Shqipërisë pjesë e Aleancës së NATO, pozicionimi i qartë pro-perëndimor, roli aktiv që luan në rajon e më gjerë e kanë shndërruar në një objektiv të politikës së jashtme të aktorëve të tretë, të cilët synojnë destabilizimin e sigurisë rajonale, nëpërmjet cenimit të kohezionit social dhe etnik, instrumentalizimit të faktorëve nacionalistë në rajon, përdorimit të propagandës dhe dezinformacionit, rritjes së influencës malinje etj.
Mjedisi i sigurisë në Ballkanin Perëndimor vijon të karakterizohet nga zhvillime të brendshme politike të brishta, që tregojnë se rajoni mbetet i ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe sfidave, që vijnë si për shkak të faktorëve të brendshëm (problemet social-ekonomike, tensionet ndëretnike e ndërfetare, korrupsioni, krimi i organizuar), ashtu dhe të ndikimit të aktorëve të jashtëm, të interesuar për ta mbajtur të pandryshuar ose për të përshkallëzuar gjendjen e sigurisë dhe politike në rajon.
Inteligjenca e huaj në rajon
Si vend anëtar i NATO-s, kontribuuese për paqen e sigurinë globale, por edhe aspirante për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane, Shqipëria vijon të mbetet në fokus të disa shërbimeve të huaja të inteligjencës.
Në qendër të aktivitetit të tyre për grumbullimin e informacionit vijojnë të mbeten zhvillimet e brendshme në fushën politike dhe të sigurisë, pozicionimi properëndimor i vendit tonë në raport me politikat në marrëdhëniet ndërkombëtare, marrëdhëniet me vendet e rajonit dhe aleatët strategjikë, stërvitjet ushtarake në kuadër të Aleancës dhe projektet në fushën e mbrojtjes.
Në vendet e tjera të rajonit, shërbimet jomiqësore të inteligjencës e kanë fokusuar aktivitetin në amplifikim të problematikave ndëretnike e ndërfetare, nxitjen dhe mbështetjen e faktorëve destabilizues të brendshëm, në ruajtjen e status-kuosë në raport me proceset integruese dhe nxjerrjen e përfitimeve nga roli i saj në raport me Perëndimin.
Aktivitetet hibride të aktorëve joperëndimorë kanë njohur rritje në rajon, por edhe në vendin tonë, edhe pse jo me të njëjtat përmasa si në vendet e rajonit. Këto lloj aktivitetesh po bëhen më evidente ndërkohë që vendet po përparojnë në proceset demokratizuese dhe integruese. /tch/